Në këtë rubrikë ekskluzive të “ARGUMENTUM”, diplomati dhe analisti i njohur, Dr. Jorgji KOTE analizon shkurt dhe “shqip” dy kryetemat e nxehta të momenteve kryesore diplomatike në periudhën 1-16 PRILL 2020: Korona dhe Kosova
Diplomacia e virusit/koronës/ maskave
Kjo diplomaci e re me këto tre epitete alternativë po mbizotëron kudo këto tre muajt e fundit; protagonistë kryesorë janë Kina, Rusia, Turqia, BE-ja, etj mes hamendësive të ndryshme mbi objektivat gjeopolitike. Ndryshon rasti i Kubës, e cila sipas traditës së saj 55 vjeçare ditët e fundit dërgoi në Itali një ekip tjetër me 38 mjekë të kualifikuar; po ashtu dhe vendi ynë me dërgimin e 30 mjekëve dhe infirmierëve në Lombardi, si mesazh dhe imazh simbolik solidariteti dhe reciprociteti historik. Padyshim që nëpërmjet “virusdiplomacisë”, krahas aspektit gjeopolitik synohet rritja e imazhit publik të protagonistëve të saj. Kështu, këto ditë Kina dërgoi një avion tjetër me 60 ton ndihma mjeksore në Poloni dhe Kroaci, antare e BE-së dhe NATO-s, kurse Rusia në Itali, Spanjë dhe në SHBA! Bie në sy Turqia me ndihma të shumta mjeksore në 43 vende të botës; i pari vend antar i NATO-s që dërgoi pajisje mjeksore në Itali dhe Spanjë; si dhe në pesë vende të Ballkanit, në SHBA, Libi, Palestinë dhe në vende jo miqësore me të, si në Armeni dhe Izrael! Turqia, krahas aspektit humanitar, ka dhe objektiva të qarta simbolike, dmth “ ish i sëmuri i Bosforit”, dhe kandidat i BE-së tani ndihmon “ Të sëmurët e Europës”; fetare, për vëllezërit myslimanë, strategjike për të shtrirë ndikimin e saj, dhe “ degën e ullirit” për kundërshtarët. Edhe NATO me planet dhe paketat me ndihma po bëhet më aktive në diplomacinë e koronës.
Ndryshe po ndodh këtë radhë me SHBA-të, të cilat, përballë menazhimit jo të duhur të gjendjes, krahas akuzave ndaj Kinës, pas sulmeve të mëparshme, më 14 Prill, Presidenti Trump njoftoi pezullimin e fondit vjetor prej 400 Milion Euro ndaj Organizatës Botërore të Shëndetësisë( OBSH); vendim ky që pa qenë nevoja për analiza, të cilat mund të bëhen më vonë dhe pa përjashtuar mungesat e OBSH vjen në momentin më të gabuar. Me të drejtë i pari i OKB-së, Gueterres, liderë në shumë vende të botës, Bill Gates, dhe të tjerë e kanë kritikuar ashpër këtë sanksion që pengon OBSH-në në momentet kulmore të luftës ndaj COVID – 19. Pritet që diplomacia e koronës të shkojë më tej, në përpjekje për të bashkuar fuqitë e mëdha drejt një armëpushimi në zonat e nxehta të konflikteve; këtë e pohoi më 15 Prill Presidenti francez Macron pas kontakteve me homologët e tij përkatës. COVID – 19 do të vazhdojë jetë në top axhendën diplomatike planetare. Kështu, Gjermania e ka shpallur atë përparësi absolute të Presidencës së saj të BE-së në gjysmën e dytë 2020.
7 dhe 9 Prill : Takimet e Ministrave të Financave të BE-së kushtuar COVID – 19 “ Solidaritet, jo rigorozitet”
Shumë të mirëpritur pas dështimit të tre samiteve dhe zhgënjimit të madh që krijoi, sidomos te Italia mungesa e gatishmërisë për ndihmë nga BE-ja. Aq sa u vu në pikpyetje jo vetëm “nderi” por dhe vetë thelbi i saj – solidariteti për popujt në nevojë, si viktimë e rigorizitetit të rregullave të saj të ngurta. Më në fund, u miratua një paketë gjigande prej 540 miliard Euro, për ndërhyrjet e nevojshme mjeksore dhe rimëkëmbjen ekonomike pas kapërcimit të koronakrizës. Pozitive ishte se këto hua dhe borxhe për aspektin mjeksor do të jepen pa kushte dhe interesa. Kjo masë ishte një qetësues i mirë për shpirtrat e trazuar italianë, në mungesë të një dakordësimi lidhur me kërkesën e tyre kryesore, marrjen dhe ndarjen e përbashkët të detyrimeve të mëvonshme që lindin nga borxhet e përbashkëta, ose “ koronabondet”; duke mos ia lënë përgjegjësinë vetëm Italisë apo dhe vendeve të tjera të cilët dhe kështu janë të zhytura në borxhe kolosale. Gjermania, Holanda, Austria, etj janë kategorikisht kundër propozimit të vendeve të jugut lidhur me koronabondet; ata i përmmbahen thënies së njohur të Kohl që “ po bashkimit monetar, jo bashkimit të borxheve” Italia ka një të drejtë kur pretendon se nuk ka pse t’i nënshtrohet kushteve dhe kritereve të mekanizmave të BE-së, si Greqia 10 vjet më parë, mbasi ajo nuk ka asnjë faj për koronavirusin. Nga ana tjetër, koronabondet do të krijonin shumë telashe dhe probleme, ndoshta dhe më të mëdha për vendet huadhënëse, duke filluar nga ndryshimet e nevojshme në legjislacion dhe pasojat në një rast kur huamarrësi nuk do të ishte në gjendje të shlyente borxhet; plus kundërshtimin e madh nga populistët në këto vende. Sa për solidaritetin, ata mendojnë se ka forma dhe mënyra të tjera.
