Zhvillimet politike të paradites, ku PS-ja shpërndante qëndrimin e ekspertëve për ndryshimet kushtetuese konform argumenteve të saj, dhe opozita e bashkuar në anën tjetër kishte informuar ndërkombëtarët se nuk pranojnë teorinë e “faktit të kryer”, u reflektuan edhe në mbledhjen tre orëshe të Këshillit Politik.
Një mbledhje nga e cila përfaqësuesit politik veçse shprehën gatishmërinë se do të vijojnë të takohen, porse asnjëra prej tyre nuk lëshoi “pe” nga qëndrimet e veta.
Me pak fjalë, PD-ja kërkon lista 100% të hapura përmes një amendimi të përbashkët me PS-në, por pa prekur koalicionet, ndërsa PS-ja jep argument tjetër se koalicionet me ndryshimet e reja nuk hiqen, porse duhet të ndryshojë formula e tyre.
PS-ja ka propozuar që të kalojnë njëherë ndryshimet kushtetuese dhe më pas ato ndryshime të reflektohen në Kodin Zgjedhor përmes një procesi diskutimi në Këshillin Politik.
PS-ja ka kërkuar gjithashtu se cili model i huaj aplikon propozimin e opozitës jashtë Kuvendit
“U konstatua gjatë mbledhjes se amendimet kushtetuese nuk pengojnë hapjen e listave dhe as çështjen e koalicioneve parazgjedhore.
Këto janë çështje që rregullohen në Kodin Zgjedhor”, tha Damian Gjiknuri, duke iu referuar argumenteve të ekspertëve gjatë mbledhjes.
Sipas tij, është PD-ja që po përdor teknikën e bllokimit për të mos përmbushur ndryshimet kushtetuese.
I pyetur nga media, se PD-ja e ka bërë publike një model flete votimi ku mund të votosh edhe për kandidatët edhe për koalicionet, Gjiknuri u përgjigj se problemi ishte shumë më esencial.
Oerd Bykybashi tha se në 17 vite zbatim të skemës aktuale, pra me lejimin e koalicioneve parazgjedhore, nuk është prodhuar asnjë krizë.
“Propozuam të hiqet dorë nga ndryshimet e njëanshme, amendament për hapjen e listave pa prekur asgjë tjetër në Kushtetutë e të garantojmë që procesi do mbetet i paprekur e përtej lojërave të Ramës e maxhorancës, ndryshimet kushtetuese e ligjore të jenë bashkë e t’i cohen parlamentit që të jetë çdo gjë e qartë.
Kemi një model prej 17 vitesh i konsoliduar. Ai model nuk ka prodhuar asnjë lloj krize, nuk ka asnjë rekomandim të OSBE/ODIHR për ndonjë problematikë që duhet ndryshuar. Kjo është vetëm një lojë e Ramës… Ky konfuzion për të arritur qëllimet nga frika që ka përballë koalicionit të opozitës së bashkuar, jemi të gatshëm të vazhdojmë diskutimin për të bërë amendime që do hapin listat e kandidatëve 100% pa prekur asgjë tjetër që ndryshon rregullat themelore të procesit zgjedhor”, tha Bylykbashi.
Ndërsa palët hedhin e presin njëra tjetrën, Rudina Hajdari njoftoi se ndryshimet kushtetuese do të kalojnë më 30 korrik dhe se garancia për hapjen e listave 100% ishte marrë./h.e