Nga Enver BYTYÇI
Para pak ditësh në Maqedoninë e Veriut u bënë zgjedhjet e raundit të parë për Presidentin e Republikës. Dy kandidatët shqiptarë, ndonëse me diferencë, humbën shansin të ishin në balotazhin e ardhshëm të fillimit të muajit maj. Ditën e këtij balotazhi për postin e presidentit do të votohet edhe për parlamentin e ri të Maqedonisë së Veriut. Në këto zgjedhje, në të cilat do të vendoset për parlamentin dhe presidentin e ri garojnë katër grupe politike. VMRO dhe socialdemokratët me elektorat maqedonas dhe Koalicioni Europian dhe VLEN për spektrin politik shqiptar.
Duket qartë se Mickovski është fituesi i këtyre zgjedhjeve. Kandidati i tij për president fitoi dyfishin e votave të zotit Pendarovski të LSDM-së. Nëse vendosim një shenjë krahasuese të votave midis koalicionit shqiptaromaqedonas të LSDM-Koalicioni Europian nga njëra anë dhe VMRO-VLEN nga ana tjetër, atëherë shohim se në zgjedhjet e javës së kaluar opozitarët morën 450 mijë vota, ndërsa partitë politike në pushtet vetëm 300 mijë vota. Një diferencë e jashtëzakonshme, prej 150 mijë votash. Kjo do të thotë se opozita do të konfirmohet pas dhjetë ditësh në pushtet, duke krijuar shumicën në parlament dhe duke marrë edhe Presidentin e Republikës.
Kreu i opozitës, Mickovski, deklaroi të dielën se ai do të bëjë koalicion me grupin politik shqiptar të VLEN të udhëhequr nga Arben Taravari. Kjo do të thotë se pas shumë vitesh, Koalicioni Europian i Ali Ahmetit do të qëndrojë në opozitë. Vetë zoti Ahmeti nuk dëshiron ta pranojë këtë sfidë. Po bën përpjekje që të jetë në pushtet edhe me VMROnë, siç ishte me socialdemokratët. Pra, që ta ketë një dorë në bakllava e tjetrën në revani. Tipike për politikanët shqiptarë. Por është çudi se si një Koalicion Europian kërkon të bëjë qeveri të përbashkët me një parti “antieruropiane”, siç e kanë quajtur dy koalicionet në pushtet partinë e Mickovskit.
Kjo do të thotë se Ali Ahmeti ose mashtroi kur e quajti Mickovcin amtieuropian e prorus, ose mashtron shqiptarët iu thotë se është proeuropian. Ose njëra, ose tjetra.
Kreu i VMRO-së shpalli koalicionin e tij parazgjedhor për të qeverisur me VLEN, opozitën e zotit Ahmeti. Me këtë koalicion, ai e ka të sigurt jo vetëm shumicën dërmuese në parlament, por edhe fitoren e kandidates së tij për presidente. Që do të thotë se ndryshimi politik në Maqedoninë e Veriut është një risi dhe shumë i thellë. Fitorja e VMROsë prish gjithashtu koalicionin ballkanik Vuçiç-Rama-Zaev (Kovaçevski). Prishja e këtij koalicioni është fitorja më e madhe e shqiptarëve nga ky rezultat. Ka shumë prej shqiptarëve që ende i besojnë demagogjisë politike, sikur Mickovski na qenka një lindor, ndërsa këta aleatët e Vuçiç na qenkan perëndimorë, madje “që duan ta marrin me vete presidentin serb”! Për një gjë jam i sigurt, Mickovski është së paku po aq perëndimor sa edhe Zoran Zaev dhe Edi Rama. Të qenit perëndimor për t’u mbrojtur nga ndëshkimi për korrupsionin dhe bashkëpunimin me madien është antiperëndimorizëm.
Megjithatë, sa i përket krijimit të koalicionit të ardhshëm qeverisës në Maqedoninë e Veriut ka nevojë që opozita e VLEN të qartësojë pozicionin e saj politik. Të informojë qytetarët, sidomos ata shqiptarë, se cili është qëndrimi i këtij koalicioni sa i përket “Open Balkan”?! A do të vazhdojë të ndjekë të njëjtën politikë bashkëpunimi me Ramën dhe Vuçiç për të forcuar pozitat dominuese të Serbisë në rajon, apo do t’i përkushtohen plotësisht dhe pa alternativë tjetër Procesit të Berlinit?! Duhet të qartësohet se cili do të jetë kushti ndaj Mickovskit sa i përket integritetit territorial të Kosovës dhe shtetësisë së saj dhe për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Sa do të jetë shtesa e investimeve në komunat me shumicë shqiptare dhe cilat do të jenë projektet konkrete? Çfarë do të përfitojnë shqiptarët më shumë në fushën e arsimit, si dhe në përfaqësimin e tyre në institucionet shtetërore? Cila do të jetë pozita e tyre në përdorimin e gjuhës shqipe etj.? Nuk mjafton vetëm negocimi për postet qeveritare e në institucionet e tjera të shtetit.
Opozita shqiptare e VLEN ka autoritetin dhe legjitimitetin e duhur të jetë partner i VMRO-së në pushtet në Maqedoninë e Veriut. Argumenti se koalicioni i zotit Ahmeti merr pak më shumë deputetë sesa VLEN, nuk është bindës. Sepse përgjegjësia e qeverisjes së kaluar është jo vetëm e mazhorancës maqedonase. Kjo përgjegjësi është edhe e përfaqësuesve të Koalicionit Europian në qeverisje. Prandaj dhe të qenit në opozitë është jo vetëm çështje politike, por edhe morale. Dalja në opozitë krijon mundësi e shanse për reformim. Partitë politike nuk mund ta arrijnë reformimin e tyre duke qenë në pushtet. Sepse e pengon arroganca e pushtetit!
*Marrë nga faqja facebook e autorit
/Argumentum.al