Tani problemi mbetet te zbatimi i këtyre instrumentave, sipas parimit “ mishi të piqet dhe helli të mos digjet” Kjo çështje dhe sidomos mundësia e një Plani Marshall Europian prej 1,5 Trilion Euro do të diskutohet në Samitin e BE-së më 23 Prill. Shpresohet shumë që BE të rivendosë imazhin e saj me një diplomaci tejet aktive të koronavirusit; që globalizmi dhe multilaterizmi të mos viktimizohen si fajtorë, por me korrigjimet e rasstit, të vlerësohen si faktorë pozitivë në luftën me sukses kundër tij.
3 Prill- Lajçak miratohet nga BE si i Dërguar për dialogun Prishtinë – Beograd.
Ky emërim nga Këshilli i BE-së në fillim të muajit le jo pak vend për rezerva dhe skepticizëm. Sepse pa nënvleftësuar përvojën e tij në këtë fushë, Lajçak vjen nga Slovakia që nuk denjon ta njohë Kosovën, kur dhe shefi i tij direkt, Josep Borrell vjen nga Spanja me qëndrime dhe më radikale e filoserbe. Lajçak njihet për njënashmërinë ndaj Serbisë, jo vetëm se ka qenë ambasador atje dhe i dërguar vite më parë për Bosnien; prej nga ku dështoi dhe u largua për të marrë postin e kryediplomatit në një qeveri rejet problematike që dy vitet e fundit humbi besueshmërinë publike për shkak të aferave dhe skandaleve kriminale. Vjen nga një vend i vogël e pa kurfarë peshe në skenën ndërkombëtare, me një staturë të dobët, sidomos përballë dy “ divave” amerikanë. Gjithsesi, le të presim performancën e tij praktike. Vetëm se deri sa të mbarojë pandemia, zgjedhjet e shtyra në Serbi, në Kosovë dhe në SHBA, jo Lajçak, por askush tjetër nuk mund të përshpejtojë apo të përfundojë shpejt dialogun Prishtinë – Beograd. Ja pse, mandati i tij 12 mujor ka të ngjarë të jetë më tepër një ushtrim diplomatik virtual “pa top”.
Gafa&gabime: Fill pas emërimit të Lajçak, Kryeministri Kurti i dërgoi atij një letër urimi. Mirë bëri, por, kjo Letër është plot gafa dhe gabime; ajo i tejkalon ku e ku kufijtë e mirësjelljes dhe urimit për detyrën; sepse Kurti hyn në zona të ndaluara e të minuara që nuk “ka këllqe” t’i përballojë. Gaboi sepse përmbajtjen dhe parimet e dialogut që përmend në letër i përcaktojnë aktorët e tjerë të mëdhenj politikë; gabimet vijojnë me njoftimin që ai bën lidhur me caktimin e ekipit politik të negociatave; nuk është letra mjeti dhe momenti për këtë njoftim dhe as Kurti që nuk e ka këtë tagër; gafa tjetër është se Kurti nuk mund të caktojë Presidentin dhe Kryetaren e Kuvendit si antarë të ekipit! Nuk shkon fare, dhe sepse ai është kryeministër në ikje apo në largim ( outgoing) i një qeverie kuldestare ( caretaker) Madje, Kurti nuk mund ta bënte këtë dhe sikur të ishte në krye të një qeverie funksionale pa konsultime të forcat e tjera politike. Ndaj, ishte më e udhës që në atë letër ai të mjaftohej me një urim dhe një premtim në parim për rifillimin e dialogut sapo të përfundojë COVID dhe aq. Gafa tjetër e Letrës është mospërmendja fare e rolit të SHBA-ve dhe e të dërguarve të saj të posaçëm. Kur vetë Lajçak në deklaratën e tij të parë e ka theksuar këtë bashkëpunim. Kësaj i thonë “ i zoti e shet, tellali se jep” Natyrisht që Lajçak u mjaftua me një përgjigje sipas etikës diplomatike.
Gabimet veçse në sensin e kundërt vazhdojnë dhe nga kampi i Presidentit Thaçi. Kështu, pavarësisht kundërshtimeve të tij të mëparshme ndaj tij, Thaçi tashmë duhet ta njohë Lajçak, pra në një farë mënyrë “ t’i thotë derrit dajë” As të mos shprehet për primatin amerikan në dialogun me Beogradin, kur këtë rol e ka BE-ja dhe vetë SHBA e ka pranuar. Pra “ të mos bëhet më katolik se Papa” Gabim bëri dhe këshilltari i tij diplomatik disa ditë më parë kur qortoi Lajçak pse kishte telefonuar Vuçiç të parin dhe jo Thaçin!! Mirëpo, askush, as vetë Borrell nuk ka të drejtë t’i diktojë ndërmjetësuesit se kë duhet të telefonojë të parin. Kush ka punuar në diplomaci e di mirë se atyre u lihet goxha kohë dhe hapësirë veprimi në planin taktik, me qëllim që të realizojnë strategjinë përkatëse për të cilën janë ngarkuar. Ndërkohë, siç nënvizojnë me të drejtë në Letrën e tyre të datës 13 Prill dërguar Sekretarit Amerikan të Shtetit, Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Kongresit Amerikan Engel dhe senatori Menendez, edhe R. Grenell ka gabuar ose është nxituar me sjelljen asimetrike diplomatike ndaj Prishtinës dhe Beogradit. Por le të shpresojmë se dhe kjo bën pjesë në manovrat e tyre taktike.
/argumentum.al/
© Argumentum