Bashkimi Demokratik për Integrim shënon 18 vjetorin e themelimit dhe lideri i saj Ali Ahmeti ka berë një deklarate që ka zgjuar reagime jo vetem nga pala maqedonase por më së shumti nga vete partitë poltike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
“Bashkë i përcaktuam dhe i realizuam synimet tona dhe në këtë përvjetor kaq të rëndësishëm për të gjithë ne, le ta përcaktojmë bashkërisht edhe qëllimin tonë të radhës që në zgjedhjet që pasojnë. Të realizojmë synimin për të zgjedhur një personalitet të vlerësuar, të dëshmuar dhe të pranueshëm të cilin ose të cilën do ta përzgjedhim bashkërisht për kryeministrin e parë shqiptar” shprehet Ahmeti.
Sipas tij, sot jemi anëtarë fuqiplotë të aleancës më të madhe politiko-ushtarake në botë NATO-s dhe vend që negocion me Bashkimin Evropian për anëtarësim të plotë në familjen e madhe të kontinentit tonë.
“Sot jemi me barazi të plotë gjuhësore dhe me zbatim të plotë të pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit, me tre universitete në gjuhën shqipe, me shkolla, spitale, çerdhe, rrugë, institucione.. Akoma nuk është përmbyllur e gjitha dhe prandaj, tash ka ardhur koha për diçka të madhe.” thotë Ahmeti.
Ai ka një porosi dhe për opozitën shqiptare.
“Nuk rri dot pa e thënë, edhe në këtë përvjetor, që alternativa në skenën politike shqiptare është përçarja e votës dhe plogështimi i vullnetit politik shqiptarë në parti të shumta që rrjedhin nga ndarjet dhe shkëputjet, e jo nga vullneti qytetarë dhe me synim për të bërë mirë. Çdo herë e përsëris që nuk na nevojitet defaktorizimi i shqiptarëve nëpërmjet të copëtimit të votës shqiptare në aq shumë parti dhe me përfaqësim me nahi e jo tërësi. Hidhjani një sy vetëm takimeve të ashtuquajtura të liderëve dhe mos e harroni atë ndjesi që ua krijon ajo fotografi.” deklaroi Ahmeti.
Pas kësaj deklarate, kreu i LSDM-së i cili është dhe partneri aktual i Ahmetit, Zoran Zaev thotë se nëse BDI e ka këtë si kusht për formimin e qeverisë së ardhshme, atëherë BDI nuk do të jetë fare pjesë e kabinetit, nëse Zaev është mandatar.
“Nëse LSDM fiton në zgjedhje, unë jam kandidati për Kryetar të Qeverisë dhe do të jem kryeministër që në mënyrë të barabartë do të luftoj për jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, gjë që e kam dëshmuar në të gjitha politikat e mia gjatë viteve. Në përputhje me këtë, nëse BDI ka kusht të këtillë për koalicion për Qeverinë, atëherë BDI nuk do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme”, tha Zoran Zaev, kryetar LSDM.
Pas përgjigjes së kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev ndaj partnerit qeverisës Ali Ahmeti lidhur me “kryeministrin shqiptar”, me nje prononcim doli gjithashtu, kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, I cili shprehet se në të ardhmen nuk do të thotë se nuk do të ketë kryeministër shqiptar, por se ai siç pohon, nuk do të jetë asnjëherë nga radhët e BDI-së.
Ai thotë se ideja e Ahmetit për kryeministër shqiptar në këto rrethana, është ide populiste dhe vetëm për përfitime politike. Kasami konsideron se kjo kërkesë e Ahmetit më tepër ngjanë si arsyetim se BDI do të shkojë në opozitë dhe që para votuesve të arsyetohet se “nuk na dhanë kryeministrin dhe ne duhet të dalim në opozitë”.
Kasami shprehet se në të ardhmen nuk do të thotë se nuk do të ketë kryeministër shqiptar, por se ai siç pohon, nuk do të jetë asnjëherë nga radhët e BDI-së.
Reagim më i fortë ka ardhur nga Kryetari i Aaeancës për Shqiptaret , Ziadin Sela .
“Sot Bashkimi Demokratik për Integrim shënon 18 vjetorin e dështimeve, premtimeve të parealizuara, skandaleve korruptive, gënjeshtrave dhe manipulimeve! 18 vite qeverisje, 18 vite shans për ta dëshmuar veten, por gjithçka u dëshmua ishin interesat personale dhe partiake për të cilat qytetarët e kanë kuptuar vet, dhe nuk qëndrojnë të heshtur më.
BDI nuk ka legjitimitet të flet as për nevojat e qytetarëve, e lëre më të flet për përfaqësim legjitim të vullnetit të popullit. Këtë legjitimitet ju e keni humbur me veprimet tuaja, sepse sot shqiptarët nuk kanë përfaqësim adekuat, nuk kanë trajtim të barabartë, nuk kanë ardhmëri e as cilësi për jetë sepse barku juaj i pangopur ende vazhdon të ngopet në kurriz të popullit!
Sikur Bashkimi Demokratik për Integrim të kishte përmbushur obligimin e tyre ndaj qytetarëve për gjithë premtimet e dhëna dhe sikur të ishte i sinqertë në idenë për qeverisje shqiptare dhe jo konsensuale, do ta kishe përkrahur kandidatin për president shqiptar në zgjedhjet presidenciale!
Por, ju vendosët për president konsensual sepse kjo përkrahje ishte vetëm një lojë politike e BDI-së në shkëmbim të interesave partiake me qëllim që të fitojë disa komuna më shumë në zgjedhjet lokale të cilat e dinte se i kishte të humbura.
Kur Ali Ahmeti pati shansin për të dëshmuar se vërtetë mbështet udhëheqjen shqiptare iku si frikacak nga 27 prilli pasi që ishte në dijeni për sulmet e mundshme të kuvendit, dhe ishte pikërisht Ziadin Sela ai qe ndali fjalët e tija që sillen si një kasetë e prishur! Ishte vota e Ziadin Selës e jo e Ali Ahmetit, ajo që bëri ndryshimin.
Qytetarët nuk harrojnë dhe dinë të bëjnë dallimin, sepse edhe pas 18 viteve ende merremi me probleme të njëjta. Sot ballafaqohemi me ikje masive të të rinjve të cilët janë bindur se me ju ardhmërinë e kanë të vjedhur, sot shqiptarët dënohen vetëm pse janë shqiptar, sot shqiptarëve vendin e punës ua zënë të tjerët!
Sot pas 18 viteve, 18 viteve, Ali Ahmeti është një udhëheqës i braktisur nga shumë pjesëtar të sinqertë dhe kredibil të ish UÇK-së!
Sot shqiptarët të etur për ndryshim nuk manipulohen më, sepse e dinë se me ju çka thuhet asnjëherë nuk bëhet!”, shkruan Ziadin Sela, Aleanca për Shqiptarët./argumentum.al
© Argumentum