Diplomati i njohur, ambasadori Dashnor Dervishi, i cili ishte ambasadori i parë i Shqipërisë që hapi selinë tonë diplomatike më 1998 në Tel Aviv, në kujtimet e tij për periudhën e shërbimit të tij në Izrael, 1998-2001, analizon të gjithë faktorët që kërkojnë zgjidhje për t’i dhënë fund konfliktit 100-vjeçar arabo-izraelit.
Zoti Dervishi shihte mungesë koordinimi mes Autoritetit Palestinez dhe organizatës Hamas për të garantuar një klimë besimi mes palestinezëve dhe izraelitëve. Po ashtu, tjetër çështje që kërkonte zgjidhje ishin zbatimet e rezolutave 181 dhe 242 të OKB-së që do të përcaktonin përfundimisht kufijtë ndarës izraelito-palestinezë, por edhe fatin e vendbanimeve izraelite në territoret e pushtuara.
Ambasador Dervishi vlerëson rolin e ish-Presidentit amerikan, Bill Clinton, për uljen e palëve në një marrëveshje paqeje në Uashington, por dhe mesazhet e tij për të drejtat e palestinezëve. Për ambasador Dervishin, një nga problemet më të mëdha që kërkon zgjidhje të konfliktit palestinezo-izraelit është edhe problemi i refugjatëve palestinezë të larguar që nga viti 1947 e në vijim.
DASHNOR DERVISHI
Një pengesë serioze në rrugën drejt formimit të shtetit palestinez ishte edhe ekzistenca e grupeve radikale palestineze, ku shquhej ai i Hamasit. Hapi i parë drejt zbutjes së qëndrimeve të këtyre organizatave, ishte nënshkrimi i marrëveshjes për të mos sulmuar Izraelin nga territoret e pushtuara, në të cilat ushtrohej pushteti i Autoritetit Palestinez. Nga ana e këtij të fundit, në fakt, herë pas here ka pasur edhe arrestime të aktivistëve të Hamasit, të akuzuar për terrorizëm. Kjo ka shërbyer për rritjen e besimit në palën izraelite, për seriozitetin e angazhimeve të marra nga pala palestineze në marrëveshjet e nënshkruara.
Një hap tjetër drejt afrimit me Hamasin për të sheshuar kontradiktat me të, ishte edhe ftesa që iu bë për herë të parë liderit të kësaj organizate, Sheikut Ahmed Yassin, për të marrë pjesë si vëzhgues në sesionin e Këshillit Qendror të OÇP-së, në të cilin u vendos shtyrja e shpalljes së shtetit palestinez. Megjithëse Hamas-i u shpreh publikisht se qëndronte me vendosmëri në pikëpamjen se “armiku izraelit kupton vetëm një gjuhë, atë të forcës” dhe se ata nuk e njohin marrëveshjen e Oslos, pjesëmarrja në forumin e lartë palestinez, ishte një shenjë bashkëpunimi.
Në turin diplomatik nëpër një sërë kryeqytetesh të botës, si dhe në një sërë intervistash publike, kryetari palestinez, Jasser Arafat, iu referua Rezolutës 181 të Asamblesë së OKB, të nëntorit 1947, e cila kërkonte krijimin e dy shteteve në Palestinë, hebraik dhe arab, ndërkohë që Rezoluta 242 e nëntorit 1967 nuk e përmend shtetin palestinez, por kërkon tërheqjen e Izraelit nga territoret e pushtuara në Luftën e 6 Ditëve në qershor 1967. Në pritje të rifillimit të bisedimeve me izraelitët, ishte bërë praktikë e diplomacisë palestineze që t’i referohej rezolutës 181, kur ishte fjala për krijimin e një shteti palestinez dhe rezolutës 242, kur bëhej fjalë për largimin e Izraelit nga territoret e pushtuara.
