Instituti për Studimet e Luftës Hibride “Octopus” në Prishtinë organizoi më 2 tetor 2024 konferencën ndërkombëtare me temën “Ndikimi i Agresionit Rus në Ukrainë në Gjeopolitikën Evropiane”. Në këtë ngjarje me rendësi morën pjesë ekspertë, diplomatë, politikanë dhe studiues të njohur nga rajoni dhe por dhe ekspertë të njohur ndërkombëtarisht, përfshirë Dr. Jennifer Cassidy nga Oxford, Dr. Pekka Kallioniemi nga Finlanda, profesori ukrainas Dr. Ihor Todorov, si dhe emra të tjerë të shquar.
Diskutimet u fokusuan në pasojat e konfliktit për sigurinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, duke ofruar një platformë për dialog dhe analizë të thellë mbi ndikimet e agresionit rus, sfidat dhe mundësite për Evropën në këtë kontekst të vështirë.
Pas agresionit rus në Ukrainë, Europa ka përjetuar ndryshime të mëdha, duke përfshirë një rritje të ndjenjës së rrezikut dhe një rishikim të strategjive të sigurisë. Një nga pasojat kryesore ka qenë intensifikimi i bashkëpunimit midis vendeve evropiane në mbrojtje dhe energji, siguri si dhe një thellim i marrëdhënieve me NATO-n.
Sfidat që përballet sot Europa janë të shumta. Njëra prej tyre është energjia: vendet evropiane po përpiqen të reduktojnë varësinë nga burimet ruse dhe të gjejnë alternativa të qëndrueshme. Po ashtu, Europa përballet me krizën e refugjatëve dhe tensionet sociale që shpesh shoqërojnë migrimin.
Në Ballkan, situata është e ndërlikuar. Disa vende, përfshirë Kosovën, Bosnjen dhe Malin e Zi, po përballen me kërcënime nga Serbia, e cila, si Rusia, po përdor teza historike për të justifikuar pretendimet territoriale. Këto reminishenca historike shfaqin një rrezik për stabilitetin e rajonit, duke nxitur tensione etnike dhe politike.
Serbia duket se po përdor strategji të ngjashme me ato të Rusisë, duke sfiduar rendin e stabilitetit në Ballkan dhe duke minuar përpjekjet për integrim evropian të vendeve të tjera. Kjo e bën situatën edhe më të brishtë, duke rritur frikën për përshkallëzim të mundshëm të konfliktit. E pra “bota ruse” dhe “bota serbe” duket se përbëjnë sot një kërcënim të përbashkët për Evropën dhe Ballkanin.
Në këtë kontekst, në këtë konferencë u theksua se është e rëndësishme që Europa të forcojë angazhimin e saj në rajon, duke mbështetur demokracinë dhe stabilitetin në Ballkan, për të parandaluar rikthimin e tensioneve që mund të rrezikojnë paqen dhe sigurinë në të gjithë kontinentin.
E pikërisht stabiliteti i Ballkanit dhe Europës ishte në fokus të fjales së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në këtë konferencë .
Konjufca: “Rusia nuk ka hequr dorë nga “bota ruse” e as Serbia nga “bota serbe”.
“Në adresimin e tij para të pranishmëve kryetari Konjufca tha se pasojat e agresionit rus në Ukrainë kanë ndikuar kontinentin evropian, paqen, stabilitetin, sigurinë, politikën dhe gjeopolitikën e tij, më shumë se çdo konflikt tjetër që prej Luftës së Dytë Botërore”.
Konjufca ka thënë se lufta në Ukrainë është betejë vendimtare për rendin demokratik në Evropë.
“Kreu i Kuvendit tha se për shkak të mosdhënies së një përgjigjeje të vendosur në vitin 2014 ndaj pushtimit rus të Krimesë, por trajtimi i Rusisë si partneri despotik me të cilin mund të bashkëpunohej ekonomikisht, duke supozuar gabimisht se synimet pan-ruse të Putinit ishin të kufizuara, Evropa sot po ballafaqohet me një luftë e cila nuk ka të bëjë vetëm me fatin e Ukrainës si shtet sovran dhe me dinjitetin e ukrainasve si komb, por kjo luftë përbën edhe një betejë vendimtare për rendin demokratik në Evropë, të ndërtuar pas rënies së “Perdes së Hekurt” më 1989.”
