Human Rights Watch, organizata joqeveritare amerikane me aktivitet ndërkombëtar në mbrojtje të të drejtave të njeriut publikoi të enjten (17.01) raportin botëror, për 90 vende. Kosova ka bërë progres të ngadaltë.
Raporti i Organizatës për të Drejtat e Njeriut, HRW, publikohet nga viti 1989, por këtë vit fokusi është vënë tek “autokratët dhe populistët me tendenca autoritare dhe rritjen e rezistencës kundër këtyre politikanëve”, tha për Deutsche Wellen, Wenzel Michalski, drejtor i HRW për Gjermaninë.
Vitin që shkoi autokratët dhe shkelësit e të drejtave dolën në sipërfaqe, por atyre iu bë rezistencë nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut, aty ku nuk e kanë pritur. Keneth Roth, drejtori i organizatës HRW, megjithatë është pesimist. “Rezistenca ndaj autokracisë nuk është gjithnjë e sukseshme në afat të shkurtër, që do të thotë se kemi të bëjmë në njëfarë mënyre me kohë të errëta për të drejtat e njeriut”.
Cilat janë vlerësimet e raportit për Kosovën?
Progresi në përmirësimin e të drejtave të njeriut në Kosovë ka qenë i ngadaltë, thotë raporti i HRW. Plani për zhvendosjen e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës rriti shqetësimet për pasojat që mund ketë tek të drejtat e njeriut të popullsisë që mendohet të transferohet.
Për krimet e luftës: Veprimtaria e Gjykatës Speciale për të gjykuar krimet e luftës gjatë viteve 1998 dhe 1999 u shty për shkak të ndryshimit të prokurorit special. Gjykata do të operojë sipas ligjeve të Kosovës dhe me 19 gjykatës ndërkombëtarë dhe do të merret me rastet e disa anëtarëve të UÇK që dyshohet që kanë rrëmbyer, rrahur, vrarë dhe hequr organe në Kosovë dhe Shqipëri gjatë luftës së Kosovës. Në gusht prokurori special akuzoi një ish-polic serb për vrasjen e dy civilëve shqiptarë më 1998. Në korrik Gjykata Apelit në Kosovë mbështeti dënimin e Darko Tusicit, ish rezervist për krimet e bëra në Krushë të Madhe.
Raporti numëron reduktimin e EULEX-it dhe transferimin e 900 rasteve të pazgjidhura tek zyra e Prokurorit special lokal. Organizmi i pavarur Human Rights Review Panel, trajtoi gjashtë ankesa për shkelje të të drejtave të njeriut nga EULEX, dhe i quajti të papranueshme. Asnjë përparim nuk ka pasur për përmbushjen e rekomandimeve të bëra më 2016 nga Human Rughts Advisory Panel, për kompensime ndaj viktimave të helmuara në kampet e UNMIK-ut.
Trajtimi i minoriteteve rome, ashkalije dhe egjiptiane vazhdon të përballet me probleme për sigurimin e dokumentave personale, aksesin në kujdesin shëndetësor, asistencën sociale dhe edukimin. Nuk ekziston asnjë progres i dukshëm në integrimin e këtyre komuniteteve, thotë raporti i HRW.
Të drejtat e grave: Dhuna në familje ka mbetur e përhapur në Kosovë ku policia vepron pak kundër saj, ku ka pak dënime dhe gjykatësit hezitojnë të dënojnë bashkëshortët abuzivë. Në janar tetë nga nëntë strehimoret për viktimat e dhunës u mbyllën për shkak të vonesave buxhetore, por u rihapën sërish me buxhetet e emergjencës. Por strehimoret vazhdojnë ende të kenë probleme financimi. Në shkurt autoritetet hapën zyrtarisht procesin e aplikimit për dhënien e statusit legal të mbijeturave nga dhuna seksuale gjatë luftës.