Qëndrimi i Rusisë ka qenë gjithmonë në mbështetje të çështjes palestineze. Në kuadrin e diskutimeve për datën e shpalljes së shtetit palestinez, ministri i Jashtëm Rus, Ivanov, informoi Lidhjen Arabe, se Rusia mbështeste fuqimisht shpalljen e shtetit palestinez, në çdo kohë që Autoritetet Palestineze e shihnin të përshtatshme. Rusia e kishte njohur shtetin palestinez qysh 10 vjet përpara, kur Këshilli Kombëtar i OÇP-së e shpalli atë në Algjer.
Ndërkohë, në një sërë kryeqytetesh europiane ishte zgjuar interesi për Rezolutën 181. Në një deklaratë të BE-së, me një qëndrim haptas më të afruar me palestinezët, i kërkohej Arafatit të shtynte për një vit shpalljen e shtetit palestinez, pra, njihej e drejta palestineze për vetëvendosje. Gjithashtu, në Europë nuk mungonin përpjekjet për rifillimin e takimeve të Konventës së Gjenevës, nën patronazhin e OKB-së, për të diskutuar çështje të Lindjes së Mesme, në një forum, që kishte filluar të funksiononte 22 vite më parë, kur Sadati i Egjiptit filloi negociata direkte me Izraelin. Këto hapa shiheshin si shumë të disfavorshme nga izraelitët. Gjithashtu, në Izrael, përmendja e Rezolutës 181 e vitit 1947 shihej me shqetësim, sepse ajo mund të hidhte rrënjë në opinionin palestinez, duke shkaktuar iluzione te refugjatët palestinezë, për t’u kthyer në tokat që humbën në vitin 1948.
Në dhjetor 1998, Presidenti amerikan, Bill Clinton, bëri të parën vizitë në Këshillin Kombëtar të Palestinës në Gaza dhe në fjalën e tij drejtuar anëtarëve të këtij Këshilli, u shpreh se “Izraeli duhet të njohë të drejtën e palestinezëve për të aspiruar, që të jetojnë të lirë sot, nesër dhe përgjithmonë”. Ky formulim nuk ishte ai që pritej nga palestinezët, si një shprehje pa ekuivokë e mbështetjes amerikane për vetëqeverisje. Ndërsa në letrën që Presidenti amerikan Clinton i dërgoi Këshillit Qendror të OÇP-së, i mbledhur më 29 prill 1999 për të vendosur për çështjen e shpalljes së shtetit palestinez, jepej mbështetja amerikane më e avancuar deri atëherë për një shtet eventual palestinez, por pa u shprehur në mënyrë eksplicite për të. Në letër thuhej: “Shtetet e Bashkuara mbështesin të drejtën e popullit palestinez për të vendosur për të ardhmen e tij në tokën e tij” dhe më tej “Populli palestinez duhet të jetë i lirë sot, nesër dhe përgjithmonë”. Në letër bëhej thirrje për shpejtim të bisedimeve izraelito-palestineze për statusin final dhe për herë të parë nga ana amerikane vendosej një afat kohor, duke propozuar që bisedimet të kryheshin brenda një viti. Clinton siguronte Arafatin se SHBA do të përpiqeshin për zbatimin e marrëveshjeve të paqes, duke përfshirë edhe atë të Lumit Wye (Maryland) të tetorit 1998.
Ndërkohë, SHBA kundërshtoi një propozim të Francës që shteti palestinez të njihej automatikisht, nëse bisedimet nuk përfundonin brenda një viti.