Ai theksoi gjithashtu se Rusia nuk ka hequr dorë nga “bota ruse” dhe as Serbia nuk ka hequr dorë nga “bota serbe”.
Konjufca ka shtuar se sulmi i Banjskës ishte “replikë identike e sjelljes agresore të Rusisë ndaj Ukrainës”.
“Në kontekstin tonë rajonal dhe ballkanik, agresioni pushtues i Rusisë në Ukrainë paraqet aktin e parë të një strategjie destabiliteti të Evropës, ku natyrisht Ballkani, me Serbinë si një zgjatim të Rusisë do të ishte akti i dytë i kësaj strategjie. As Rusia e as Serbia nuk kanë hequr dorë nga kjo strategji, sepse as Rusia nuk ka hequr dorë nga ‘bota ruse’, e as Serbia nuk ka hequr dorë nga ‘bota serbe’. Sulmi terrorist ndaj Kosovës në Banjskë shtatorin e vitit të kaluar ishte një replikë identike e sjelljes agresore të Rusisë ndaj Ukrainës. Trupa paramilitare serbe, të trajnuara nga ushtria serbe, të pajisura me arsenal luftarak të Ministrisë serbe të Mbrojtjes, si dhe në zbatim të aspiratës së Beogradit për ndarjen e Kosovës, synuan aneksimin e veriut, me ç’rast në mbrojtje të sovranitetit, integritetit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës u vra oficeri i Policisë së Kosovës, tashmë heroi, Afrim Bunjaku”, tha Konjfuca.
“Në vazhdim të fjalës së tij kreu i Kuvendit të Kosovës tha se dualizmi është armë e njohur e Serbisë në arenën ndërkombëtare, për realizimin e interesave të veta, por po aq i njohur është edhe fakti që Serbia kurrë në historinë e saj nuk ka qenë një kështjellë ku është mbrojtur Perëndimi, sepse pas çdo lufte Serbia gjithnjë është rreshtuar kah Lindja. Pra, në këtë luftë të Ukrainës në mbrojtje të sovranitetit të vet, shtoi kryetari Konjufca, Serbia nuk është aleat i saj, por thjesht po përfiton duke bërë biznes e duke shitur armët e prodhimit të saj.”
“Përpjekja për destabilizimin e Bosnjës përmes Dodikut që promovon çdo ditë shkëputjen e Republikës Srpska dhe bashkimin e saj me ‘botën serbe’, refuzimi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën përmes njohjes faktike që kornizon Marrëveshja e Brukselit dhe përpjekja për ndryshimin e orientimit euro-atlantik të Malit të Zi, janë gjurmë konkrete të një politike që synon të minojë çdo progres që investimi euro-perëndimor ka pasur në rajonin tonë”, tha Konjufca.
Në përfundim Konjufca u shpreh se në rajon nuk do të ketë stabilitet pa u arritur stabilizimi i demokraicsë në secilin prej shteteve, e në veçanti heqja dorë e Serbisë prej aspiratave të saj hegjemoniste.
Ish-Kryeministri i Shqipërisë Pandeli Majko: Serbia me sulmin në Banjskë provoi të krijojë një Donbas serb në Kosovë
Ish-kryeministri i Shqipërisë Pandeli Majko, ka folur për sulmin terrorist në Banjskë që ndodhi më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku. Ai tha se ky “sulm ishte tentativë serioze për të krijuar një Donbas serb në Kosovë”.
“Aktualisht politika zyrtare serbe po e përdorë Kosovën për të nxitur unitetin kombëtar, por kjo ka nxitur edhe ekstremizëm nacionalist në rritje”, tha ai.
Majko theksoi se pushtimi rus i Ukrainës ka pasur pasoja në Ballkan, duke ndikuar në politikën, ekonominë dhe sigurinë e rajonit.
