Komiteti Teknik i Ekspertëve në mbledhjen e sotme vendosi që duke filluar nga kjo ditë çdo qytetar mbi 18 vjeç mund të bëjë dozën e tretë përforcuese, pasi ka kaluar 6 muaj nga doza e dytë.
Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli deklaroi sot se “duke u bazuar në situatën epidemiologjike, në rritjen e qarkullimit të virusit Omicron në Evropë dhe faktit që stina e dimrit rrit mundësinë për marrjen e infeksionit Sars-Cov-2, Komiteti ka marrë vendim që deri më datën 31 dhjetor, të gjithë punonjësit e administratës publike, punonjësit e supermarketeve dhe qendrave tregtare që nuk janë vaksinuar, të vaksinohen, pasi më datën 4 janar do të kërkohet karta e vaksinimit ose prova e testit PCR negative çdo 5 ditë”.
“Nisur nga fakti që varianti i ri Omicron është identifikuar në qytetarë që kanë pasur histori udhëtimi e kontaktesh me vende të Afrikës së Jugut, si edhe faktin që akoma nuk është e qartë natyra e agresivitetit të virusit, masat e marra edhe nga vende të tjera të botës, Komiteti i Ekspertëve vendosi të rekomandojë ndalimin e hyrjes të shtetasve të huaj me histori udhëtimi brenda 14 ditëve të fundit në vendet: Afrikë e Jugut, Kenia, Angola, Zambia, Botsvana, Senegali duke filluar nga data 3 dhjetor, për tri javë”, theksoi Rakacolli.
Rakacolli shtoi se “shtetasit shqiptarë rezidentë, që vijnë në Shqipëri dhe kanë histori udhëtimi 14 ditët e fundit para mbërritjes, në vendet e listuara më sipër do të karantinohen në shtëpitë e tyre për 14 ditë dhe do të monitorohen nga njësitë shëndetësore”.
Masat e tjera në fuqi:
– Ora policore vijon me orën 23:00 – 06:00.
- Vijon që qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, duhet të vijojnë të dorëzojnë një nga dokumentet e mëposhtme:
• Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi.
• Test PCR, të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejtë antigen brenda 48 orëve të hyrjes në kufi.
• Provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
• Përjashtim nga rregullat e përcaktuara në pikën 2, bëhet për fëmijët deri në moshën 6 vjeç.
• Qytetarët rezidentë të Republikës së Shqipërisë dhe që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura në pikën 1, duhet të vetizolohen për një periudhë 10-ditore dhe të informojnë autoritetet shëndetësore për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.
– Vijon që në strukturën e aeroporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, të cilët duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar sipas protokollit të ndryshuar.
– Vijon të mbetet në fuqi që në të gjithë institucionet shëndetësore, moslejimi i hyrjes së familjarëve për personat që janë të shtruar.
- Vijon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura, në qendra tregtare, supermarkete, dyqane etj., e në të gjithë ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.
– Vijon të mbetet në fuqi urdhri për lejimin e grumbullimeve deri në 50 persona dhe të aktiviteteve kulturore, sportive etj., deri në 30 % të kapaciteteve të tyre me prezencë të spektatorëve.