Organizata e njohur e biznesit, Konfindustria shprehu sot shqetësimin, se rënia e përsëritur e shtetit shqiptar, me shfaqje të qarta korrupsioni të tipit “state capture/kapje e shtetit”, për mbrojtjen e institucioneve publike të rëndësisë së vecantë, sikurse janë rastet e grabitjeve në Aeroportin e Tiranës, do të ketë pasoja të rënda në afatgjatë për ekonominë kombëtare.
Konfindustria vlerëson, se pasoja të menjëhershme e ngjarjeve të mësipërme janë – goditja ndaj seriozitetit të shtetit shqiptar, – uljen e fuqisë konkuruese të vendit në tërheqjen e investimeve të huaja, – përkeqësimin e mjedisit të biznesit dhe – rritjen e kostove financiare të ekonomisë kombëtare.
“Në mënyrë të dukshme rrezikohet të preket pozicioni i Shqipërisë në tregtimin e letrave me vlerë para investitorëve në tregjet financiare ndërkombëtare. Pasojat e ngjarjeve të rënda të grabitjeve të përsëritura në Aeroportin e Tiranës, do të ndikojnë në rritjen e ndjeshme të kostove të sigurimit dhe risigurimit të produkteve dhe shërbimeve shqiptare. Si rrjedhim, vlerat financiare të dëmeve për buxhetin e shtetit, bizneseve dhe qytetarëve shqiptarë parashikohet të jenë të rënda, deri në prekje të ritmeve të zhvillimit ekonomik të vendit në afatgjatë”, pohon ajo.
Gjithashtu, Konfindustria kërkon, që përballë pasojave të rënda të paraqitura më sipër, shteti shqiptar duhet të marri masa të jashtëzakonshme përtej shfaqjeve populiste dhe retorikave politike. Institucionet shtetërore civile, policore, shërbimeve sekrete, etj. të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me ngjarjet e rënda të pësëritura në Aeroportin e Tiranës, duhet të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë. Gjithashtu, është e domosdoshme, që të vlerësohet në mënyrë ligjore zbatimi i kontratës nga kompania koncesionare e tipit “guackë” e Aeroportit të Tiranës. Në rast se krijohet bindja, se koncesionari nuk ka përmbushur dhe/ose ka shkelur kontratën, duhet të kalohet domosdoshmërisht në prishje ligjore të saj.
“Nisur nga rastet e rënda të përsëritura të cënimit të papranueshëm të objekteve të rëndësisë së vecantë për ekonominë dhe sigurinë kombëtare, shteti shqiptar duhet të rishikojë rrënjësisht dhe sa më shpejt gjithë politikën e tashme koncesionare, PPP sidomos në sektorët me rëndësi strategjike. Si veprim i parë është ndalimi i lidhjes së kontratave të reja me kompani të tipit “guackë” regjistruar në parajsa fiskale dhe të kryhet zbardhja e emrave të pronarëve të vërtetë për koncesionet në fuqi”, përfundon Konfindustria.