“Lufta ka nxitur ndjenja nacionaliste në rajon duke rritur tensionet mes grupeve etnike dhe duke ndikuar në stabilitetin politik”.
“Pushtimi rus i Ukrainës ka pasur pasoja në Ballkan, duke ndikuar në shumë gjëra. Duke nxitur tension edhe mes grupeve etnike”.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës z.Enver Hoxhaj
Ndërsa Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës z.Enver Hoxhaj në fjalen e tij në konferencën e organizuar nga “OCTOPUS” thekson një pikë shumë të rëndësishme në lidhje me situatën politike në Ballkan. Ai vuri në dukje se agresioni rus në Ukrainë ka nxitur një rikthim të hegjemonisë serbe, duke e bërë rajonin më të paqëndrueshëm. Kjo është një shqetësim serioz, veçanërisht për vendet që kanë kaluar përvoja të dhimbshme në të kaluarën.
Mungesa e veprimit të vendosur nga Perëndimi, sipas Hoxhajt, ka lejuar që Serbia të forcojë sjelljen e saj agresive. Kjo tregon se qasja e zbutjes nuk ka sjellë rezultate pozitive, përkundrazi, ka kontribuar në destabilizimin e mëtejshëm të situatës.
Z. Hoxhaj theksoi se paqja kishte qenë normë në Evropë, por konflikti në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme kanë bërë që lufta të duket e pashmangshme. Ai e lidhi këtë situatë me pasigurinë dhe paparashikueshmërinë e epokës moderne, duke e parë luftën në Ukrainë si një faktor që ka aktivizuar ambiciet hegjemoniste të Serbisë në Ballkan. Sipas tij, Serbia vazhdon të sfidojë sovranitetin e Kosovës dhe të vendeve të tjera përmes veprimeve destabilizuese.
Hoxhaj kritikoi politikën perëndimore për favorizimin e zbutjes së Serbisë, duke vënë në dukje se kjo minon stabilitetin rajonal. Ai theksoi se mungesa e zgjerimit të BE-së për vendet e Ballkanit ka krijuar një vakum sigurie që e lejon Rusinë të ushtrojë ndikim të madh në rajon. Serbia, sipas tij, vepron si bastion i ndikimit rus dhe promovon narrativa antiperëndimore.
Ish-ministri nënvizoi nevojën për bashkëpunim rajonal dhe mbështetje të fortë ndërkombëtare për të ruajtur sovranitetin dhe stabilitetin në Ballkan. Ai gjithashtu theksoi se integrimi evropian i ngecur ka shkaktuar zhgënjim dhe migrim të rinisë drejt vendeve perëndimore, duke e bërë të domosdoshme një angazhim më të madh për të mbështetur shtetësinë e Kosovës, si dhe pavarësinë e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Miodrag Vllahoviq, ish-ministër i jashtëm i Malit të Zi: “Rusia po i kthehet interesave strategjike të popullit serb”
Miodrag Vllahoviq, ish-ministër i jashtëm i Malit të Zi, ka theksuar se Serbia po ushtron influencë në rajon përmes Kishës Ortodokse Serbe, e cila vepron si një agjent i politikave serbe. Në një konferencë z. Vllahoviq ai diskutoi ndikimin e agresionit rus në Ukrainë mbi gjeopolitikën evropiane, duke e lidhur këtë me përpjekjet e Serbisë për të ripërtërirë lidhjet me popullin serb në Ballkan.
“Rusia po i kthehet interesave strategjike të popullit serb. I tërë koncepti është një ripërtëritje shtet me shtet. Propaganda serbe se serbet janë të rrezikuar përdoret në Bosnje e Hercegovinë dhe Mal të Zi, ndërsa edhe në Kosovë. Kjo është një gënjeshtër historike që po vazhdon që nga vitin 1912. Më vjen mirë që kam qenë ministër që në atë kohë kemi avokuar për Pavarësinë e Kosovës”, u shpreh Vllahoviq.
Vllahoviq kritikoi propagandën serbe që pretendon se serbët janë të rrezikuar, duke e cilësuar atë si një gënjeshtër historike që vazhdon për më shumë se një shekull. Ai shprehu krenarinë për angazhimin e tij në avokimin e Pavarësisë së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e njohjes së realiteteve të reja në rajon.
