Në drejtimin e kryetares Mimi Kodheli u mblodh ditën e sotme Komisioni për Politikën e Jashtme. Komisioni shqyrtoi Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi, për sigurimet shoqërore”.
Të ftuar për të prezantuar këtë projektligj ishin Fatiela Mehmeti, drejtor i drejtorisë së përfitimeve, ISSH dhe Albin Gega, drejtor i Drejtoria e Politikave të Punësimit dhe Aftësimit Profesional.
Gjatë fjalës së tij në komision, Gega u shpreh se projektligji synon në ofrimin e përfitimeve në sigurimet shoqërore dhe shëndetësore që bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të personave të punësuar, të vetëpunësuar dhe punëdhënësit.
“Rregullat koordinuese garantojnë që personat që lëvizin nga një vend në tjetrin dhe personat në varësi të tyre të ruajnë të drejtat e fituara apo që janë duke i fituar. Ndërsa bashkimi i periudhave të siguruara merret në konsideratë për të siguruar të drejtën e përfitimit dhe llogaritjes së tyre”, u shpreh Gega.
Relatorja e çështjes, Klodiana Spahiu, nënvizoi se ky projektligj është i një rëndësie të veçantë. “Rëndësi ka trajtimi i barabartë. Marrëveshja ka vlerën e vet jo vetëm për shqiptarët në Malin e Zi, por edhe për ata shqiptarë që bëjnë punë sezonale. Jemi gjithmonë shumë të hapur për intensifikimin e realizimit të marrëveshjeve të tilla, sepse aty ku jetojnë shqiptarët interesi ynë është i madh”, deklaroi Spahiu.
Deputeti Tritan Shehu, deklaroi se marrëveshja është mjaft pozitive dhe në rrugën e krijimit të mundësive të njohjes së punës së qytetarëve shqiptarë që punojnë jashtë vendit. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.
Mbledhja e komisionit vijoi me shqyrtimin e Projektligjit “Për miratimin e rezolutës nr. 463 (2022), të Bordit Drejtues të CEB, “Rritja e kapitalit të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB)”.
Të ftuar për të prezantuar këtë projektligj ishin Aurela Velo, drejtor i përgjithshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit dhe Kesjana Halili, drejtor i përgjithshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Borxhit Publik dhe Bashkërendimit të Ndihmës së Huaj.
Velo, gjatë prezantimit të projektligjit nënvizoi se kjo nismë synon përmbushjen e detyrimeve të vendit tonë kundrejt institucioneve financiare ndërkombëtare ku jemi të anëtarësuar, konkretisht Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës.
“Shqipëria si vend anëtar pranë CEB ka qenë dhe mbetet një përfitues i fondeve të CEB si financues apo bashkëfinancues në projekte të ndryshme të zbatuara në fushën e kohezionit social”, u shpreh Velo.
Relatori i çështjes, Blendi Klosi, u shpreh se projektligji është marrëveshje kuadër e zbatuar prej shumë kohësh, tashmë e rithelluar për marrjen e një kredie të re që do t’i shërbejë ekonomisë shqiptare.
Ndërsa deputeti Tritan Shehu, deklaroi se CEB është padyshim një nga misionet më serioze në bashkëpunim me vendin tonë, në veçanti në fushën e shëndetësisë. “CEB ka treguar fleksibilitet për t’u përshtatur me nevojat dhe kërkesat tona”, deklaroi Shehu.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.