Sot, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm miratoi Qëndrimin e Përbashkët të BE-së duke hapur grupin e parë të negociatave për Shqipërinë, thuhet në një njoftim të këtj komiteti, sipas hungarian-presidency.consilium.europa.eu.
“Sot, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper II) ka miratuar një qëndrim të përbashkët të BE-së duke hapur grupin e parë të negociatave me Shqipërinë, duke lejuar kështu mbajtjen e një konference ndërqeveritare me Shqipërinë më 15 tetor 2024 në Luksemburg”, thuhet në njoftim.
“Shqipëria do të jetë e para ndër vendet kandidate që do të hapë negociatat e anëtarësimit sipas metodologjisë së rishikuar të zgjerimit, e cila do të jetë një moment kyç për vendin e Ballkanit Perëndimor. Grupi i parë i kapitujve mbulon reformat themelore, duke i hapur rrugën fillimit të negociatave për grupe të tjera. Progresi në këto reforma do të përcaktojë gjithashtu ritmin e përgjithshëm të negociatave”, theksohet në të.
“Përpara vendimit të sotëm, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai hungarez Viktor Orbán u takuan në Budapest më 11 tetor 2024. Krahas diskutimit të negociatave të anëtarësimit, të dy liderët ranë dakord të vazhdojnë forcimin e bashkëpunimit dypalësh”, përfundon deklarata.