Gjykata Kushtetuese vendosi sot pranimin e pjesshëm të kërkesës së Kryeministrit për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Në një njoftim për mediet theksohet se, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancën plenare të datës 18.05.2021, çështjen me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Interpretimi i nenit 98, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese, njëzëri, vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës.
Gjykata vendosi gjithashtu pushimin e gjykimit për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Gjykata vendosi edhe interpretimin përfundimtar të nenit 98 të Kushtetutës, për sa vijon:
Në procedurën e emërimit dhe shkarkimit të ministrit, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi, udhëhiqen nga parimi i luajalitetit kushtetues dhe atij të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
Kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve të mësipërme.
Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantoje përmbushjen e kritereve dhe cilësive kushtetuese për këtë funksion.
Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër, bëhet nga të tre organet e përfshira në proces, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese, brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi.
Gjykata bën të ditur se vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar./ata