Profesori universitar në Beograd, Ivan Videnoviq: I kërkoj falje popullit të Kosovës
Ivan Videnoviq, profesor universitar në Beograd, ka shprehur një qasje të guximshme në lidhje me ngjarjet historike dhe politike që lidhen me Kosovën dhe Ukrainën. Ai ka kërkuar falje në emër të serbëve për tragjedinë e Batajnicës, duke theksuar nevojën për të njohur dhe për të ndjerë dhimbjen e viktimave.
Dua të shfrytëzoj rastin t’i kërkoj falje popullit të Kosovës për të gjitha jetët e humbura gjatë luftës në Kosovë, bashkëqytetarëve, familjeve tuaja, për të gjitha ato që ju ka shkaktuar shteti im, Serbia, veçanërisht gjatë viteve 1998 dhe 1998 dhe 1999.
“Dëshiroj gjithashtu t’u kërkoj falje serbëve në veri që janë mbajtur peng si mburoja njerëzore për shumë vite nga elita politike e Serbisë (Vuçiq) dhe për shfrytëzimin e tyre për përfitime personale, e jo për interesat e popullit serb.
“Unë nuk flas në emër të popullit të Serbisë, por mund të flas në emër të 5000 njerëzve që kanë votuar për politikat që unë përfaqësoj këtu që nga viti 2023. Ata votuan për partinë tonë pavarësisht propagandës së Serbisë dhe presionit nga Vuçiq. Përkundër kësaj, ata zgjodhën të votojnë për ne.
“Prandaj, mund të kërkoj falje në emër të tyre për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve, të cilët jam i bindur se do të bashkohen me mua në vendosjen e luleve mbi varret e shqiptarëve të vrarë në bazën ushtarake serbe në Batajnicë, ku u gjetën 750 trupa të shqiptarëve. vrarë për të treguar respektin tonë ndaj tyre. E di që ky numër mund të mos duket mjaft i madh, por besoj se ky numër do të rritet me kalimin e kohës”-theksoi ai.
Videnoviq ka bërë paralelizma midis agresionit rus në Ukrainë dhe atij të Millosheviqit në ish-Jugosllavi, duke sugjeruar se të dyja situatat ndajnë përvoja dhe mekanizma të ngjashëm.
Kritikat e tij ndaj zhvillimeve aktuale në Serbi, si rikthimi i politikave nacionaliste dhe mbështetja për agresionin rus, pasqyrojnë një shqetësim të thellë për drejtimin që po merr vendi. Ai gjithashtu ka nënvizuar ndikimin e një partie radikale në formësimin e politikës serbe, duke aluduar në qeverisjen e Aleksandar Vuçiq.
Studiuesi Dr. Gurakuq Kuçi: Strategjia e Rusisë- Destabilizimi i Ballkanit për të minuar NATO-n dhe BE-në
“Lufta hibride e Rusisë në Ballkan përfshin taktika direkte dhe indirekte. Këto taktika përfshijnë manipulimin e mediave, sulmet kibernetike dhe përdorimin e aktorëve përfaqësues si Serbia, Republika Srpska dhe Kisha Ortodokse Serbe”, u shpreh në krye të heres Dr. Gurakuq Kuçi, ndërsa paraqiste studimin e tij “Lufta Hibride Ruse në Ballkanin Perëndimor” në konferencën e organizuar nga “Octopus”.
Historikisht, përfshirja e Rusisë në Ballkan daton që në kohët cariste (Khomyakov për sllavofilin 1839 dhe Franjo Zah për “hapësirën e jetesës sllave”, me një vizion të bashkimit të popujve sllavë nën udhëheqjen ruse. Edhe Serbia me Nacertanje nga Ilia Garasanin. Edhe pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ambiciet gjeopolitike të Rusisë në rajon mbeten të forta. Unë e di që ne e dimë planin e Dug-it për planet Euro-Azi, multipolaritetin e botës, koalicionin Moskë-Pekin (sot BRICS, etj.) Në fakt, Presidenti Vladimir Putin e ka përshkruar shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik si “gjeopolitiken më të madhe katastrofa e shekullit”, duke treguar qëllimin e tij për të rivendosur ndikimin rus, veçanërisht në rajone si Ballkani dhe Ukraina, theksoi Dr. Kuçi duke u fokusuar te sfondi historik i këtyre marrëdhënive dhe aleancave.
