Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë vendosur të rinisin protestat gati dy javë pas asaj të 13 prillit. Pas dy të enjteve ‘qetësie’, opozita joparlamentare njofton se do të bllokojë rrugët kryesore të vendit nga veriu në jug.
Lajmi konfirmohet nga selia blu, ndërsa ditën e nesërme në orën 18:00 do të nisë edhe protesta e militantëve në disa akse.
Konfirmohet se do të bllokohen rrugët Durrës-Kavajë, Plepa-Autostradë, Elbasan-Rrethrrotullimi i Bradasheshit dhe aksi në Milot. Në Fier pritet bllokimi i rrethrrotullimit të Sheqit.
Ndërkohë që në Tiranë pritet të protestohet në rrethrrotullimin “Shqiponja”.
Të martën në mbrëmje, nënkryetari i PD, Edmond Spaho, konfirmoi se kjo formë proteste do të jetë me një afat të pacaktuar.
“Ne do të vazhdojmë me protesta dhe ato do të përshkallëzohen. Do të fillojmë me bllokimin e rrugëve, akseve kombëtare në të gjithë vendin për një periudhë kohe të caktuar. Më vonë, do të rritet edhe koha e bllokimit”,- tha Spaho.
Kujtojmë se për protestën e nesërme policia nuk ka dhënë leje.