Qëndrimi i fundit amerikan për problemin e shtetit palestinez ishte vendimtar, pasi përcaktonte bazën mbi të cilën do të ngriheshin bisedimet e ardhshme izraelito-palestineze. Kjo u shpreh edhe në fjalimet e mbajtura nga zv. Presidenti Amerikan, Al Gore, dhe nga i dërguari i posaçëm për Lindjen e Mesme, Dennis Ross, në konventën vjetore të AIPAC, një organizatë e fuqishme hebraike në SHBA. Sipas Ross, rezoluta 181 “nuk është e rëndësishme dhe nuk është e përshtatshme”. Ndërsa Gore theksoi se nuk është e mundur të ndryshohen kushtet e bisedimeve të Lindjes së Mesme, të cilat janë bazuar gjithmonë në rezolutat 242 dhe 338 të Këshillit të Sigurimit të OKB si “të vetmet baza për bisedime” dhe “themelet e të gjithë progresit që është arritur deri tani”. Gore shtoi se OKB do të bojkotonte Konventën e Katërt të Gjenevës, nëse kjo do të mbahej.
Për të arritur qëllimet e tyre në tryezat e bisedimeve, palestinezët nuk kishin shumë gjëra për të ofruar. Ata kishin vetëm disa rezoluta të OKB, të cilat mundoheshin që t’i përdornin në luftën e tyre diplomatike. Ndërsa Izraeli kishte gjithçka: territoret dhe Jerusalemin, kontroll të plotë mbi ekonominë palestineze, kalimet kufitare dhe gjithë rrjetin jetik të ujit dhe elektricitetit. Megjithatë, atyre u mungonte siguria për shtetin e tyre; ata ishin në gjendje lufte me disa shtete kufitare dhe për më tepër kishin në gjirin e tyre një bombë të madhe me sahat që quhej “çështja palestineze”, e cila nuk shpërthente vetëm në pritje të bisedimeve të paqes, sepse ishin Autoritetet Palestineze që kishin frenuar terrorin në territorin e izraelit. Dhe, sa më shumë rritej mirëqenia në Izrael, aq më shumë rritej kërkesa e opinionit izraelit për paqe.
PËRCAKTIMI I KUFIJVE NDARËS IZRAELITO-PALESTINEZE. VENDBANIMET IZRAELITE NË TERRITORET E PUSHTUARA
Ndërsa komuniteti palestinez i afrohet gjithmonë e më shumë pavarësisë në kuptimin ligjor, ai ndeshet me një problem shumë të madh praktik, mungesa e vazhdimësisë fizike të territoreve të tij, gjë që është atributi kryesor i një shteti. Mungesa e kësaj vazhdimësie mund të shihet në dy drejtime: dy zonat kryesore ku ushtrohet Autoriteti Palestinez, Bregu Perëndimor i lumit Jordan dhe Rripi i Gazës, ndahen midis tyre me territore izraelite. Që të shkosh nga njëra zonë në tjetrën, duhet të kalosh nëpër territor izraelit, duke u pajisur me leje dhe duke iu nënshtruar kontrolleve të gjata policore. Përveç kësaj, edhe secila prej këtyre zonave nuk është e pandërprerë. Mbas pushtimit të territoreve më 1967, Izraeli ndoqi një politikë të popullimit të tyre me kolonë izraelitë, shumica e të cilëve ishin emigrantë të porsaardhur që shkonin të banonin aty të nxitur nga lehtësitë financiare, që ofronte shteti në këto zona. Ndërtimi i vendbanimeve izraelite në mes të zonave arabe ka krijuar zona të ndaluara për ta, duke shkëputur territoret arabe nga njeri tjetri dhe duke krijuar kështu një gjeografi shumë të ndërlikuar.
Pjesa veriore e Rripit të Gazës është ndarë nga pjesa jugore e tij nga një sërë vendbanimesh izraelite. Kjo gjë ndodh edhe në Bregun Perëndimor të lumit Jordan, ku pjesa veriore është shkëputur nga ajo jugore, jo vetëm për shkak të vendbanimeve të reja, por edhe sepse në pjesën qendrore të tij ndodhet Jerusalemi, ku qysh nga viti 1993, shumica e palestinezëve e kanë të ndaluar të futen. Nga ana tjetër, vetë Bregu Perëndimor i lumit Jordan është copëtuar në një sërë enklavash nga ndërtimet ë reja, ndërkohë që nga tokat e luginës së lumit Jordan janë larguar sistematikisht banorët beduinë (arabë).
