Nga Marjana DODA
Dekada e dytë e shekullit XXI hyri dhunshëm në jetët tona.
Që nga viti 2020 e më tej secili prej nesh është dëshmitarë i disa ngjarjeve shënjuese për historinë e njerëzimit. Në fillim ishte Pandemia Covid-19, e cila u krahasua me gripin spanjoll të një shekulli më parë dhe që mori shumë jetë njerëzish në mbarë botën.
Askush nuk ishte imunë përballë këtij virusi të padukshëm që kushtëzoi jetët tona.
Për shkak të shtrirjes globale dhe numrit të madh të njerëzve që humbën jetën mendova se kjo ishte “Lufta e Tretë Botërore ” pasi në të vërtetë, ishte një luftë!
Por ndërsa dalëngadalë po fillonim të merrnim frymë nga këto dy vite sfilitëse, një luftë e nxehtë trokiti në dyert e Europës. Një luftë e cila po përshkallëzohet çdo ditë e më shumë duke u kthyer në një kërcënim për secilin prej nesh.
Në fakt ndërsa në librat historike kemi lexuar e mësuar aq shumë për Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, nuk e kisha menduar kurrë se një ditë do të shkruaja për rrezikun real që i kanoset sot njerëzimit…për Luftën e Tretë Botërore.
Por, historia përsëritet!
Jemi përballë faktit. Rusia ndërhyri ushtarakisht në Ukrainë, më 24 shkurt të këtij viti. Një akt që dhunon çdo ligj ndërkombëtar, dhe që sot ka vënë në alarm botën mbarë.
Ndonëse Presidenti rus, Vladimir Putin përpara çdo veprimi në lidhje me Ukrainën na ka paralajmëruar nëpërmjet fjalimeve të tij, liderët botëror duket se i kanë injoruar ato.
Kujtojmë se pak ditë para 24 shkurtit, ai njohu zyrtarisht “pavarësinë” e dy qarqeve ukrainase, Donetsk dhe Luhansk, të cilat Rusia i kishte pushtuar pjesërisht që nga viti 2014 dhe tha se do bënte gjithçka për të mbrojtur popullsinë ruse në këto rajone.
Më pas, në orët e para të mëngjesit se 24 shkurtit 2022, u zgjuam nga lajmet se Rusia sulmoi Ukrainën me justifikimin se do të “denazifikonte” këtë vend.
Më 30 shtator ai firmosi dekretin, duke njohur dy rajone të tjera ukrainase, Kherson dhe Zaporizhzhia, si “të pavarura”, dhe më pas i shoqëroi me një fjalim të madh para kombit rus por që i drejtohej njëkohësisht mbarë botës. Një fjalim paralajmërues për hapat e mëtejshëm që mund të ndërmarrë Rusia.
Pasi deklaroi rezultatet e referendumeve në Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhyia, Kremlini organizoi një tubim për aneksimim e 15% të territoreve të Ukrainës.
Duke patur parasysh fjalimin e Putinit para mbështetësve duket se ishte edhe si një tubim ndaj pjesës tjetër të popullit rus që janë kundër luftës.
“Rusia jo vetëm që hap dyert e shtëpisë së saj të lindjes për vëllezërit dhe motrat – ajo hap zemrën e saj për ta. Mirë se vini në shtëpi!” – tha lideri rus.
Putin theksoi se tani Republikave të rajoneve Donbass, Kherson dhe Zaporozhye u është dhënë e drejta për të zgjedhur dhe vendosur.
Dhe njerëzit zgjodhën atdheun e tyre historik, ata bënë zgjedhjen të ishin me Rusinë .
Rusia nuk do të lejojë më kurrë diktimin perëndimor. Rruga është zgjedhur. Po kthehemi te rrënjët, duke zgjedhur rrugën e Perandorisë, ku të gjithë do të kenë mbrojtje.
Sigurisht fjalim i mbushur me retorikë intensive mbi historinë perandorake duket se është mjeti i vetëm për të justifikuar veprimet e tij dhe për të siguruar mbështetjen e popullit rus.
