Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Shkodra se falë investimeve në infrastrukturën rrugore koha e lidhjes me Tiranën brenda kësaj dekade do të jetë rreth 40-45 minuta.
Gjatë çeljes së konkursit ndërkombëtar për Rozafën e re në Shkodër, Rama u ndal edhe te investimet në infrastrukturën rrugore, që sipas tij, do të përmirësojnë ndjeshëm ndërlidhjen.
“Është pjesë e një vizioni shumë më të gjerë që kombinon së bashku investimet publike të cilat për Shkodrën dhe gjithë këtë territor që shkon deri lart në Theth, apo shtrihet deri në kufirin me Malin e Zi po shtohen dita-ditës”, tha Rama.
Sipas tij, e gjitha kjo duke konsideruar domosdoshmërinë e një lidhjeje shumë të shpejtë dhe shumë të sigurt të Shkodrës qoftë me veriun lart, por edhe me Tiranën dhe jugun.
“Kryesore mbetet sfida për ndërtimin deri në Murriqan të Korridorit Blu, i cili tanimë e ka një segment të përfunduar dhe të prekshëm për të gjithë aksin Thumanë-Kashar, por që do të vazhdojë me segmentet e tjera që do të lidhin Balldrenin me Milotin, Milotin me Muriqanin dhe Balldrenin me Thumanën”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, për të gjitha këto projekte janë të qarta edhe hapat që do ndiqen.
“Ndërkohë një pjesë të rëndësishme të punës për projektet e kemi bërë dhe për pak ditë do të lidhen edhe kontratat e reja për segmentet më poshtë, nga Thumana në Kashar tanimë e kemi, nga Kashari në Rrogozhinë nga Rrogozhina në Fier”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se koha e lidhjes së Shkodrës me jugun poshtë do të jetë sa është sot koha e lidhjes me Tiranën.
“Do të mund të shkohet deri në Vlorë për 2 orë dhe kështu me radhë me gjithë projektet e tjera”, theksoi ai.