Komiteti Teknik i Ekspertëve në mbledhjen e sotme i bëri apel qytetarëve që të kryejnë vaksinimin kundër COVID-19.
Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli deklaroi sot se “nisur nga situata ku ndodhemi ku kemi një rritje të numrit të rasteve pozitive me COVID-19, i bëjmë apel qytetarëve që të kryejnë dozat e treta dhe të katërta të vaksinimit”.
“Të gjithë qytetarët i kanë të disponushme vaksinat në të gjitha qendrat shëndetësore që ata i përkasin. Vaksinimi është i rëndësishëm pasi të pavaksinuarit u rrezikojnë jetën edhe atyre që janë të vaksinuar”, theksoi Rakacolli.
Rakacolli i bëri thirrje qytetarëve që të përdorin maskën në ambientet e mbyllura.
“I bëjmë thirrje qytetarëve të përdorin maskën në ambientet e mbyllura, veçanërisht personave me janë me sëmundje dhe të moshuarve”, tha Rakacolli.
Më tej Rakacolli theksoi se “siç është vënë re edhe në raportimet tona të përditshme pas një periudhe të stabilizuar të përhapjes së këtij infeksioni periudhë e cila përkoi me heqjen e të gjithë kufizimeve në vend dhe më tej prej disa javësh në botë filloi një rritje e të infektuarve por edhe të sëmurëve dhe humbjeve të jetës si në Itali, Spanjë, Greqi, Maqedoni e Veriut e vende të tjera. Ky trend është vënë re edhe në vendin tonë, javën e kaluar numri i infektimeve u shtua ndjeshëm, ndërsa javën e fundit kanë ndodhur edhe humbje jete. Kjo ka ndodhur si rezultat i qarkullimit të nën varianteve të virusit Omicron, që është i njohur për shkallën e lartë të infektueshmërisë”.
Duke folur për situatën epidemiologjike, Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, dr. Eugena Tomini, tha se ka një rritje të incidencës dy javore, me një shtrirje të rasteve aktive në 90% të bashkive.
“Incidenca javore dhe incidenca dy javore gjatë kësaj periudhe ka pësuar rritje, krahasuar me tre javët pararendëse por ndërkohë ka pësuar rritje edhe nga gati 4-5 muaj pararendës, ku Shqipëria përvijoi me një trend shumë të ulët të hasjes së rasteve COVID pozitiv. Përsa i përket bashkive, kemi raste active në rreth 90% të tyre. Dhe për rrjedhojë, aktualisht popullata shqiptare duhet të ndërgjegjësohet me faktin e përvijimit të vaksinimit me dozë të tretë dhe të katërt, për të patur një mbulesë vaksinale jo vetëm të mirë por edhe një rritje të imunitetit përkundrejt kontakteve të ngushta që mund të kemi tashmë gjatë verës. COVID ka treguar që nuk ka një sezonalitet apo është i pranishëm gjatë gjithë muajve të vitit”, tha Tomini.