Qeveria ka vendosur të ndërhyjë në vendimin e saj “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet dhe procedurën e shitjes” duke përfshirë në një pjesë të mirë mënyrën sesi do të kalojë tek privati edhe grupi i pronave që mbulohen nga kontratat e qirasë 1 euro. Referuar ndryshimeve nënvizohet se pasuritë shtetërore të dhëna me kontratë qiraje me tarifën 1 euro/kontrata, i shiten në mënyrë të drejtpërdrejtë kontraktuesit nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, sipas përcaktimeve të objektit të kontratës (objekt, truall nënobjekt, truall funksional, linja teknologjike, makineri, pajisje nëse plotëson kushtet. Këto të fundit lidhen me kohën aktive të kontratës si dhe vlerën e investimit të bërë nga investitori.
Kështu në variantin e parë kontraktori mund të privatizojë pronën që i është dhënë me qira 1 euro nëse është konsumuar të paktën 5 vite kontrata, dhe në rast se vlera e investimit të kryer prej tij është mbi 150 për qind e vlerës së truallit ka respektuar kushtet e kontratës dhe nuk ka detyrime ndaj shtetit. Në rastin e dytë kur nuk janë plotësuar 5 vite kontratë vendimi përcakton se mund të bëhet privatizimi në çdo kohë, nëse kontrata është e vlefshme dhe brenda afatit të përcaktuar në kontratë, në rast se vlera e investimit të kryer prej tij është mbi 750 për qind e vlerës së truallit; nga ana e kontraktuesit janë respektuar kushtet e tjera të kontratës dhe ai nuk ka detyrime ndaj shtetit.
Pasi investimet e kryera nga kontraktuesi janë miratuar nga ministri përgjegjës për ekonominë, ky i fundit i propozon Këshillit të Ministrave dhënien e miratimit për fillimin e procedurave të privatizimit të objektit, sipas përcaktimeve të kontratës (objekt, truall nënobjekt, truall funksional, linja teknologjike, makineri, pajisje etj.), duke parashikuar edhe shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave, që ka miratuar kontratën e qirasë me tarifën 1 euro, pas nënshkrimit të kontratës së shitjes.
Nëse Këshilli i Ministrave miraton propozimin për fillimin e procedurave të privatizimit të objektit, sipas përcaktimeve të kontratës, ministri përgjegjës për ekonominë urdhëron vazhdimin e procedurave të privatizimit për shitje të drejtpërdrejtë, sipas objektit të kontratës, dhe ngre komisionin e vlerësimit, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
Vendimi sanksionon se privatizmi mund të bëhet deri në 80 për qind të vlerës me bono ndërkohë që nëse trualli ka ish-pronarë vlera e truallit kalon për kompensim. “Për qiramarrësit që blejnë nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, objektin shtetëror (godinën + linja teknologjike, makineri e pajisje), të cilin e kanë me qira/enfiteozë apo kontratë qiraje 1 euro, sipas përcaktimeve të kësaj pike, shlyerja e vlerës së objektit (godinës + linjës teknologjike, makineri e pajisje) bëhet deri në 80 (tetëdhjetë) për qind të vlerës së saj me bono privatizimi apo me lekë privatizimi, sipas kërkesës me shkrim, të depozituar pranë kësaj drejtorie nga blerësi i objektit. Pagesa e vlerës së truallit, për pasuritë shtetërore të dhëna me qira/enfiteozë dhe kontratë qiraje 1 euro do të bëhet vetëm me lekë” thuhet në ndryshimet e bëra tashmë të hyra në fuqi./monitor