Në drejtimin e kryetares Klotilda Bushka, komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e tij të radhës shqyrtoi dhe miratoi nen për nen, projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr.45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për dokumentat e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar” si dhe projektligjin “Për informacionin e klasifikuar”.
Të dy projektligjet u relatuan nga deputetja Ermonela Felaj Valikaj, ndërsa të ftuar në mbledhjen e sotme të komisionit ishin anëtarët e AIDSSH: Altin Hoxha, Skënder Vrioni, Alber Nikolla dhe Gjergj Marku, ndërsa për projektligjin e dytë përfaqësues nga DSIK.
Gjatë shqyrtimit të projektligjit të parë, një pjesë e neneve të të cilit ishin miratuar në mbledhjen e mëparshme të komisionit, Felaj paraqiti disa amendime duke sqaruar se në to ishin marrë parasysh edhe propozimet e paraqitura nga Enkelejd Alibeaj, në emër të grupit parlamentar të PD-së.
Gjatë diskutimeve, Alibeaj kërkoi që çdo qytetar të ketë të drejtë të informohet në lidhje me dosjet e ish-Sigurimit dhe se hapja e dosjeve duhet bërë e plotë dhe jo vetëm për zyrtarët. Propozimi nuk u miratua nga relatorja Felaj, e cila në arsyetimin e saj u shpreh se propozimi bie ndesh me ligjin dhe Kushtetutën, ndërkohë sqaroi se viktimat, të prekurit, palët e treta apo të favorizuarit kanë të drejtë t’i drejtohen Autoritetit për njohjen me dosjen, ndërsa hapja e dosjeve do të bëhet vetëm për zyrtarët.
Pas debateve përfaqësuesit e opozitës u larguan. Pas diskutimeve, komisioni miratoi me 14 vota pro, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare të radhës.
Në mbledhjen e sotme, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, vijoi shqyrtimi i projektligjit “Për informacionin e klasifikuar”, për të cilin ishin lënë pa u shqyrtuar 2 nene të tij, përkatësisht 10 dhe 22, për të reflektuar amendamentin e propozuar nga Enkelejd Alibeaj, në emër të grupit parlamentar të PD-së. Pas diskutimeve, komisioni miratoi dy nenet, si dhe projektligjin në tërësi