Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar një sërë problematikash përsa i përket menaxhimit të emergjencave në vend.
Në raportin për vitin 2018 theksohet se përmbytjet janë një ndër problemet më të shpeshta me të cilat përballet Shqipëria ndërsa Sistemi për menaxhimin e fatkeqësive dhe riskut të përmbytjeve rezulton me boshllëqe dhe kapacitet të limituar në përgjigje të përmbytjeve.
Lidhur me auditimet e fondeve për katastrofa KLSH ka organizuar një aktivitet me institucione nga vende të ndryshme të Evropës
Emergjencat Civile në Shqipëri menaxhohen në mënyrë paradoksale. Ky është përfundimi i raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2018. Janë një sërë problematikash të cilat ngrihen duke nisur që nga planifikimi i fondeve në buxhet.
KLSH konstaton parregullsi që lidhen me procesin e planifikimit dhe ekzekutimit të fondeve për parandalimin dhe përballimin e emergjencave civile si: mos regjistrimi në një regjistër të dedikuar i gjithë kërkesave të njësive vendore për dëmshpërblimin e familjeve të dëmtuara; mungesa e monitorimit dhe kontrollit mbi mënyrën dhe shpërndarjen e fondit si dhe mungesa e informacionit për shumat financiare të shpërndara familjeve të dëmtuara nga fatkeqësitë natyrore; planifikime jo të drejtë që kanë çuar në vonesa mbi 2 vite në ekzekutimin e ndihmave.
Sipas Kontrollit të Lartë të shtetit mungon totalisht bashkëpunimi midis institucioneve për parandalimin e emergjencave.
Ndërsa përmbytjet janë fatkeqësia natyrore më e përsëritur në Shqipëri KLSH thekson se Sistemi për menaxhimin e fatkeqësive dhe riskut të përmbytjeve ka boshllëqe dhe mungesë në informacion.
Kontrolli i Lartë i shtetit kërkon që mbrojtja nga përmbytjet të konceptohet si një sistem me masa afatgjata të planifikuara të paktën për 10-15 vjet.
Lidhur me auditimin e fondeve që lidhen me fatkeqësitë natyrore Kontrolli Lartë i Shtetit organizoi një aktivitet ku morën pjesë drejtues të institucioneve audituese nga një sërë vendesh në Evropë.
“Është shume e rëndësishme qe bashkëpunimi me institucionet te jete efektiv në parandalimin e fatkeqësive natyrore. Përgatitja nuk është e lehte dhe është e nevojshme te bashkëpunojmë dhe performojmë në grup.”
Kontrolli i Lartë i Shtetit përfshin ndryshimet në kuadrin ligjor, teknik, financiar, dhe shkencor duke përcaktuar përgjegjësitë dhe përforcimin e kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse.