Kryeministri Edi Rama ka firmosur marrëveshjen me presidenten e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen për dhurmin e 115 milion eurove për procesin e rindërtimit.
Rama ndodhet ditën e sotme në Bruksel, për konferencën e donatorëve për tërmetin e 26-nëntorit.
Ndihma prej 15 milionë eurosh u premtua nga Komisioni Europian që në dhjetor 2019, ndërsa 100 milionë euro të tjera u njoftuan sot.
Gjatë fjalës së saj Presidentja Von Der Leyen u shpreh:
“Komisioni Europian jep 100 milionë euro nga buxheti, përtej 15 milionë eurove të lajmëruara në dhjetor.”
Deri më tani Ministri i Jashtëm holandez Stef Blok ka konfirmuar se Holanda do të dhurojë 3 milionë euro për Shqipërinë, ndërsa Britania e Madhe pritet të dhurojë një million paund.
Më herët, ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj ka deklaruar se qeveria shqiptare pret që në “kombinim me grante dhe kredi të arrihet të mblidhet një ndihmë rreth 450 milionë euro” gjatë konferencës.
Në janar 2020, qeveria publikoi raportin final të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti dhe sipas tij, fatura e dëmeve është rreth një miliardë dollarë.
Raporti me emrin “Vlerësim i nevojave post-fatkeqësi” është përpiluar nga një grup ekspertësh të drejtuar nga ish-ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi.
Ky raport do të shërbejë si referencë në Konferencën e Donatorëve.