Por ky fjalim i presidentit rus në Kremlin nuk është vetëm për Donbasin dhe Ukrainën.
Kjo do të thotë se lufta sapo ka filluar…dhe nuk është ajo çfarë ne kemi parë deri më tani përgjatë këtyre shtatë muajve.
Ndaj duhen bërë çdo përpjekje duke lënë pas çdo retorikë lufte, kërkesë për armatime, duke i zëvendësuar vetëm me thirrje për Paqe përpara se të jetë shumë vonë.
Me aneksimin e 4 rajoneve e cila vjen shtatë muaj pas pushtimit të Moskës ndaj Ukrainës, duhet të përmbyllet i ashtuquajturi “Operacioni Special” i Rusisë në Ukrainë edhe si një “trofe ” i kësaj lufte.
Kjo është një mundësi që Rusia të tërhiqet me justifikimin se e ka përmbushur me sukses ndërhyrjen ushtarake.
Vijimi i mëtutjeshëm i retorikes së luftës jo vetëm nëpërmjet deklaratave të liderëve nga Rusia, SHBA e Ukrainë por dhe nëpërmjet akteve ushtarake që vijojnë intensivisht ndaj Ukrainës, do të thotë se po shkojmë drejt një Lufte të Madhe.
Dekreti për mobilizimin e pjesshëm në Rusi është një këmbane alarmi për Putin por edhe për çdo lider në çdo shtet të botës pasi askush nuk e do luftën dhe sot në shek XXI nuk ka asnjë arsye që të luftojmë kundër njëri-tjetrit.
Megjithatë është një shenjë e mirë që lideri rus bëri me pranimin e gabimit në thirrjen për mobilizimin e popullsisë.
Kjo do të thotë shumë për një lider si Putin…pranimi i një gabimi, ndaj një hap mbrapa do të mbetet sërish vlerë e tij.
Ndonëse historia dhe koha do ti japë vlerësimin e merituar çdo kujt dhe vetë Vladimir Putin konkretisht.
Njëkohësisht një tjetër shenjë nga Vladimir Putin është fakti se ai flet për negociata me Ukrainën.
“Rusia është gati të rifillojë negociatat me Ukrainën, por nuk do të diskutojë zgjedhjen e banorëve të rajoneve Donbass, Zaporozhye dhe Kherson: ata janë bërë rusë një herë e përgjithmonë, theksoi Putin.
Por kjo thirrje nuk gjeti përkrahje nga pala tjetër pasi nga Kievi e hodhën poshtë këtë kusht duke thënë se do te negocionin për paqe por jo me Putinin si Presidenti rus.
Po ashtu, po në të njëjtën ditë, menjëherë pas aneksimit nga Rusia të katër rajoneve ukrainase, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy njoftoi aplikimin për anëtarësim në NATO me procedurë të përshpejtuar,
Përgjigjia e Liderit ukrainas duke firmosur aplikimin për antarësim të përshpejtuar në NATO nuk bën gjë tjetër, veçse rrezikon një luftë Rusi-Nato pra Luftën e Tretë Botërore.
Mos te harrojmë se pikërisht perspektiva e anëtarësimit në NATO ishtë një nga arsyet që Putini pushtoi Ukrainën.
NATO, BE kanë patur 8 vite kohë për antarësimin e Ukrainës në mënyrë të përshpejtuar duke i garantuar asaj siguri por jo tani që jemi para një fakti të kryer.
Jo tani ku lideri rus dhe ai amerikan i drejtojnë gishtin kërcënues njëri-tjetrit se do të mbrojnë me çdo kusht çdo centimentër të tokës ruse dhe çdo centimentër të tokës së aleatëve të Nato-s. E me çdo kusht do të thotë edhe me përdormin e armëve që shfarosin në masë .
Në shekullin XXI kam menduar se rreziku më i madh ndaj njerëzimit është ngrohja globale, ndryshimet klimaterike, apo të tjera rreziqe si pandemia apo fenomene të tjera natyrore qofshin tërmete, tsuname etj.
Të gjitha këto do duhet të ishin sot pjesë kryesore e agjendës se liderëve botëror dhe institucioneve ndërkombëtare.
