“Një bazë që përfaqëson mundësi të mëdha inovacioni, mundësi të mëdha përmirësimi të kontrollit të një hapësire sa më të madhe. Është një bazë që do ketë mundësinë të presë avionët luftarakë që kontrollojnë hapësirën”.
Kështu e ka vlerësuar sot komandanti i Komandës Ajrore të NATO-s, Gjenerali Tod Volters, bazën ajrore të Kuçovës, në kuadrin e nisjes së punëve të së cilës ai ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Shqipëri.
“Eshtë e vështirë të imagjinohet sesi ishte gati 10 vjet më parë kur në pranverën e 2009-ës celebruam hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe sot celebrojmë nisjen e investimeve në bazën ajrore në Kuçovë. Në këtë bazë është bërë deri më tani një punë shumë e mirë, do të vazhdojë investimi, do të ketë edhe një ekip ajror që do t’i shtohet. Qëllimi ynë është vetëm të ecim përpara!”.
Ai nuk ka harruar të përmendë edhe angazhimin e Shqipërisë në misionet e NATO-s.
“Forcat e Armatosura të Shqipërisë mbulojnë një sipërfaqe që shtrihet nga Tirana në jug lindje në Afganistan dhe Mali deri në verilindje në Letoni dhe më pas duke u kthyer në Kosovë dhe më pas rikthehen sërish këtu në kryeqytet në Tiranë. Paqja që ju shpërndani në këtë sipërfaqe të madhe territoriale është absolutisht e mrekullueshme për Aleancën dhe kontribuon për paqen dhe prosperitetin në rajon”, theksoi ai.
Gjithashtu, gjatë një takimi me të, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, e ka vlerësuar bazën ajrore të Kuçovës si një investim strategjik për Shqipërinë, por edhe për rajonin.
Kreu i shtetit shqiptar shprehu kënaqësinë e veçantë për përzgjedhjen e Kuçovës si vendndodhje e bazës moderne ajrore të NATO-s, shenjë e besimit dhe vlerësimit që Aleanca ka për Shqipërinë dhe kontributin e saj në sigurinë e rajonit. Gjithashtu, Meta tha se Shqipëria është e interesuar që NATO të forcohet më tej si në aspektin politik ashtu edhe atë ushtarak dhe siguroi për gadishmërinë për të plotësuar jo vetëm të gjitha detyrimet por edhe për të marrë përgjegjësi të reja.