Të mbijetuar të dhunës në Kosovë dhe familjarë të viktimave, si edhe përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan, mbajtën të martën pasdite një protestë të planifikuar para ambasadës serbe në Uashington, ku kërkuan drejtësi për krimet e kohës së luftës.
E mbijetuara e dhunës seksuale nga forcat serbe Vasfije Krasniqi Goodman, e cila dëshmoi të martën paradite në Kongresin amerikan, tha se ishte shumë e rëndësishme që zëri i tyre u dëgjua dhe se shpreson që përmes angazhimit të Kongresit amerikan, të çohet drejtësia në vend.
“Është një punë që është dashur të hapej edhe më herët. Pak me vonesë, por më mire vonë se hic dhe unë e kam kauzën me luftu për drejtësi dhe me thy stigmën jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë botën, ku kanë ndodhur dhunime gjatë luftrave”.
Ajo e pranon se për të nuk ishte e lehtë të protestonte para ambasadës së Serbisë.
“Por kjo është me u tregu atyre se ne nuk ndalemi para se drejtësia të shkojë në vend dhe këta me i pranu krimet që kanë kryer, me kërku falje për krimet dhe me i dënu kriminelët. Kështuqë ndihem krenare që jam para ambasadës serbe, me i tregu këtyre që ne shqiptarët duam drejtësi. Jo hakmarrje, por drejtësi”, thotë ajo.
Anëtari i Këshillit bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, që sapo është kthyer nga Kosova, ishte një prej protagonistëve të protestës.
“Sot është një ditë që mbas 20 vjetëve të kujtohen gabimet, dëmi që ka ndodhur në Kosovë. 20 mijë femra janë përdhunuar, 13 mijë vetë kanë vdekur, 1620 janë zhdukur. Kemi filluar një lobim të fortë, të vazhdueshëm që me u vu presion Serbisë që kriminelat e luftës të paraqiten para gjykatës, që t’i gjykojmë ne. Zoti ka me i gjyku në jetën tjetër”, tha ai.
Ilir Bytyqi, që edhe në Kongres foli për domosdoshmërinë e vënies para përgjegjësisë të fajtorëve, tha në protestë se Serbia duhet të arrestojë shkaktarët e këtyre krimeve.
Në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës, dy vetë nga personeli i ambasadës së Serbisë në Uashington thanë për Shërbimin Shqip se protesta “nuk do të thotë asgjë”. “Është një vend demokratik dhe gjithkush mund të protestojë,” thanë ata.