Kompania WizzAir ul avionët e saj në aeroportin ndërkombëtar “ZAYED – Flatrat e Veriut”, në Kukës, për të nisur në maj operimin e pandërprerë me 4 destinacionet e para drejt Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës, fillimisht nga dy herë në javë.
Pas testimeve të suksesshme kompania WizzAir ul avionët e saj në aeroportin ndërkombëtar “Flatrat e Veriut” në Kukës.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në fjalën e mbajtur në ceremoninë e organizuar me këtë rast tha se, “kjo është një ditë e shënuar dhe jemi krenar për arritjet që kemi në këtë fushë vitet e fundit, duke nisur nga hapat e parë që janë hedhur për ngritjen e këtij aeroporti, e deri më sot nga hapja e kantierit për ndërtimin e e aeroportit të Vlorës”.
Gjithashtu vijoi Balluku, në aeroportin e Tiranës me një investim që prek vlerën e 99 milionë eurove do të financohet për rritjen e infrastrukturës në aeroportin kryesor të Shqipërisë.
“Por fakti që jemi sot këtu në Kukës është një ngjarje e rëndësishme”, u shpreh ajo.
“Ndodhemi këtu me një nga kompanitë më të mëdha low cost, që prek destinacione edhe jashtë kontinentit nga i cili vjen”, tha Balluku, teksa vuri në dukje se aeroporti i Kukësit është një aeroport rajonal që i vjen në ndihmë edhe Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”.
“Duke filluar nga 15 korriku i vitit të kaluar në Kukës kanë filluar fluturimet komerciale që kanë arritur në 85 fluturime. Ndërsa së fundi, aeroporti i Kukësit është tashmë pjesë e certifikuar e logjistikës së NATO-s, që tregon edhe një herë se në këtë aeroport plotësohet të gjitha kushtet e sigurisë teknike sipas BE-së dhe NATO-s”, tha Balluku.
Faktikisht, theksoi Rama, “nga sot kompania është e vendosur edhe në Kukës dhe fillon me prenotimet për 4 destinacionet e para, nga 2 herë në javë dhe të cilat nga maji do të jenë destinacione të vijueshme, jo thjesht për sezonin”.
Ndërkohë, shtoi kreu i qeverisë, “me drejtorin e madh të kompanisë kemi diskutuar edhe për destinacionin tjetër të rëndësishëm që është Anglia. Dhe unë nuk do t’i ndahem Kukësit deri kur “The London boys of Kukës” të kenë fluturimet nga Kukësi në Londër dhe nga Londra në Kukës, ose nga destinacione të tjera rreth e rrotull me tarifa krejtësisht simbolike”
“Kjo është dita për t’i thënë të gjithë atyre që nuk kanë asnjë kapacitet durimi se kjo punë dhe të gjitha punët e mira kërkojnë durim. Shumë gjëra kemi dëgjuar pasi anonçuam fillimin e punës për aeroportin ndërkombëtar të Kukësit. Pastaj pasi e hapëm aeroportin e ri ndërkombëtar të Kukësit. Me siguri të tjera do të dëgjojmë edhe sot, por në fund fjalët i merr era dhe punët e mira mbeten. Unë jam shumë besimplotë që ky aeroport ka një të ardhme fantastike dhe e gjithë kjo zonë ka një të ardhme fantastike edhe falë këtij aeroporti”, tha Rama.
Rama falënderoi drejtorin e kompanisë për gatishmërinë për ta parë Kukësin si një mundësi, sepse, u shpreh Rama, “në fillim ai ishte pak skeptik, por pastaj e gjithë analiza e bërë rezultoi në favor të aeroportit”.
“Sot ne jemi këtu për t’i dhënë një mundësi të re të gjithë banorëve, jo vetëm të Kukësit, por të një treve të tërë që përfshin dhe pjesën matanë bjeshkëve në Kosovë dhe pjesën e Maqedonisë së Veriut, duke iu hapur 4 destinacione, në Austri, në Gjermani dhe në Zvicër. Janë tre vende me 4 destinacione 2 herë në javë, ndërkohë që çmimet e udhëtimit siç e patë janë 19 euro, për secilin destinacion”. /ATA-Argumentum.al