Rrugët që lidhin vendbanimet izraelite izolojnë zonat palestineze sepse për të kaluar nga një vend në tjetrin duhet të kalosh nëpër kontrollet e policisë. Ndërsa popullsia palestineze e ka të ndaluar të lëvizë lirisht, grupe të caktuara të saj janë pajisur me leje qarkullimi të diferencuara, për të hyrë në zonat izraelite në orare të caktuara.
Kjo mbyllje dhe ky copëtim demografik i shërbeu Izraelit si një mjet shumë efikas për të bërë presion në bisedimet e Oslos. Mbas marrëveshjes së Oslos të vitit 1993, u zbatua vetëm faza e parë e saj. Kështu 2% e zonës C (e kontrolluar plotësisht nga Izraeli) i kaloi zonës B (e kontrolluar bashkërisht) dhe 7,1% e zonës B i kaloi zonës A (e kontrolluar plotësisht nga palestinezët). Në shkëmbim, palestinezët filluan të vënë në zbatim planin e sigurimit në bashkëpunim me SHBA, si dhe hoqën nga statusi i Palestinës kërkesën për shkatërrimin e Izraelit. Marrëveshja e Wye caktonte kornizën dhe afatin kohor për shpërnguljen e dytë të kërkuar nga marrëveshja e Oslos, gjë që u bllokua nga qeveria e Netanyahut. Nëse marrëveshja Wye do të zbatohej plotësisht, Izraeli do të transferonte 13% të tokës nga kontrolli i plotë i tij, në kontrollin palestinez dhe nën kontroll të përbashkët.
Ndërkohë, situata demografike dhe gjeografike pësoi ndryshime që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Wye e vitit 1998. Gjatë qeverisjes së Netanyahut jo vetëm që nuk u zbatua marrëveshja e nënshkruar me Arafatin në praninë e amerikanëve, por edhe u shkel ajo. Nuk ndodhi “ngrirja e vendbanimeve”, përkundrazi u ndërtuan vendbanime të reja dhe u zgjeruan ato ekzistuese, duke e komplikuar më tej situatën. Kjo gjë u dënua publikisht nga administrate amerikane, për të mos përmendur protestat e vazhdueshme të palestinezëve.
ZGJIDHJA E PROBLEMIT TË REFUGJATËVE PALESTINEZË
Pas miratimit të Rezolutës 181 të OKB të nëntorit 1947, në të cilën kërkohej krijimi në territorin e Palestinës të dy shteteve, në vend filloi lufta civile, ku sulmuan edhe vendet arabe fqinje, në përpjekje për të bllokuar krijimin e shtetit të Izraelit. Gjatë luftimeve të vitit 1948, një numër shumë i madh arabësh palestinezë, u larguan nga trojet e tyre dhe u vendosën kryesisht në vendet arabe fqinje (Jordani, Siri, Liban, Egjipt) si dhe në territore të tjera të banuara nga palestinezët si Gaza dhe Bregun Perëndimor të lumit Jordan. Këtyre refugjatëve iu shtuan edhe të tjerë që u larguan nga trojet e tyre gjatë Luftës së 6 Ditëve të vitit 1967. Refugjatët apo pasardhësit e tyre përbëjnë 60% të të gjithë palestinezëve, me rreth 6,5 milionë.