Orientimi seksual dhe identiteti gjinor: Gjuha e urrejtjes kundër anëtarëve të komunitetit LGBT dhe aktivistëve ka vazhduar onlline, sidomos në kohën e organizimit të Pride Kosova në tetor. Në maj autoritetet refuzuan kërkesën e një burri transgjinor të ndërronte emrin dhe gjininë. Kërkesa për njohjen e gjinisë ishte rasti i parë i këtij lloji në Kosovë. Pride Kosova u zhvillua pa incidente në tetor.
Liria e shtypit: Gazetarët hasin kërcënime dhe frikësime, dhe dënimi i krimeve kundër gazetarëve ka qenë i ulët. Nga janari në shtator ka pasur 13 raste dhune kundër gazetarëve, përfshirë dhunën fizike, një rast të shkatërrimit të pasurisë, një kërcënim me vdekje dhe dhjetë kërcënime të tjera.
Në raportin e HRW përmendet edhe Serbia – pak përmirësime
Për Serbinë raporti thotë se ka pasur pak përmirësim në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vitin 2018. Dënimi i krimeve të luftës në gjykatat vendase ka pasur pak progres, sepse ka pasur pak mbështetje politike. Sistemi i azilit ka mbetur i mangët. Situata për gazetarët është e pasigurt për shkak të sulmeve, kërcënimeve dhe dënimeve për raportime të çështjeve delikate.
Azilkërkuesit dhe migrantët: Në shtatë muajt e parë të vitit 2018 në Serbi kanë kërkuar azil 4715 vetë, me grupin më të madh të pakistanezëve, ndjekur prej afganëve dhe iranianëve. Mbi 2 mijë vetë kanë qenë emigrantë. Të gjithë ata janë vendosur në 18 qendra të ngritura nga Serbia. Serbia ka adoptuar ligjin për azilin dhe mbrojtjen e përkohshme me synimin për ta përshtatur me ligjet ndërkombëtare. Shumë pak vetë kanë marrë azilin në Serbi. Sistemi ka shumë mangësi për ofrimin e kushteve të përshatshme për fëmijët dhe minorenët e pashoqëruar.
Ka pasur pak përmirësim, thotë raporti i HRW, për gjetjen e zgjidhjeve afatgjata për refugjatët dhe njerëzit e zhvendosur nga luftërat në Ballkan, që jetojnë në Serbi. Serbia ka 26,702 refugjatë kryesisht nga Kroacia, dhe 199,584 persona të zhvendosur kryesisht nga Kosova.
Për lirinë e shtypit, raporti thotë se janë regjistruar 50 incidente dhune, kërcënime dhe frikësime të gazetarëve, përfshirë 4 raste dhune fizike dhe 18 raste futje frike nga organet shtetërore. Komisioni për investigimin e vrasjes së tre gazetarëve Dada Vujasinovic më 1994, Sllavko Curuvija më 1999 dhe Milan Pantic më 2001 nuk ka pasur sukses. Rastet kanë mbetur të pazgjidhura. Mandati i komisionit është zgjeruar duke përfshirë vrasjen e gazetarëve në Kosovë nga 1998 deri 2001 dhe Bosnjë e Hercegovinë nga 1991 deri 1995.
Dënimi i krimeve të luftës vazhdon të mbetet i frenuar për shkak të mungesës së vullnetit politik, burimeve adekuate dhe mekanizmave të dobët për mbrojtjen e dëshmitarëve. Pesë zyrtarë të rrngut të lartë të përfshirë në krime serioze lufte kanë pasur proces nga gjykatat serbe. 11 krime lufte kanë qenë në proces hetimor deri në gusht 2018 dhe 19 të tjera janë në proces në gjykatat serbe. Zyra serbe e prokurorit për krime lufte ka pasur dy aktakuza të reja. Në tetë muajt e parë të 2019 instanca e parë e gjykatës nuk ka dhënë asnjë dënim për krime lufte. Gjykata e Apelit ka liruar gjashtë persona dhe ka kthyer një rast në instancën e parë. Që nga hapja e zyrës së prokurorit për krime lufte më 2003, janë dhënë gjithsej 44 vendime të formës së presë, janë dënuar 74 persona dhe janë liruar 50 të tjerë./dw