Komisioni i Posaçëm Hetimor për Trajtimin e të dhënave të Sistemit TIMS nisi këtë të martë me dëshminë e drejtores së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Në fjalën e saj, Hyseni u shpreh se si drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror e njeh rëndësinë e raportimit para komisioneve Kuvendore dhe në këtë kuadër ka qenë gjithnjë e pranishme kur i është kërkuar.
“Sot, duke marrë shkas nga objekti i raportimit të sotëm kërkoj që seanca të jetë e mbyllur dhe pjesë e seancës të jenë vetëm deputetët e pajisur me certifikatë sigurie. Do raportohen informacione dhe problematika që lidhen me sigurinë kombëtare dhe është caktuar në ligj se raportime të tilla të realizohen me dyer të mbyllura, duke mbrojtur burimin dhe informacionin sensitive që paraqet ajo çka do diskutohet këtu”, tha Hyseni.
Kreu i Komisionit të Posaçëm Hetimor për Trajtimin e të Dhënave TIMS, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji u shpreh se nuk ka asnjë element që përbën sekret hetimor. “Puna e Komisionit për Sigurinë Kombëtare duhet të ishte e tillë që të parandalonte ngjarje të tilla”, u shpreh Salianji.
Salianji propozoi mbledhje të hapur pasi siç u shpreh ai “kemi të bëjmë me aspekte procedurale dhe pyetje apo kërkesa që janë zbuluar në publik”.
“Për çdo rast kur informacioni të jetë i klasifikuar, të vijojmë me dyer të mbyllura. Deri më sot jemi njohur me të dhëna që as nuk mund të imagjinoheshin”, tha Salianji.
Deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefaliaj kërkoi hedhjen për votim të kërkesës së Hysenit për raportim me dyer të mbyllura.
Deputeti i PD, Lefter Gështenja u shpreh pro mbledhjes me dyer të hapura.
“Nëse ka gjëra që janë për sekret hetimor, çdo zyrtar ka të drejtën të ruajë mundësinë për t’u përgjigjur në fund të seancës. Pyetja ime nuk ka të dhëna konfidenciale, por a keni dijeni ju si drejtuese e këtij institucioni, se cili është propozuesi kryesor i drejtuesve të emëruar qoftë dhe në këtë proces, drejtorëve kryesorë në këtë vend? A është zbatuar ligji? A keni informacion të tillë? Kush kanë qenë mbështetësit dhe emëruesit e këtyre individëve që kanë patur këtë akses në sistemin TIMS?”, vijoi Gështenja.
Nënkryetari i Komisionit Hetimor, Deputeti i Partisë Socialiste Toni Gogu, tha se kërkesa procedurale duhet votuar. “Për të mos provokuar dhe për ta kaluar mbledhjen në situata të tjera, kalojmë në votim për procedurën e kërkuar nga Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit”, tha Gogu.
Kreu i Komisionit Hetimor Salianji hodhi në votim kërkesën e Hysenit që u miratua me votat e mazhorancës. Pas votimit, komisioni hetimor vijoi me dyert të mbyllura.
Në rend të ditës sot është dhe marrja e dëshmive të Florian Sulejmanit, drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Ardi Veliut, ish-drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.