Lufta hibride e Rusisë në Ballkanin Perëndimor është shumë efektive sepse shfrytëzon dobësitë e rajonit – ndarjet etnike, institucionet e dobëta politike dhe lidhjet kulturore me Rusinë. Kundërshtimi i këtij ndikimi kërkon një përgjigje të koordinuar perëndimore që përfshin forcimin e institucioneve demokratike, sigurinë kibernetike dhe median e pavarur.
Nëse Ballkani Perëndimor vazhdon të jetë i destabilizuar, kjo jo vetëm që do të ndikojë në sigurinë rajonale, por gjithashtu do të ketë implikime më të gjera për stabilitetin global, perfundon kumtesen e tij në këtë konferencë z. Kuçi.
Profesoresha e Oxfordit: Nuk përjashtohet mundësia e pushtimit të Kosovës nga Serbia
Profesoresha Jennifer Cassidy nga Universiteti i Oxfordit ka ngritur shqetësime serioze mbi stabilitetin në Ballkan, duke sugjeruar se mundësia e një pushtimi të Kosovës nga Serbia nuk mund të përjashtohet. Gjatë konferences të organizuar nga Instituti “Octopus”, ajo theksoi se lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë e bëjnë këtë skenar më të mundshëm.
“Sipas mendimit tim personal dhe profesional, me një fqinj që ka lidhje aq të afërta me Rusinë, nuk mendoj se mund ta përjashtojmë çfarëdo opsioni. Do të ishte marrëzi sikur ta përjashtonim mundësinë e një pushtimi, qoftë përmes infiltrimitm të forcave sekrete apo planeve të aneksimit”, tha ajo gjatë kësaj konference.
Cassidy theksoi rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve të forta të Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit me Bashkimin Evropian, duke sugjeruar që kjo është një mënyrë për të përmirësuar stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
Përfundimi i Konferencës së Institutit OCTOPUS: Serbia si Një Faktor Destabilizues në Ballkanin Perëndimor
Drejtori i Institutit OCTOPUS, Z. Agim Musliu, përmbylli konferencën duke theksuar se Serbia vazhdon të luajë një rol destabilizues në Ballkanin Perëndimor. Ai theksoi se ambiciet territoriale të Serbisë në Kosovë, Bosnje-Hercegovinë dhe Mal të Zi paraqesin një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë rajonale. Musliu nënvizoi nevojën për një qasje më të fortë dhe të koordinuar nga bashkësia ndërkombëtare për të adresuar këto sfida dhe për të garantuar stabilitetin në rajon.
Konkluzione:
Së pari lufta në Ukrainë ka nënvizuar urgjencën që NATO dhe BE të marrin masa të shpejta dhe konkrete për të forcuar unitetin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Kjo përfshin mbrojtjen e kufijve gjeopolitikë nga ndikimet e jashtme, nga lufta konvencionale, siç është rasti në Ukrainë, apo përmes metodave jo-konvencionale që kërcënojnë pjesë të ndryshme të Evropës.”
Konkluzioni i dytë është se agresioni rus ka përforcuar përdorimin e strategjive hibride, përfshië ndërhyrjet në zgjedhje në vende demokratike.
“Agresioni rus ka përforcuar përdorimin e strategjive hibride, përfshirë ndërhyrjet në zgjedhjet elektorale të vendeve demokratike, propagandën, dhe përhapjen e dezinformatave. Këto veprime kanë krijuar një klimë destabilizimi që kërkon reagim të koordinuar nga vendet perëndimore dhe ato pro-perëndimore, duke forcuar kapacitetet për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë kombëtare dhe ruajtjen e paqes.”
