Partia Demokratike dhe koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë” çelin sot fushatën elektorale në stadiumin kombëtar “Air Albania”.
Me sloganin “Ndryshimi në duart e tua”, opozita nisi sot zyrtarisht rrugëtimin drejt zgjedhjeve të 14 Majit. Në stadiumin “Air Albania” zhvillohet mitingu hapës.
Përveç simpatizantëve, të pranishëm në stadium janë të 61 kandidatët për kryetarë bashkie dhe kandidatët e këshillave bashkiakë. Të pranishëm janë edhe Kryedemokrati Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Mitingu nisi me prezantimin e të gjithë kandidatëve të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka mbajtur fjalën para kandidatëve dhe mbështetësve në stadiumin ‘Air Albania’, ku çeli fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 14 majit, koalicioni “Bashkë Fitojmë”.
Meta tha se, “për shkak të eksperiencave, mendoj se është koha të vrapojmë. Edhe 29 ditë për t’i dhënë fund monizmit absolut në pushtetin vendor. Shpesh pyes veten, më në fund pas 4 vitesh do të shkallojmë atë që askush nuk e mendonte apo imagjinonte në Shqipëri, që ky vend anëtar i NATO-s, 100% pro europian të jetë vend ku në mënyrë të paligjshme një klik kontrollon në mënyrë absolute të gjithë pushtetin vendor jo vetëm me kryebashkiakët por edhe këshilltarët. Ne e dimë shumë mirë se pushtet absolut do të thotë korrupsion absolut sic është e gjithë Rilindja në pushtetin vendor. Nuk është koha për ndryshim, por për revolucion”.
“Të gjithë të vrapojmë se përballë këta kandidatë nuk kanë rivalë, por vetëm një regjim të kalbur në themelet e tij të korruptuara, kanë përballë një regjim. Këta janë kandidatët më legjitim që ka njohur historia e vendit tonë që në një ditë të acartë si ajo e 11 dhjetorit demokratët morën në këtë arenë të madhe të lirisë, pluralizmit politik e demokracisë. Përballë janë ata që s’pranojnë të dalin në studio televizive se kanë nga 2-3 mandate. Të vlerësojmë fuqinë tonë demokraci dhe kjo është vota, vetëm ajo bën ndryshimin. Të gjithë të shkojmë në votime, të votojmë për fitoren e këtyre kandidatëve të mrekullueshëm dhe gjeografia e fitores sonë do jetë e jashtëzakonshme”, tha Meta.
Thirrjen Berisha e bëri gjatë fjalës së tij në hapjen e fushatës së koalicionit “Bashkë Fitojmë” në stadiumin “Air Albania”, ku tha se kryeministri Edi Rama është armik i votës së Shqiptarëve.
Sipas Berishës, këto mund të arrihen vetëm duke ndërprerë faturat e vjedhjeve të “Rilindjes”.
“Sot ju bëj thirrje, votoni ndryshim. Qëllimi ynë më madhor do të jetë antarësimi në BE. Kjo betejë që bëjmë për Shqipërinë, është më e rëndësishmja e jetës sonë. Shqipëria vend i zhvilluar dhe aleat i besuar i SHBA-ve. Kur njeriu ka fatin e madh të bëhet gjysh, gjithë të rinjtë i sheh si nipërit e mbesat e tij. Problemi numër 1 që do të zgjidhet urgjentisht është lufta totale kundër varfërisë, sepse ajo është burimi i të gjitha të këqijave, duke nisur nga krimi e shpopullimi.
Misioni ynë do të jetë që shqiptarët të jetojnë si europian. Kjo do të thotë që pagat e shqiptarëve të jenë 3-fishi i atyre që janë sot. Të jenë më të lartat në rajon. Si do arrihet kjo? Duke zhdukur faturat e vjedhjeve të rilindjes. Duke kthyer pasuritë e shqiptarëve nga mallkim, në bekim për ta. Asnjë vend tjetër nuk duhet të ketë rroga dhe pensione më të larta në rajon se Shqipëria. Zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Këto objektiva do të jenë gjëlpëra për të qepur plagën e hapur të shpopullimit. Unë besoj se Shqipërinë e shpëtojmë duke dhënë secili nga pakë dashuri. Një vend që ka 10 vite që keqtrajtohet, shërohet vetëm me dashuri.
Dashurinë më të sinqertë nënës mund t’ja japin vetëm bijtë e bijat e saj. Unë besoj në një Shqipëri që drejtohet nga njerëz model dhe nga qytetarë të barabartë para ligjit. Unë besoj në një shqipëri që i krijon kushtet shqiptarëve që të jetojnë në vendin e tyre. Unë besoj në një qeveri të vogël e të përulur para shqiptarëve që i trajton ata me ndershmëri e jo arrogancë. Besoj se ka ardhur koha për këtë Shqipëri dhe të ndahemi nga e keqja dhe të lëmë pas Shqipërinë e krimit, drogës dhe vjedhjeve. Të sigurtë të jeni se po realizuam këto, Europa do të na hapë dyert njëlloj siç bëri NATO. Europa do vepra dhe ne demokratët e kemi provuar se kemi vepra e dimë të flasim me vepra gjuhën e saj të bukur. Në 14 maj në njërin krah qëndron e vjetra, në anën tjetër qëndron e ardhmja.
T’i japim një shans Shqipërisë, është thirrja e saj. Kam një thirrje për të gjithë emigracionin dhe diasporën dhe për 83 % të shqiptarëve që kërkojnë të largohen. Votoni ndryshimin në 14 maj. Edi Rama është një armik i votës suaj. Vërshoni nga të katër anët e dheut dhe ejani në Shqipëri të votoni ndryshimin”, u shpreh Berisha.
/Argumentum.al