Për të bërë gjithçka kundër rrezikut real para të cilit ndodhet sot mbarë njerëzimi.
Por kërcënimi me lufte, me armë bërthamore apo me çdo armë tjetër, tregon se në krye të disa shteteve ekzistojnë armiqtë e Njerëzimit.
Kësisoj, thirrja për armatime në vend të thirrjes për paqe është shqetësuese, dëshpëruese dhe tejet zhgënjyese.
Nuk mund ta besoj që sot nuk ekzistojnë lider që të ulen në tryeze për të negociuar. Historia botërore ka treguar se në momente vendimtare kanë marrë vendime të guximshme pasi arsyeja e Jetës prevalon mbi gjithçka.
Por përgjate gjithë këtyre muajve kërkesat e vetme janë për armë…armatime, duke shpalosur para mediave shifra të armiqve të të rënëve (deri dje ishin vëllezër) me idenë se vetëm kështu mund ta mposhtin Rusinë.
Vertetë z. Zelenskyy, e besoni këtë që thoni?
Mund ta mposhtë Ukraina, Rusinë?
Sigurisht, Ukraina ka motiv për të luftuar sepse është cënuar ushtarakisht…ka armatime për të luftuar sepse vendet aleatë të Nato-s dhe jo vetem por çdo vend tjetër në botë ka dërguar armatime, dhe ndihma të tjera humanitare, por deri kur?
Deri sa Rusia të përplaset drejtpërdrejtë me NATO-n?
Pastaj… asnjë analizë, asnjë mendim asnjë fjalë nuk ka më vlerë. Sepse ndoshta shumë prej nesh nuk do ekzistojnë.
Do ti rikthehem shifrave, qofshin këto nga Ukraina apo Rusia që tregojnë me mburrje numrin e të rënëve të armikut.
Jo vetëm jo njerëzore por jo realiste.
Nga njera anë flitet për nje Rusi të dobët ushtarakisht, pavarësisht se për dekada me radhe Perëndimi e ka quajtur si kërcënim për të.
Ndërsa nga ana tjetër kemi një Ukrainë të fortë që po e zmbraps Rusinë(!)
Thjeshtë Propagandë!
Nuk flitet aspak për mijëra refugjatë ukrainas që janë rrugëve të Europës. Nuk flasim për gjendjen e tyre, kushtet e tyre, ndonëse janë ndër refugjatët më të “privilegjuar” në këto 30 vite por sërish ata po përballen me betejat për mbijetesë.
Nuk flasin për ata qindra fëmijë të zhdukur, vajza e gra të dhunuara. Nuk flitet për trafikimin e vajzave ukrainase ….raste të cilat janë me qindra e mijëra dhe që ndodhin në çdo moment.
Nuk flitet për mijëra të rinj rus që i thonë jo luftës qofshin duke dezertuar nga kazermat ushtarake, qofshin ata që javët e fundit po arratisen nga vendi i tyre pas thirrjes për mobilizim të pjesshëm të popullsisë.
Kush po i mbron këta njerëz?
Dhe flasim për fitore…?
E në fakt kjo luftë në dyert e Europës në shekullin XXI tregon humbjen më të madhe që Rusia, Ukraina po përballen, e bashkë me ta rrezikojmë të humbasim të gjithë ne.
Askush nuk e do luftën…askush nuk i gëzohet fitores së saj qofshin dhe me disa numra më shumë ose më pak të atyre që humbin jetën pikërisht në luftë.
Nëse 7 muaj më parë ishim përpara të disa situatave të panjohura, të pallogaritshme, gati-gati përballë një situatë surreale, sot gjithçka është e qartë. Jemi në Luftë! Jemi në një luftë që po përshkallëzohet me shpejtësi, andaj duhet të përgjigjemi tani para se të jetë vonë.
Negociata…negociata me çdo kusht, negociata me çdo çmim, pasi në emër të Paqes, në emër të Jetës në emër të ekzistencës së Njerëzimit ia vlen çdo sakrificë!
© 2022 Argumentum