Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha shoqëruar nga delegacioni zhvilloi takim dypalësh me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski e kabinetit të tij qeveritar.
Takimi u realizua gjatë pjesëmarrjes në Kongresin e PPE në Valencia, Spanjë.
Sipas zyrës së Medias dhe Komunikimit të Partisë Demokratike, në fokus të diskutimeve ishte bashkëpunimi i ngushtë midis dy partive simotra, rëndësia e konsolidimit të vlerave të përbashkëta konservatore dhe sfidat që paraqet procesi i integrimit evropian për rajonin tonë.
“Palët ndanë pikëpamje të përbashkëta mbi nevojën për të forcuar koordinimin politik dhe mbështetjen reciproke”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Mickoski, sipas njoftimit,uroi Berishën dhe Partinë Demokratike për një rezultat sa më pozitiv në zgjedhjet e 11 majit, duke ofruar urimet e tij të përzemërta si dhe mbështetje konkrete në formën e ekspertizës elektorale.
Sipas PD-së, ai theksoi rëndësinë e qëndrimit të qartë pranë aleancës me administratën Trump dhe këshilloi ruajtjen e një linje të fortë konservatore, me shpresen qe pas 11 Majit do bashkëpunojmë si dy qeveri të djathta që nuk ndajnë vetëm kufijtë por shumë më tepër.
Sipas PD-së, “Mickoski ndau përvojën e tij në përballjen dhe mposhtjen e ndikimit të organizatave të financuara nga Open Society në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se pas fitores zgjedhore të partisë së tij, projekte të tilla si legalizimi dhe licencimi i kanabisit janë bllokuar”. Ai vuri në dukje rëndësinë e qëndrueshmërisë ndaj vlerave konservatore për të mbrojtur parimet kombëtare dhe familjare në të dy vendet.
“Takimi u zhvillua në një frymë miqësie, respekti të ndërsjellë dhe angazhimi për të thelluar marrëdhëniet ndërpartiake dhe rajonale”, përfundon njoftimi.