Tetëdhjetë vende kërkuan së bashku të dielën që “integriteti territorial” i Ukrainës të jetë baza për çdo marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës 2-vjeçare të nisur nga Rusia. Megjithatë disa vende që ishin pjesëmarrëse në një konferencë paqeje në Zvicër nuk iu bashkuan kësaj deklarate. Analistët thonë se konferenca dy-ditore ka të ngjarë të ketë pak ndikim konkret drejt përfundimit të luftës, sepse vendi që e nisi dhe po vijon luftën, Rusia, nuk ishte i ftuar.
Tetëdhjetë vende së bashku kërkuan të dielën që “integriteti territorial” i Ukrainës të jetë baza për çdo marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës 2-vjeçare të nisur nga Rusia, megjithëse disa vende që ishin pjesëmarrëse në një konferencë paqeje në Zvicër nuk iu bashkuan kësaj deklarate.
Në këtë konferencë nuk ishte e ftuar Rusia, ndërsa shumë pjesëmarrës shpresonin se mund të gjendej një udhërrëfyes drejt paqes mes dy vendeve.
Rreth 100 delegacione, kryesisht vende perëndimore, por edhe disa vende kyçe në zhvillim, morrën pjesë në konferencë dhe sipas ekspertëve rëndësi ka se si u rreshtuan këto vende. India, Arabia Saudite, Afrika e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – të cilat u përfaqësuan nga ministra të jashtëm ose në nivele më të ulët, ishin midis atyre vendeve që nuk nënshkruan dokumentin përfundimtar, i cili fokusohej në çështjet e sigurisë bërthamore, sigurisë ushqimore dhe shkëmbimi i të burgosurve. Po ashtu edhe Brazili nuk e nënshkroi deklaratën, ndërsa Turqia, një vend që ka kërkuar të jetë ndërmjetës mes Rusisë dhe Ukrainës – e ka nënshkruar deklaratën.
Dokumenti përfundimtar kërkon arritjen e një paqeje bazuar në Kartën e OKB-së dhe “respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetin e Ukrainës për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”.
Viola Amherd, presidentja zvicerane që drejtoi këtë takim tha se fakti që “shumica e madhe” e pjesëmarrësve ranë dakord për dokumentin përfundimtar “tregon se çfarë mund të arrijë diplomacia”.
“Një zgjidhje e qëndrueshme duhet të përfshijë të dyja palët. Është e rëndësishme të kuptohet se rruga drejt paqes në Ukrainë duhet të ndiqet në bazë të ligjit ndërkombëtar dhe në veçanti, Kartës së Kombeve të Bashkuara”, tha ajo
“Shpresoj se ne do të mund të arrijmë rezultate sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe janë pikërisht këta dhe hapa të tjerë të ngjashëm praktik për të rivendosur sigurinë dhe paqen që do t’i dëshmojnë të gjithëve në botë se Karta e OKB-së mund të rikthehet në efektivitet të plotë. Të gjitha parimet dhe propozimet e kartës së OKB-së”, tha presidenti i Ukrainës.
“Rusia kundërshton kartën e OKB-së, kundërshton logjikën bazë. Të gjithë ne do të dëshironim të jetonim në një botë që udhëhiqet nga ato parime, sepse ato na bëjnë të gjithëve të sigurt . Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ecin me krenari përkrah Ukrainës në këtë rrugë derisa atje të mbizotërojë paqja”, tha Jake Sullivan, Këshilltar për Sigurinë Kombetare.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tha se konferenca kishte “me të drejtë” titullin “Rruga drejt Paqes”, sepse paqja nuk do të arrihet në një hap të vetëm.
“Nuk ishte një negociatë paqeje sepse Putini nuk është serioz për përfundimin e luftës. Ai po këmbëngul për kapitullim. Ai po këmbëngul për marrjen e territorit ukrainas, madje edhe territorin që sot nuk është i pushtuar. Ai po këmbëngul për çarmatosjen e Ukrainës, duke e lënë atë të pambrojtur ndaj agresionit të ardhshëm. Asnjë vend nuk do t’i pranonte kurrë këto kushte”, tha ajo.
Analistët thonë se konferenca dy-ditore ka të ngjarë të ketë pak ndikim konkret drejt përfundimit të luftës, sepse vendi që e nisi dhe po vijon luftën, Rusia, nuk ishte i ftuar. Aleati kryesor i Rusisë, Kina, e cila nuk mori pjesë dhe Brazili kanë kërkuar së bashku të krijojnë një rrugë alternative drejt paqes.
Tre temat kryesore të kësaj konference: siguria bërthamore, siguria ushqimore dhe shkëmbimi i të burgosurve u mbështetën në deklaratën përfundimtare.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni tha se ato përbënin “kushtet minimale” për negociatat me Rusinë, duke aluduar se disa fusha të tjera mosmarrëveshjesh midis Kievit dhe Moskës do të jenë më të vështira për t’u kapërcyer.
Kryeministri i Katarit vuri në dukje një ditë më parë se si vendi i tij po punon me delegacionet ukrainase dhe ruse për ribashkimin e fëmijëve ukrainas me familjet e tyre dhe që deri më tani ka rezultuar në ribashkimin e 34 fëmijëve.
Qeveria ukrainase beson se mbi 19 mijë fëmijë janë zhvendosur me forcë dhe komisionerja ruse për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova ka konfirmuar më parë se të paktën 2 mijë janë marrë nga jetimoret e Ukrainës.
Të premten, presidenti rus Vladimir Putin e cilësoi takimin e Zvicrës “një dredhi për të larguar vëmendjen”. Presidenti rus ofroi një plan për armëpushim në Ukrainë dhe nisjen e bisedimeve nëse Kievi fillon të tërheqë trupat nga katër rajonet e Ukrainës të aneksuara nga Moska në vitin 2022 dhe heqjen dorë nga planet për anëtarësim në NATO.