Në këtë rubrikë ekskluzive të “ARGUMENTUM”, diplomati dhe analisti i njohur, Dr. Jorgji KOTE komenton “ shqip” dhe vetëm me 900 fjalë tre kryetemat diplomatike të periudhës 16 – 30 PRILL 2020: Korona, Kosova dhe Korea e Veriut. Për ata me“oreks”më të madh, mund të lexojnë analizat tona të shumta.
- Diplomacia e virusit/koronës u intensifikua më tej, natyrisht në versionin e saj dixhital ose “ zoom”; ajo u ngjit në nivelet më të larta deri në OKB. Mirëpo, me përjashtim të dimensionit të suksesshëm humanitar, nuk ka ende shenja e ca më pak rezultate premtuese në bashkimin/solidarizimin e fuqive të mëdha përballë COVID – 19. Madje, ka patur përplasje dhe akuza nga SHBA-të, BE-ja dhe NATO-s ndaj Kinës dhe Rusisë mbi trajtimin e koronavirusit në fazat e hershme. Pas BE-së, më 29 Prill dhe NATO denoncoi Kinën, Rusinë dhe Iranin për fushatat dizinformuese ndaj Perëndimit lidhur me menazhimin e pandemisë. Në një Samit të OKB-së, më 24 Prill, me nismën e OBSH-së, Presidenti Trump nuk iu bashkua Macron-it, Merkel-it e të tjerëve. Ndërkohë, Rusia ka protestuar ndaj vendimit me shumicë në Ansamblenë e Përgjithshme të OKB-së, sidomos ndaj SHBA-ve dhe BE-së për mosheqjen e sanksioneve ekonomike në kuadrin e propozimit për një “ Kartë Solidariteti”.
Në Samitin e saj më 23 Prill, BE-ja miratoi paketën me 570 Miliard Euro të ndihmës dhe bëri maksimumin për të sheshuar ndarjet lidhur me koronabondet. Për shkak të kundërshtimit kategorik të Gjermanisë, por dhe të Holandës dhe Austrisë, koronabonde, marrja e përbashkët borxheve nga të gjitha vendet e BE-së për llogari të Italisë dhe vendeve të tjera në nevojë me të gjitha përgjegjësitë përkatëse është lënë mënjanë; ajo do të kompensohet me forma të tjera solidariteti, më konkretisht me një Plani Marshall Europian ose të Rimëkëmbjes Ekonomike rreth 1,5 Trilion Euro .
Kjo ide pritet të miratohet në Samitin e saj të ardhshëm më 6 Maj. Mjaft mirë u prit akordimi më 29 Prill nga Komisioni Europian i një paketë ndihmash për Ballkanin prej 3,3 Miliard Euro për krizën e koronës; që do të pasohet nga fonde të tjera investimesh ekonomike. “Zgjidhja e qeses” nga BE-ja ka qetësuar shpirtrat e trazuar në Itali, në Ballkan dhe gjetkë, duke zhgënjyer populistët dhe euroskeptikët.
- Kriza në Kosovë: Meqenëse Kryeministri në largim Kurti, sipas Kushtetuës nuk paraqiti kanditaturë zëvendësuese, Presidenti Thaçi sot mandatoi Avdullah HOTI i LDK-së, si partia e dytë në zgjedhjet e 6 Tetorit, madje“ rrotë më rrotë” me Lëvizjen “ Vetëvendosja” për të krijuar koalicionin e ri qeveritar; tanimë ai është pothuajse gati, me kundërshtime dhe me shpresa/pritshmëri në trajtimin e sfidave të njohura serioze brenda e jashtë vendit, sidomos dialogun dhe Marrëveshjen me Serbinë. Logjika e zgjedhjeve te parakohshme nuk shkon në asnjë aspekt. Sepse elektorati nuk i dha 51 për qind “Vetëvendosjes” që rënia e saj të shpinte detyrimisht në zgjedhje të reja, mbasi çdo koalicion tjetër do të ishte i pamundur.Në rastin konkret, shumica parlamemtare e dalë nga zgjedhjet e 6 Tetorit 2019 po krijohet dhe kjo është normale. Ndryshe i bie që sa herë rrëzohet në Parlament partia e parë por pa shumicë absolute të shkohet në zgjedhje! Të cilat nuk do të sillnin zgjidhje, por “zgjedhë” politike. Vetëm pamundësia e partive parlamentare për të krijuar qeveri të re mund të çojë në zgjedhje të parakohshme, siç ndodhi sivjet me Izraelin dhe Spanjën. Shihni Italinë, ku vjet iku nga qeveria “ Lega Nord” ndonëse partia e parë me 34 për qind që të provokonte zgjedhje të parakohshme; por kjo u shmang falë përfshirjes në qeveri të PD-së së majtë, madje opozitare. Sa për Kushtetutën, ajo do lexuar “në gërma” por dhe “në frymë” dhe mbi të gjitha në terrenin konkret.
Kjo “gjullurdi” dhe tymnajë politike në kohë kolere në Kosovë e la në hije dhe Takimin e KS të OKB-së për Kosovën më 28 Prill; ai ishte fare rutinor me një përfaqësim të një formati më të ulët. Në këto situata nuk mund të pritej më shumë. Siç e kemi theksuar dhe më parë, të paktën deri në mbarim të krizës së koronës, të gjithë aktorët/faktorët politikë, veç mospajtimeve ndërmjet tyre, janë të detyruar të luajnë “pa top” dhe në vartësi të dinamikës në Prishtinë, Beograd dhe në SHBA.
- Në Gadishullin Korean, gati 1/5 e shtetasve mbajnë emrin Kim, që do të thotë “ ar” . Por, në pjesën veriore, në 75 vitet e fundit ky emër përkthehet “ car” Kjo mbasi aty ka sunduar me zjarr dhe me hekur dinastia familjare e tre “Kim”-save; dy javët e fundit bota po ‘ zien” nga thashethemet politike se diktatori 36 vjeçar Kim Jong Un ka vdekur, se është në gjendje të rëndë shëndetësore pas një ndërhyrjeje të rëndë kirurgjikale, është duke marrë vehten apo dhe i izoluar nga frika e koronës në “ bllokun” e tij relaksues larg Phenianit. Mirëpo, dhe sikur të vdesë, kjo vështirë se ngjall ndonjë shpresë dhe pritshmëri për ndryshim. Sepse diktatura atje është rrënjosur shumë më thellë se kudo; pastaj, aty është gati për pushtet “Kim”-ja e katërt motër, arkitektja dhe menaxherja politike e vëllait dhe totalitarizmit të tij. Jashtë vendit, ndryshe nga 3 dekada më parë kur po u “ binin poturret” tani Kina dhe Rusia, fqinje të Phenianit janë shumë më të fortë, në sulm dhe nuk lenë të “ bëjë xhap” njeri atje. Po, një “Ostpolitik” e re koreane mund të jepte ndonjë rezultat, por kjo do të kërkonte kohë të gjatë. Edhe klima e përgjithshme politike dhe e sigurisë është shumë më e zymtë se më 1989, me lloj lloj muresh që po ngrihen gjithandej. Shto këtu dhe faktin që përmbysja e Kadafit, Huseinit, etj i çoi ato vende dhe rajonin “ nga shiu në breshër” /argumentum.al/
© Argumentum.