Me 13 korrik të vitit 1878, ne Kongresin e Berlinit, i cili i dha fund luftës ruse-turke, shumica e vendeve evropiane votuan për ta shpallur Malin e Zi midis 27 vendeve të reja të pavarura të botës.
Ky 142 vjetor i kësaj ngjarjeje të rëndësishme u përkujtua në një aktivitet në qytetin e Elbasanit nga Shoqata e Komunitetit Malazez në Shqipëri me prezencen e Kryetarit të Partisë Aleanca Maqedonase për Integrim Evropian dhe deputet në parlamentin Shqiptar z. Vasili Sterjovski. Mitropolitin e Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, Hirësinë e tij Imzot Andon Merdani Nënkryetarin e Partisë Demokratike, dega Elbasan z. Zamir Muzhaqi
Kryetari Shoqatës së Komunitetit Malazez z. Marinko Culafic në fjalen e tij para të pranishmeve theksoi fort se sot 142 që nga dita e shtetformimit , Mali i Zi është faktor stabilizues në rajon dhe konsiderohet si lokomotiva e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Njekoshisht ai përmendi marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve tona dhe rolin e minoriteteve si ura lidhëse midis Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Fjala e plotë e z.Culafic
Së pari dua t’ju falënderoj për respektin dhe prezencën tuaj sot në përkujtimin e kësaj date historike për popullin malazez dhe diasporën malazeze kudo që ndodhet. Në mënyrë të veçantë na nderojnë me praninë e tyre sot:
Kryetarin e Partisë Aleanca Maqedonase për Integrim Evropian dhe deputet në parlamentin Shqiptar z. Vasili Sterjovski.
Mitropolitin e Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, Hirësinë e tij Imzot Andon Merdani
Nënkryetarin e Partisë Demokratike, dega Elbasan z. Zamir Muzhaqi
13 korriku për popullin malazez është një datë shumë e rëndësishme dhe festohet si Dita e Shtetformimit, sepse në atë ditë në vitin 1878, në Kongresin e Berlinit, i cili i dha fund Luftës Ruso-Turke te viteve 1877-1878, shumica e vendeve evropiane votuan për ta shpallur Malin e Zi midis 27 vendeve të reja të pavarura të botës.
Gjithashtu më 13 korrik të vitit 1941 filloi një kryengritje mbarëkombëtare antifashiste kundër autoriteteve pushtuese italiane, të cilat kishin pushtuar territorin e Malit të Zi në prill të vitit 1941. Një ditë më parë, pra më 12 korrik Mali i Zi ishte shpallur i pavarur nga Jugosllavia nën patronazhin e Italisë dhe ishte kthyer në një shtet satelitor i Italisë. Si rrjedhojë një ditë më pas në datë 13 korrik pati një reagim të fuqishëm në të gjitha qytetet e Malit të Zi, ku grupe të vogla me partizanë filluan njëra pas tjetrës të shtënat mbi karabinierët dhe xhandarët italianë. Ishte një fillim i Luftës Nacionalçlirimtare, gjatë të cilës u morën dhe vendime të rëndësishme politike që çuan në rivendosjen e shtetësisë së Malit të Zi e cila ishte anuluar në vitin 1918 me aneksimin nga Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene e cila më vonë në 3 tetor të vitit 1929 u bë Mbretëria e Jugosllavisë.
Në Kongresin e Popullit Antifashist Malazez që u mbajt në Kolasin në fund të vitit 1944, u mor një vendim për statusin e Malit të Zi si një nga njësitë federale të Jugosllavisë së ardhshme! Pjesëmarrës në këtë kongres ka qenë dhe gjyshi im, Milovan Culafic (ose sic njihesh ndryshe në popull Tatko). S’ mund të lë pa përmendur kontributin dhe sakrificat e familjes time gjatë luftës antifashiste. Halla ime Polka ishte vetëm 15 vjeç kur u vra nga gjermanët. Nga fisi Culafic dhanë jetën 13 dëshmorë, emrat e të cilëve gjenden të skalitur në lapidarin që është ngritur në nderim të tyre në Andrijevicë. Gjatë dhe pas luftës së 2-të, Tatko kishte disa funksione, midis të cilave Kryetar i Këshillit Qarkor të Pushtetit Popullor, Anëtar i Këshillit ekzekutiv i Lidhjes së luftëtarëve për Malin e Zi, Deputet i Popullit në Parlamentin e Malit të Zi, Sekretar i 1-rë i Rrethit të Andrijevicës deri në vitin 1948 kur filloi dhe golgothaja e familjes time. Gjyshi duke qenë një nga kundërshtarët kryesorë të Titos në Malin e Zi, u zhvesh nga të gjitha funksionet dhe u dërgua në burgun famëkeq të Goli Otokut në një ishull të shkretë të Dalmaci. Gjyshja ime dhe një xhaxha vdiqën nga torturat e UDB-së. E zgjata pak historikun e familjes tim sepse është bërë një padrejtësi historike duke e lënë qëllimisht në harresë emrin e Tatkos, njërit prej heronjve të Luftës Antifashiste në Jugosllavi!
Fitorja e Malit të Zi kundër fashizmit dhe vendosja e statusit si republikë më vete brenda Federatës Jugosllave në Kongresin e Kolasinit në fund të vitit 1944 ishin bazat për referendumin në maj të 2006, kur Mali i Zi rivendosi pavarësinë e tij! Sot Mali i Zi është faktor stabilizues në rajon dhe konsiderohet si lokomotiva e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Gjithashtu dua të përmend marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve tona dhe rolin e minoriteteve si ura lidhëse midis Malit të Zi dhe Shqipërisë.
© Argumentum.