Problemi i refugjatëve palestinezë vazhdon të mbetet i pazgjidhur. Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB e vitit 1948 bënte thirrje për riatdhesimin apo kompensimin e 72.000 arabëve që u larguan nga ajo pjesë e Palestinës, që më vonë u bë shtet i Izraelit. Ndërsa marrëveshja e Oslos e vitit 1993 e la zgjidhjen e problemit të refugjatëve për në bisedimet për statusin final. Izraeli nuk ka marrë asnjëherë përgjegjësinë për refugjatët palestinezë. Sipas tij, ata ishin rezultat i një lufte, të cilën ishin arabët që e filluan dhe pastaj e humbën, prandaj edhe nuk e pranoi rezolutën 194. Atë rezolutë nuk e pranuan as shtetet arabe, meqë ajo përmendte kompensim, sepse qëllimi i përpjekjeve të tyre ishte eliminimi i Izraelit dhe kthimi i refugjatëve në shtëpitë e tyre. Pas dekadash konflikti të ashpër, të dyja palët kishin filluar të zbusnin qëndrimet e tyre. Palestinezët e kishin njohur Izraelin dhe Izraeli ishte duke lëshuar tokë, në të cilën një ditë do të ngrihet shteti palestinez.
Mbas 50 vjetësh, shumica e refugjatëve palestinezë jetonin nëpër kampe, në kushte shumë të vështira. Shumica e tyre nuk gëzonin të drejtën e nënshtetësisë së vendeve mikpritëse dhe kishin pak mundësi punësimi. Marrëveshja e Oslos nuk i dha asnjë zgjidhje problemit të tyre, prandaj refugjatët palestinezë, kudo që ndodheshin, ishin kundërshtarët kryesorë të asaj marrëveshje. Ata mbushën radhët e organizatave fondamentaliste Hamas, Jihadi Islamik dhe organizatave terroriste me qendër në Damask; ishin ata që me bomba të lidhura në trupat e tyre hidheshin mbi objektet izraelite. Jo vetëm refugjatët që jetonin në Jordani, Siri, Liban etj. nuk përfitonin nga Marrëveshje e Oslos; edhe refugjatët në Gaza dhe Bregun Perëndimor të lumit Jordan, që përbëjnë 1/3 e popullsisë së këtyre zonave, dyshojnë që zbatimi i marrëveshjes së Oslos do t’i çlironte nga varfëria. Ndaj refugjatët përbënin një pengesë të rëndësishme në arritjen e paqes.
Është vështirë të përcaktohet se çfarë kompensimi mund të lehtësonte situatën e refugjatëve. Sipas një vlerësimi palestinez të pronave të tyre të humbura, shuma arrinte në gjysmë trilionë dollarë, shumë së cilës nuk mund t’i përgjigjej asnjë shtet. Nga ana tjetër, edhe Izraeli mund të kërkojë kthimin apo kompensimin e pronave të lëna nga disa qindra mijëra hebrenj, të cilët erdhën në Izrael nga vendet arabe si Maroku, Iraku, Irani, Jemeni, Libia, Egjipti, Siria dhe Libani, për shkak të pasigurisë së jetës së tyre në ato vende, gjatë viteve të konfliktit arabo-izraelit.
Për t’i futur refugjatët palestinezë në rrugën e paqes dhe të pajtimit, do të duheshin shpenzime të mëdha financiare. Nga krahu i majtë i politikës izraelite ka pasur ndonjë propozim të shprehur në shtyp, që për këto shpenzime të përdoren pjesë të fondit të madh prej disa miliarda dollarësh, që bankat zvicerane dhe firmat gjermane kishin vendosur të paguanin për të kompensuar ish-pasuritë e marra nga viktimat e Holokaustit. Po ashtu, në shtypin përparimtar izraelit ngrihej nevoja për realizimin e projekteve ekonomike në shkallë të gjerë, për të luftuar varfërinë e refugjatëve si dhe për të bërë njëfarë kompensimi individual të tyre, për të zbutur poshtërimin e gjatë që u është bërë. Mbas 100 vjet konflikti dhe 50 vjet luftërash, nga të cilat palestinezët dolën të humbur, ndihej nevoja për t’i bërë ata partnerë në ndarjen e fryteve të fitores, ashtu siç bënë fituesit e Luftës së Dytë Botërore me të mundurit. Bisedimet për statusin final do të kishin një formë tjetër, nëse do të zhvilloheshin në kuadrin e një programi ekonomik, që do t’i transformonte armiqtë në partnerë. (Panorama)