Në kushtet kur ka një ngrirje të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, Kongresmeni amerikan, Eliot Engel ka paralajmëruar Serbinë se nuk do të ketë integrim në Bashkimin Evropian pa njohjen e Kosovës.
Engel ka sjellë në vëmendje apelin e ambasadorit gjerman Christoph Heusgen në Këshillin e Sigurimit, që tha se Kosova është e pavarur, dhe njohja e këtij realiteti është e vetmja mënyrë që Serbia të ecë përpara në rrugën drejt Europës.
“Serbia duhet t’i trajtojë me shumë kujdes fjalët e ambasadorit gjerman Christoph Heusgen në Këshillin e Sigurimit të bëra të enjten, sepse nuk do të mund të integrohen në Bashkimin Evropian derisa nuk e njohin Kosovën”
Ndërkohë, njohja e Kosovës nga ana e Serbisë duket një realitet i largët në kushtet ku mes vendeve ka një debat për tarifat ndaj produkteve serbe. Po ashtu, dy krerët e shteteve, Thaçi dhe Vuçiç kanë hedhur idenë e korrigjimit të kufijve.