Kontingjenti i 2-të me 30 efektivë nga Forcat Tokësore, efektivë të Batalionit Komando, nga Regjimenti i Operacioneve Speciale (ROS) janë nisur në Kosovë për të shërbyer si pjesë e misionit të KFOR.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i pranishëm në ceremoninë e përcjelljes e vlerësoi këtë si një moment të veçantë për faktin se këta efektivë nisen në mision si përfaqësues të vendit në përpjekjet e Aleancës së NATO-s për t’i shërbyer sigurisë dhe paqes.
“Republika e Shqipërisë në vijimësi ka dëshmuar se është jo vetëm faktor paqeje dhe stabiliteti rajonal e më gjerë, por edhe një aleat serioz, i cili merr përsipër dhe mban barrën e detyrimeve dhe në kuadër të mbrojtjes kolektive të Aleancës”, u shpreh gjatë fjalës së tij Peleshi.
Ministri i Mbrojtjes theksoi mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë ndaj aspiratave të Kosovës, por vlerësoi edhe rritjen e pranisë së forcave të vendeve të Aleancës si pjesë e KFOR.
30 trupat e Kontingjentit të 2-të nga Forca Tokësore, efektivë të Batalionit Komando, nga Regjimenti i Operacioneve Speciale (ROS) do të shërbejnë në zonën e Pejës, krah për krah me kolegët e tyre italianë dhe kroatë.
Në ceremoninë e përcjelljes morën pjesë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Arben Kingji, Komandanti i Forcës Tokësore, oficerë/nënoficerë si dhe familjarë të efektivëve.
/Argumentum.al