Në kuadër të masave të marra gjerësisht nga qeveria për të përballuar situatën e krijuar nga coronavirusi në Shqipëri, Komunitet Mysliman Shqiptar është sensibilizuar me një sërë kufizimesh për besimtarët e vet. Përmes një mesazhi të shpërndarë në Facebook, KMSH kërkon nga myftinitë e qyteteve që të marrin disa masa parandaluese, duke nisur nga anulimi i namazit.
“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë duke vlerësuar situatën e paprecedentë të krijuar nga kjo epidemi, ka marrë disa masa të nevojshme për të mbrojtur qytetarët nga një infektim i mundshëm nga COVID-19.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë kërkon nga myftinitë e qyteteve marrjen e masave të mëposhtme:
1- Ngarkohen të gjithë myftinjtë dhe stafi i tyre të ndërmarrë fushata sensibilizuese për publikun dhe të inkurajojnë të gjithë besimtarët, kryesisht moshën e tretë dhe personat me sëmundje kronike që t’i kryejnë ritualet fetare në banesat e tyre.
2- Anulimi i tubimeve masive si ligjërata, kurse në xhami, aktivitete të ndryshme dhe sipas rrezikshmërisë në zonën tuaj të anulohet edhe falja e namazit të xhumasë.
3- Pesë kohët e namazit sugjerohet të falen në mënyrë jo të organizuar, ndërkohë ezani të thirret në mënyrë të rregullt në të gjitha xhamitë.
4- Zbatimi me rigorozitet i të gjitha sugjerimeve dhe këshillave të nxjerra nga autoritetet përkatëse në vendin tonë si dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, – thuhet mes të tjerash në njoftimin e KMSH.
Kreu i qeverisë, Edi Rama e përshëndeti vendimin e KMSH si një vendim në kohën e duhur dhe mesazh kuptimplotë jo vetëm për myslimanët
“Kur bie epidemia as mos shko aty ku ka rënë as mos lëviz nëse bie aty ku je”, porosit profeti muhamet, paqja e zotit qoftë mbi të.
Respekt, respekt, respekt për komunitetin mysliman që vendosi anulimin e faljes së namazit dhe të çdo tubimi nëpër xhami.
Ky është jo vetëm vendimi i duhur në kohën e duhur, por edhe mesazhi më kuptimplotë që komuniteti mysliman mund t’i jepte mbarë popullit shqiptar”, shkruan kryeministri në Facebook.
Pak orë më parë, kryeministri Edi Rama njoftoi mbylljen e të gjitha bareve dhe restoranteve në Tiranë dhe Durrës, duke parë siç tha shkallën e ulët të ndërgjegjësimit të qytetarëve për të zbatuar rekomandimet e autoriteteve shëndetësore për të kufizuar sa është e mundur lëvizjen.