Pas sesionit të parë të Kongresit të PS-së është miratuar një deklaratë në mënyrë unanime, e cila në thelb i jep përgjigje opozitës mbi kërkesat e saj për ndryshimin e qeverisë dhe çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme, duke dënuar dorëzimin e mandateve të deputetëve të opozitës.
Në tekst theksohet se “të vetëdijshëm se opozita në papërgjegjshmëri të plotë politike, ka krijuar një ngërç artificial duke braktisur institucionet kushtetuese të vendit, na lind detyra të përfaqësojmë pa asnjë dallim, masën e të gjithë shqiptarëve që duan një të ardhme më të mirë në vendin e tyre, një vend europian, me shumë oportunitete për gjeneratat që do të vijnë”.
“Partia Socialiste nuk mund të jetë indiferente ndaj veprimeve të dhunshme dhe antidemokratike të partive opozitare dhe as nuk mund t’i nënshtrohet shantazheve publike jashtë kornizës kushtetuese. Djegia e mandateve nga një grup i deputetëve opozitarë është një akt i pashembullt kundër parimeve të demokracisë dhe parlamentarizmit, por edhe braktisje e përgjegjshmërisë politike, kushtetuese dhe institucionale ndaj vendit dhe qytetarëve. Braktisja e Kuvendit dhe dhuna sistematike ndaj rendit institucional në Shqipëri është një goditje ndaj interesave afatgjatë të Shqipërisë, impaktojnë negativisht imazhin e vendit, minojnë procesin e reformave dhe procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE”, thuhet në deklaratën e miratuar.
Partia Socialiste gjithashtu me anë të kësaj deklarate i bën thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të vijojnë të mbeten të angazhuar e përkushtuar në garantimin dhe ruajtjen e rendit demokratik dhe avancimin e agjendës europiane të Shqipërisë.
“Partia Socialiste është legjitimuar si forcë qeverisëse përmes votës së qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e vitit 2017. Vullneti i qytetarëve i shprehur përmes votës, legjitimiteti i qeverisë dhe afatet kushtetuese elektorale, nuk mund të deformohen me instrumente antikushtetues dhe akte antidemokratike të pakicës jashtë parlamentit. Dialogu parlamentar, politik e shoqëror mbetet e vetmja zgjidhje dhe duhet të jetë i vetmi instrument i promovuar nga të gjithë forcat politike, në favor të vendit dhe qytetarëve shqiptarë. Ky Kongres vendos piketat për përgatitjen e Partisë Socialiste për zgjedhjet lokale të Qershorit 2019 dhe zgjedhjet e përgjithshme të Qershorit 2021”, thuhet më tej në deklaratën e miratuar në Kongres.