Sot në konferencën për median në përfundim të konferencës tre ditore ‘Tirana diplo2024’, lidhur me qëndrimin e Greqisë, dhe mundësinë për një bllokim prej saj, Hasani theksoi se po punohet që pengesat politike të mos ndërhyjnë në axhendat teknike.
Ministri Për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani deklaroi sot në një bashkëbisedimin me gazetarët se, Konferenca e Ambasadorëve “Diplo 2024” u organizua në një stad të ri dhe të rëndësishëm.
Hasani veçoi dy momente të rëndësishme që janë anëtarësimi i Shqipërisë në BE dhe axhenda 2030 dhe momenti i mirë i vendit në turizëm e ekonomi. Sipas tij, këto kërkojnë që edhe angazhimi i përfaqësuesve tanë nëpër botë të jetë maksimale.
Hasani tha se Shqipëria është në fazën përgatitëse për organizmin e Samitit të NATO-s në 2027-ën në Tiranë.
“Logjika është që vitin e ardhshëm samiti i ardhshëm do të zhvillohet në Holandë, dy vjet më pas në Turqi dhe në 2027-ën është Tirana që do ta mirëpresë këtë event të rëndësishëm”, informoi ai
“Ne jemi në fazën e përgatitjeve të brendshme. Pra kemi filluar identifikimin e ambienteve, fondeve, njerëzve, gjithë burimet e nevojshme që bëjnë këtë të mundur dhe padyshim që një angazhim i tillë përveç rëndësisë së madhe të simbolikës që ka tregon dhe njëherë që Shqipëria është një partner i rëndësishëm dhe një aleat i domosdoshëm në të gjithë përpjekjen e organizatës së Atlantikut të Veriut për atë që ndodh sot dhe sidomos me fokus në zhvillimet e fundit”, tha Hasani.
Ministri Hasani theksoi se në vitin 2025 do të mbahet në Tiranë mbledhja e Komunitetit Politik Evropian.
“Formula është që Komuniteti Politik Evropian mblidhet 2 herë në vit, njëherë në një vend të BE, një herë në një vend jo të BE-së. Mbledhja e radhës u zhvillua në Mbretërinë e Bashkuar, në fund të vitit do të zhvillohet në Hungari dhe vitin tjetër do të vijë në Shqipëri”, tha Hasani.
“Janë të gjithë këto formate të cilat neve na bëjnë më të përgjegjshëm në të gjithë angazhimet që ne marrim. Më të drejtpërdrejtë në nevojat që kemi dhe në kërkesat që bëjmë, por dhe rrisim vizibilitetin dhe rëndësinë e rajonit nga ne vijmë. Pra nuk është vetëm një përpjekje dhe një angazhim i Shqipërisë, por ne përpiqemi t’i japim vizibilitetin e nevojshëm të gjithë rajonit ku ne jemi”, tha Hasani.
Hasani foli edhe për ligjin e ri të shërbimit të jashtëm.
“Kemi miratuar një strukturë të re të MEPJ që ka elementë të rinj dhe kryesisht gjëja më thelbësore në strukturën e re është krijimi i një drejtorie që do të përgjigjet, do të merret do të angazhohet ekskluzivisht me të gjithë shqiptarët që janë në rajon”, tha ai.
Hasani foli edhe për hartën dhe kompozimin e përfaqësive diplomatike nëpër botë.
“Ne jemi të mirëpërfaqësues në kontinentin evropian, por kishim disa boshllëqe dhe mangësi, të cilat duhet t’i mbushim sa më shpejt dhe zhvillimet e menjëhershme janë hapjet e ambasadave në Indi, Indonezi dhe Kenia, por dhe vazhdimi i punë për të krijuar një hartë më të ri në vitet në vazhdim dhe identifikimin e vendeve ku duhet të jemi të pranishëm”, u shpreh Hasani.
Kosova
Kosova duket se ‘bojkotoi’ konferencën treditore Tirana diplo2024’ ku ishin të ftuar ambasadorë shqiptarë dhe konsuj të përgjithshëm shqiptarë. Ndryshe nga Maqedonia e Veriut, Mali i zi dhe Lugina e Preshevës ku pati përfaqësi politike, Kosova u përfaqësua nga një profesor.
