Kongresi i Shteteve të Bashkuara certifikoi të hënën fitoren e zgjedhjeve të nëntorit 2024 nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump. 4 vjet më parë, mbështetës të zotit Trump hynë me forcë në Kapitol në përpjekje për të bllokuar certifikimin e fitores së zgjedhjeve presidenciale të 2020 nga demokrati Joe Biden. Korrespodentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypsonbisedoi me ekspertë të cilët vënë theksin tek detyrimi që kanë udhëheqësit amerikanë për të respektuar proceset demokratike.
4 vjet pas procesit më të trazuar të certifikimit të zgjedhjeve në historinë e Shteteve të Bashkuara, Kongresi certifikoi qetësisht dhe ligjërisht se Donald Trumpi është fitues i zgjedhjeve të 2024. Udhëheqësi i ri i Senatit, John Thune, vlerësoi lart fitoren.
“Republikanët përmirësuan rezultatin në thuajse 90 për qind të zonave elektorale në Shtetet e Bashkuara dhe forcuan mbështetjen tek pothuajse çdo grup demografik. Koalicioni republikan është i gjerë, i fortë dhe po shtohet. Tani nis puna për të çuar përpara agjendën tonë. Zoti President, republikanët janë gati për këtë”, u shpreh zoti Thune.
Pavarësisht humbjes në zgjedhje ndaj Donald Trumpit, Nën Presidentja Kamala Harris përmbushi detyrën kushtetuese dhe drejtoi seancën e certifikimit të zgjedhjeve.
Vetëm dy Nën Presidentë të tjerë kanë drejtuar seancën e Kongresit për numërimin e votave zgjedhore duke qënë vetë humbësit e garës presidenciale, Richard Nixon në 1961 dhe Al Gore në 2001.
Në një deklaratë të regjistruar të hënën herët, zonja Harris nënvizoi rëndësinë e transferimit paqësor të pushtetit.
“Kjo përgjegjësi është një detyrë e shenjtë dhe unë do ta zbatoj, e udhëhequr nga dashuria për vendin, besnikëria ndaj Kushtetutës sonë dhe besimi im i palëkundur tek populli amerikan”, u shpreh zonja Harris.
Analisti Casey Burgat thotë se ky detyrim është pjesë e një tradite të gjatë të udhëheqësve amerikanë për të respektuar proceset demokratike.
“Ky është rol i përcaktuar, një rol që do ta kryejë me përgjegjësi, sipas parashikimeve. Paraqet angazhimin për transferim paqësor të pushtetit, veçanërisht nëse fjala është për atë që ka humbur zgjedhjet. Dëshmon forcën dhe angazhimin ndaj këtyre idealeve, diçka që deri më tani e kemi marrë si të mirëqenë, por që tani do duhet t’u kthehemi atyre idealeve”, thotë Casey Burgat nga univerisiteti ‘George Washington’.
Por demokratët në Kongres deklaruan se 6 janari 2021 nuk duhet harruar.
“Shumë individë janë përpjekur të rishkruajnë historinë e 6 Janarit, janë përpjekur të fshehin të vërtetën dhe të pretendojnë se çdo gjë atë ditë ishte mirë, madje, madje një moment i madh patriotizmi. Por kjo është gënjeshtër. Shkurt dhe qartë”, u shpreh Chuck Schumer, udhëheqës i pakicës në Senat.
Në vitin 2022, komisioni hetimor i Kongresit i përbërë nga 7 demokratë dhe dy republikanë bëri përgjegjës për 6 Janarin zotin Donald Trump, për shkak të deklaratave të pavërtetuara se zgjedhjet ishin manipuluar dhe dyshimeve se kishte nxitur përkrahësit që të sulmonin Kapitolin.
Por zoti Trump dhe shumë nga përkrahësit e tij e kanë kritikuar punën e komisionit si të njëanshme dhe kanë sugjeruar se personat e paditur për çështjen e 6 janarit duhet të falen.
Donald Trump do të marrë detyrën si Presidenti i Shteteve të Bashkuara, në një mandat të dytë, në 20 Janar./VOA