Realpolitik “ Flash” No. 55
1 – 16 TETOR 2022
EKSKLUZIVISHT PER ARGUMENTUM
Shkurt dhe Shqip mbi 5 ngjarjet kryesore diplomatike me vetëm 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik
Dr. Jorgji KOTE
1. Klub apo komunitet politik? Kjo është pyetja që shtrohet pas lançimit të Komitetit Politik Europian në Pragë ( KPE) më 6 Tetor. Shumë hamendësime dhe dyshime për këtë grupim të ri me 44 shtete. Sepse janë BE-ja, KiE-ja, OSBE-ja dhe shumë nisma rajonale. Ndaj, Gjermania është kundër kthimit të KPE në një institucion me struktura, sekretariate dhe fonde, duke e lenë vetëm forum konsultativ që mblidhet dy herë në vit. Ndërkohë, Franca nismëtare dhe planet janë për ta kthyer KPE-nënë një OSBE të re, POR pa Rusinë dhe Bjellorusinë. Diçka normale, që KPE-ja të mos mbetet klub politik, ku vetëm të llomotitet. Le të presim vitin 2024, kur besohet se do bëhet finalizimi i saj.
2. Shaka me zarar ishte ajo që bëri Kryeministri Rama në Bergamo të Italisë më 10 Tetor në një veprimtari bashkiake. E « vodhi» dhe atë aktivitet me batuta dhe shakatë pa kripë, si i vetmi kryeqeveritar që i përdor ato rëndom. Theksojmë se në shkollat dhe praktikat e komunikimit të lidershipit politik nuk lejohet përdorimi i epiteteve, figurave letrare, batutave dhe i humorit, sidomos banal. Në fakt, në Bergamo Rama bëri humor të zi, por me shumë zarar publik. Në prani të Ministrit të Jashtëm Luigi De Maio, ai pohoi se kishin rënë dakord bashkë për « kontrabandë vaksinash», duke aktivizuar shërbimet sekrete. Madje pohoi se nuk je shqiptar dhe italian po nuk bëre pak kontrabandë. Kjo shkaktoi shumë zhurmë dhe frustrim në median dhe politikën italiane. Aq sa të nesërmen Rama u detyrua të deklaronte se kishte bërë shaka!. Dhe si zakonisht, iu lëshua medias dhe opozitës se demek nuk kuptojnë dhe pranojnë humorin e tij! Ndonëse fajin ia ka vehtja, sepse e kishte shumë më të lehtë të fliste thjesht dhe me seriozitet për temën, si Kryeministër, por jo si shakaxhi, aktor apo humorist.
3. Nga haram, hallall i tha Erdogan Ramës më 11 Tetor, kur krejt papritur dhe pa asnjë paralajmërim shtrënguan duart në Pallatin Presidencial në Ankara. Asgjë mbi temat e takimit, terr i plotë informativ. E ç’rëndësi ka kjo për Kryeministrin Rama tani që pas « kallkanit dhe harramit » të mëparshëm, « Vëllai i Madh » i tha « bujrum dhe hallall ! ». Pas provave që dha Tirana me mbylljen e shkollës dhe kopshtit gjylenist gjoja për difekte teknike, dëbimin e gazetarit turk dhe lëvdatave pa doganë për Erdogan në çdo forum ndërkombëtar, në Nju Jork, Pragë, Strasburg dhe mes liderëve të socialistëve europianë në Berlin më 15 Tetor. Në fakt, të dy janë në hall të madh se kanë zgjedhje vendimtare përpara, Erdogan presidencialet në Qershor përballë një opozite të bashkuar, ndërsa Rama në Maj zgjedhjet lokale, të cilat këtë radhë janë më të rëndësishme se ato parlamentare; kur popullariteti për të dy ka marrë tatëpjetën. Kur BE dhe SHBA kanë filluar më në fund ta fshikullojnë dhe Ramën me mesazhin e qartë se nuk do ta lejojnë më të vazhdojë me avazin e vjetër « gjej shesh dhe bëj përshesh ».