Në konferencën për median, Ministri i Jashtëm tha sot se Prishtina ka qenë e ftuar por ‘fat të keq të pushimeve përfaqësimi nuk ishte ai që ne prisnim”
Kjo duket që nuk ka lënë shije të mirë tek qeveria prandaj ministri i jashtëm do të organizojë një takim me homologen Donika Gërvalla në Lubjavë
Pyetje: Dua të ndalem tek paneli që ju kishit vetëm për rajonin, aty kishte përfaqësues politik nga Maqedonia e Veriut dhe nga Mali i Zi dhe lugina e Preshevës dhe Kosova u përfaqësua nga një profesor i nderuar dhe jo nga një përfaqësues politik. Ishte zgjedhja juaj?
“Prishtina ka qenë e ftuar dhe për fat të keq të pushimeve përfaqësimi nuk ishte ai që ne prisnim. Por unë ditën e hënë do të kem një takim me ministren Gërvalla, ka kërkuar takim në Slloveni, në Lubjavë dhe padyshim që ne do të vazhdojmë pikërisht të diskutojmë ato çështje që i kemi pasur në agjendën tonë që i kemi pasur edhe më parë, tha Hasani.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani në bashkëbisedimin me gazetarët u pyet edhe lidhur me situatën më të fundit në Kosovë për hapjen e urës mbi Ibër, për të cilën deklaroi sot se “asnjë hap nuk duhet të ndërmerret pa konsultime dhe negociata me aleatët, përfshirë këtu edhe Shqipërinë”.
“Ne kemi qenë të qartë, gjithmonë konsekuentë me atë që kemi thënë. Për ne prioriteti i politikës së jashtme është Kosova, ndaj gjithmonë i kemi thënë motrave dhe vëllezërve tanë në Prishtinë që gjithë hapat që do të ndërmarrin duhet t’i diskutojnë së pari me ata që i duan shumë”, tha Hasani.
Ministri Hasani tha se “t’i diskutojnë, debatojnë dhe negociojnë me vendet dhe organizata që e kanë bërë Kosovën të lirë dhe të pavarur siç është sot dhe këtu hyn dhe Shqipëria. Çdo punë e mirë bëhet duke u rakorduar me ata që e duan shumë Kosovën”.
Ngrihet drejtori e re në Ministri për shqiptarët e rajonit
Ndërkohë me ligjin e ri të shërbimit diplomatic do të ngrihet një strukturë e re në Ministrinë e Jashtme ku në fokus do të jenë shqiptarët e rajonit.
“Kemi miratuar një strukturë të re të ministrisë së jashtme. Më thelbësorja është një drejtori që do të angazhohet me të gjithë shqiptarët në rajon…”
Pyetje: A do të jetë në fokus e kësaj strukture edhe shqiptarët e Kosovës?
“Tirana ka një fokus të vazhdueshëm të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe këtë e ka pasur dhe në ditët e veta më të vështira. Temën e parë të bisedimeve ka pasur situatën e shqiptarëve në rajon duke filluar me Kosovën dhe ata të Maqedonisë së Veriut. Kombi amë është Shqipëria e për këtë janë të gjithë të qartë dhe kemi edhe mbështetjen e plotë e të gjithë faktorëve shqiptar që janë angazhuar në rajon. Kjo është një drejtori që do të merret me punën e të gjithë njerëzve që janë të angazhuar dhe për nevojat dhe shqetësimet që ato kanë. Në rastin e Kosovës ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer dhe kjo drejtori do të ndihmojë edhe kolegët në Kosovë për ato sfida që ata kanë marr përsipër” tha ministri i Jashtëm Hasani.
Konferenca ‘Tirana Diplo 2024’
Nga 26-28 gusht në Tiranë u mbajt Konferenca e Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024” me ambasadorët dhe konsujt e përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë ku u diskutua mbi sfidat e diplomacisë shqiptare në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, zhvillimet rajonale dhe të sigurisë, diplomacinë ekonomike, kulturore dhe turizmin.