Komisioni për Ekonominë dhe Financën miratoi sot fondin prej 150 milionë lekë për subjektet zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhjet e vitit 2025.
Mimoza Dhëmbi, drejtoreshë e buxhetit në Ministrinë e Financave, tha se “në zbatim të ligjit partitë politike që kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe kanë marrë jo më pak se 1% të votave në shkallë vendi, në zgjedhjet pararendëse të të njëjtit lloj përfitojnë fonde nga buxheti i shtetit në bazë të numrit të votave që secila parti ka marrë në ato zgjedhje”.
Sipas saj, fondi për këtë qëllim përcaktohet me vendim të Kuvendit.
Dhëmbi tha se “në zgjedhjet pararendëse që janë ato të 2021 me vendim të Kuvendit janë akorduar për fushatën e partive politike, 130 milionë lekë”.
Duke marrë fjalën kryetari i Komisionit Eduart Shalsi, kërkoi të shtohet fondi për partitë politike në zgjedhjet e 11 majit, kjo siç theksoi ai, “sepse këtë vit ka një specifikë që nuk ka qenë në zgjedhjet e kaluara, për shkak të angazhimit që partitë politike kanë në diasporë”.
“Kërkojmë që fondi të rritet nga 130 milionë lekë në 150 milionë lekë”, tha Shalsi, propozim që u miratua nga deputetët e Komisionit për Ekonominë dhe Financën.Zgjedhjet e 11 majit, Komisioni i Ekonomisë miraton fondin 150 milionë lekë për partitë