Eksperti i ekonomisë, Ardian Civici tha se në kushtet që ndodhet Shqipëria këtë moment për shkak të koronavirusit, vendi mund të kalojë një emergjencë ekonomike. Ai ka thënë se më të rrezikuarit janë fasoneritë dhe call center.
Në një intervistë për ’News24’, ai tha se kjo situatë do të prekë bankat, biznese dhe se qeveria duhet të marrë disa hapat siç kanë marrë vendet e tjera që mos të dëmtohet ekonomia e vendit.
“Kërkohet ndërhyrje emergjente në ekonomi. Fasoneria dhe call center kanë nevojë për një paketë ndihme ekonomike. Situata ku ndodhemi do prekë edhe bankat, përballimi i situatës ka një kosto. Në këtë fazë, duke pasur parasysh se cfarë po bëjnë edhe vendet e tjera,” tha Civici.
Civici tha se për të përballuar këtë situatë qeveria duhet të rishikojë buxhetin e vitit 2020.
“Të bëhet një paketë e plotë nga qeveria, të rishikohet buxheti i vitit 2020. Pritet një krizë globale financiare si ajo e vitit 2008, ajo që po ndodh në shkallë globale do ndodhë edhe në shkallë lokale. Nëse do vazhdojmë edhe 2-3 javë me këtë situatë kërkohet nderhyrje urgjente..duhet paketë e veçantë për të mbështetur konsumin”, tha Civici.