4. Më shumë ndreqi apo prishi punë? Kjo është çështja që debatohet pas fjalës së gjatë të Ramës në Asamblenë Parlamentare të Këshilit të Europës ( KiE) në Strasburg më 12 Tetor. Sepse, suksesi i një veprimi diplomatik nuk matet nga një fjalim, sado brilant, por nga produkti përfundimtar. Mirëpo, fjala e tij krijoi irritim dhe pakënaqësi të mëdha për përmbajtjen, por kryesisht me mënyrën pa etikë të artikulimit, me akuza frontale, gjuhën e drunjtë, xhestikulacionet e shumta, dalja jashtë teme, kthimi i fjalimit në një akt akuzë gati gjyqësore, të papranueshme për atë audiencë të lartë. Edhe përgjigjet e gjata ndaj pyetjeve dhe vërejtjeve e acaruan më keq situatën. Ndërsa darka jonë zyrtare jo vetëm nuk ishte si zakonisht « ëmbëlsira që lihet në fund » por ajo u refuzua nga drejtuesit e grupeve politike të KiE-së.
Edhe mbrojtja që Rama i bëri ish liderëve të UÇK-së të akuzuar dhe promovimi i Kosovës u la në hije nga disa gafa dhe gabime trashanike; sidomos shfajësimi i Serbisë nga genocidi në Kosovë, paraqitja e tij si « konflikt humanitar » thirja për të mos bërë trysni ndaj Serbisë për sanksionet ruse që të mos bjerë në krahët e Rusisë, kur ky është fakt i kryer, përmendja e « kombit kosovar », konsiderimi i Vuçiç, si mik ndonëse ai e ka ngritur në qiell Dick Martyn, etj. Në fakt, ky fjalim mund të shërbejë si model në shkollat e gazetarisë për të treguar se si NUK duhet të flasë Kryeministri i një vendi të vogël, ca më tepër kur i « ka çorap punët në shtëpi » Më e keqja, asgjë në terrenin diplomatik, duke përfshirë dhe Hagën nuk është e sigurt pas këtij fjalimi; as miratimi i Rezolutës së re, sepse mund të dalë si justifikim pritja e një vendimi gjyqësor; ndërkohë, prononcimet e Ramës, që janë të përsëritura mund të interpretohen si presion politik për ndërhyrje në punët e drejtësisë. Nuk thonë kot ” uthulla e fortë prish enën e vet”!
5. Pak kulaç, shumë kërbaç përmban Progres( Regres) Raporti i Komisionit Europian i 13 Tetorit për Shqipërinë. Me disa vlerësime pozitive për linjëzimin të plotë me politikën e jashtme të BE-së, rritjen ekonomike, reformën e drejtësisë, etj; pra ” karrotë ose kulaç” por tashmë me shumë kursim. Sepse aty mbizotëron «kërbaçi » me mosarritje, probleme dhe dështime të dukshme. Rreth 20 grupe problemesh dhe telashesh ulëritëse, që kur i lexon të rikujtojnë thënien ” hiç, hiç, por abili vdiq”. Kjo nuk është e papritur, përballë performancës dhe problemeve, si ekzistuese dhe ato që ka krijuar mazhoranca. Sidomos 3 ligjet e shumëdiskutuara të amnistisë fiskale, pasaportat e arta dhe mbi median, të cilat, nëse qeveria nuk i tërheq, rrezikojnë të na largojnë nga BE-ja. Veç krimit të organizuar, korrupsionit dhe sidomos azilit që po rritet me përmasa të frikshme. Të gjitha këto « bëma” kur sapo janë çelur negociatat me BE-në dhe jemi në procesin e skanimit të legjislacionit tonë. Mirëpo, në zbatim të Strategjisë së re të Zgjerimit, për mosrealizimet, dështimet dhe kundravajtjet ndaj legjislacionit të BE-së, pritni kur të « këlcasë kërbaçi » deri në pezullimin e negociatave apo dhe përsëritjen e procesit nga fillimi. Kambanat e BE-së po ushtojnë fort për ata që duan të dëgjojnë, dhe, në radhë të parë për qeverinë.
© 2022 Argumentum