Një prej kompanive kryesore amerikane që trajtojnë çështje të sigurisë kibernetike, Mandiant ka deklaruar se sulmi kibernetik që mbylli përkohësisht pjesën më të madhe të shërbimeve digjitale të qeverisë shqiptare, mund të jetë kryer nga hakerët pro-iranianë që synonin të prishnin konferencën e një grupi opozitar iranian që strehohet në Shqipëri.
Sipas kompanisë, ata që kryen sulmin kibernetik kishin vepruar në mbështetje të përpjekjeve të Teheranit kundër disidentëve.
Koha, përmbajtja e publikuar në një kanal të medias sociale që përdoret për të marrë përgjegjësinë mbi sulme të kësaj natyre dhe ngjashmëritë me kodin e programit me virus, janë disa nga faktorët në të cilën bazohet Mandiant, në raportin e saj.
Pas thuajse tre javësh nga sulmi kibernetik, shërbimet publike online janë rikthyer në normalitet të plotë në platformën e-Albania.
Aktualisht, 1214 nga 1225 shërbime online që jepen në platformën e-Albania, mund të përdoren nga qytetarët dhe bizneset me të njëjtën shpejtësi dhe lehtësi si më parë.
Konferenca e 23 dhe 24 korrikut nga grupi opozitar iranian Muxhahedeen-e-Khalq u anulua pas paralajmërimeve nga autoritetet lokale për një kërcënim të mundshëm terrorist.
Rreth 3,000 disidentë iranianë të këtij grupi, që njihen kryesisht si MEK-ët, jetojnë në kampin Ashraf 3 në Manzë.