Konkluzioni i tretë është që “Rusia jo vetëm që përdor shtete si “proxy” për të arritur qëllimet e saj strategjike, por gjithashtu mbështet aktorë jo-shtetërorë që paraqesin kërcënime të rritura për sigurinë ndërkombëtare. Këta aktorë përbëjnë një sfidë në rritje dhe kërkojnë një qasje të unifikuar dhe vendimtare nga bashkësia ndërkombëtare për t’i ndaluar përmes masave të forta dhe efektive”.
I katërti është që ngjarjet e fundit e kanë theksuar domosdoshmërinë për të hartuar dhe zbatuar strategji afatgjata të sigurisë.
“Ngjarjet e fundit kanë theksuar domosdoshmërinë për të hartuar dhe zbatuar strategji afatgjata të sigurisë, duke përfshirë mbështetje ekonomike, ushtarake dhe teknologjike për vendet që përballen me rrezikun e destabilizimit nga Rusia dhe aleatët e saj. Një përgjigje e tillë gjithëpërfshirëse është thelbësore për të ruajtur stabilitetin dhe integritetin territorial të Evropës.”
Po ashtu Kosova dhe vendet e rajonit që duan ta ruajnë perspektivën evropiane duhet të angazohhen në ruajtjen dhe forcimin e demokracisë dhe sovranitetit.
“Kosova dhe vendet e rajonit që duan të ruajnë perspektivën Evropiane, duhet të angazhohen në ruajtjen dhe forcimin e demokracisë dhe sovranitetit ku vendet perëndimore e kanë për obligim edhe për shkak të sigurisë së tyre të ndihmojnë këtë brez gjeopolitik në Ballkan dhe të i japin fund ndikimit të Rusisë dhe proxyve të saj.”
Konkluzion përfundimtar është nxjerrë që Serbia vazhdon të luajë rol destabilizues në Ballkan dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet ta rivlerësojë qasjen e tij ndaj regjimit të Vuçiqit.
“Serbia vazhdon të luajë një rol destabilizues në Ballkan, me ambiciet e saj të vazhdueshme territoriale në Kosovë dhe Bosnje dhe Hercegovinë që përbëjnë një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë rajonale. Nën udhëheqjen e Presidentit Vuçiç, tendencat autoritare të Serbisë janë forcuar, së bashku me mbështetjen e saj në retorikën nacionaliste dhe taktikat hibride të luftës. Kjo trajektore minon vlerat demokratike dhe destabilizon vendet fqinje, duke përkeqësuar gjithashtu tensionet me komunitetin ndërkombëtar.
Duke pasur parasysh këtë realitet, komuniteti ndërkombëtar duhet të rivlerësojë qasjen e tij ndaj regjimit të Vuçiqit. Është i nevojshëm një qëndrim më i vendosur, ai që do të mbajë Serbinë përgjegjëse për veprimet e saj dhe do ta bëjë presion që të braktisë axhendën e saj revizioniste. Pa një përgjigje vendimtare dhe të unifikuar ndërkombëtare, qëndrimi agresiv i Serbisë do të vazhdojë të nxisë destabilitetin në Ballkan, duke kërcënuar paqen dhe zhvillimin afatgjatë në rajon.”
Këto përfundime në fakt theksojnë një realitet të ngarkuar për sigurinë në Evropë, duke nënvizuar se destabilizimi në Kosovë dhe rajon ka implikime të rëndësishme për gjithë kontinentin. Nevoja për një bashkëpunim të fortë dhe të koordinuar midis vendeve evropiane është thelbësore për të adresuar kërcënimet e pranishme, si agresioni rus dhe strategjitë hibride.
Forcimi i unitetit në fushën e sigurisë, mbështetja për demokracitë në zhvillim dhe ruajtja e integritetit territorial janë çështje që kërkojnë angazhim të përbashkët. Shtetet perëndimore duhet të ofrojnë mbështetje për vendet që përballen me presion nga aktorë të jashtëm dhe të punojnë së bashku për të krijuar një ambient më të sigurt dhe stabil për të gjithë qytetarët evropianë. Vetëm përmes një qasje të unifikuar mund të arrihet një stabilitet afatgjatë në rajon dhe përtej tij.
© 2024 Argumentum