Politika botërore do të jetë këtë javë në fokus të Konferencës së Sigurisë në Mynih. Për të 55 herë në Konferencën Ndërkombëtare në Mynih do të vijnë një numër rekord pjesëmarrësish të nivelit të lartë. Ndër 500 të ftuarit janë edhe 40 kryetarë shtetesh dhe qeverish si dhe 100 ministra.
Drejtuesi i kësaj konference Wolfgang Ischinger në një intervistë ekskluzive për DW u shpreh me shqetësim lidhur me zhvillimet mes SHBA-së dhe Rusisë. “Do të ishte një dështim i madh për të ardhmen globale, nëse ne do ta lejojmë një situatë, në të cilën shtetet e fuqishme të zhvillojnë një rivalitet klasik të fuqive të mëdha”
Sipas tij ka mjaft të përbashkëta mes Rusisë dhe SHBA-së, mes Europës dhe Kinës e të gjitha kombeve, në mënyrë që ato të përpiqen edhe më tej për bashkëpunimin dhe integrimin duke i lënë mënjanë rivalitetet, “që duket se do të jenë motoja e 2019”, tha Ischinger. Për këtë duhet diskutuar në Mynih. “Ne do të kemi bisedime të vështira, për të arritur – shpresoj – që të përcaktojmë prioritetet, se cili drejtim i përgjegjshëm është i nevojshëm në vitin 2019.”
Ischinger thekson rëndësinë e BE-së si një shtyllë e rëndësishme e rendit të hapur ndërkombëtar dhe të bazuar në rregulla. Një ndër detyrat e rëndësishme të BE-së, thekson Ischinger, është të farkëtojë bashkëpunime dhe aleanca në mbarë botën. “Ne nuk jemi vetëm. Kanadaja, Australia dhe shumë shtete të tjera ndajnë interesat tona në tregtinë e lirë, forcojnë institucionet ndërkombëtare dhe një rend ndërkombëtar, duke u dakorduar për rregulla të përbashkëta.”
Nuk janë pak ata njerëz që i shohin me shqetësim zhvillimet e situatës në botë. Radari i Sigurisë 2019, anketimi “Wake-Up call for Europe”, që u organizua nga Zyra rajonale e fondacionit Friedrich Ebert për bashkëpunimin dhe paqen në Europë/Raporti i Sigurisë i Mynihut 2019, tregon, se 21 përqind e francezëve, 19 përqind e gjermanëve dhe15 përqind e rusëve besojnë, që situata politike ndërkombëtare në pesë vitet e ardhshme do të përkeqësohet.
Ischinger nuk pajtohet me përshtypjen, se BE po pëson dëm nga dalja e Britanisë së Madhe. “Për mua është e rëndësishme, që ne në radhë të parë botës anglo-saksone t’i tregojmë, se është e gabuar përshtypja, që projekti i integrimit europian po shpërbëhet për shkak të Brexitit. Në fakt mbështetja për BE-në në shumicën e vendeve është rritur dhe nuk është ulur”.
Ischinger dëshiron që të tregojë në Mynih, se “Bashkimi Europian është shëndoshe mirë”. Këtë pritet ta theksojnë me fjalimet e tyre edhe një sërë referuesish nga Gjermania, Franca dhe vende të tjera europiane, duke përfshirë edhe presidencën rumune të BE-së.