Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, ka realizuar vizitën e saj të parë në Shqipëri pas marrjes së detyrës. Ajo është pritur nga kryeministri Edi Rama, i cili ka theksuar rëndësinë e mbështetjes financiare nga Bashkimi Europian. Gjatë takimit, Marta Kos vlerësoi përparimin e dukshëm të Shqipërisë në procesin e integrimit dhe theksoi se vendi e meriton të jetë në BE.
Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos u shpreh sot gjatë një konference për shtyp me kryeministrin Edi Rama, se gjeopolitika sot në Evropë është një tregues se rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE-së është i sigurt dhe i vërtetë.
“Sigurisht që gjeopolitika, është ajo sot që na tregon se gjithçka mund të jetë e mundur dhe një gjë mund të jetë stabël dhe rrugëtimi juaj drejt BE-së është i sigurt në udhën e vet dhe është i vërtetë. Më pëlqen që takohem me ju, me ekipin tuaj, me Majlindën kryenegociatoren dhe shoh që jeni kaq pasionant për vendin tuaj por edhe për BE-në dhe erdha këtu për t’ju treguar mbështetjen time të plotë për objektivat tuaj kaq ambiciozë për të cilat më ka treguar ekipi im dhe që janë objektiva realiste dhe jo thjesht, ambiciozë”, u shpreh Kos.
“Ju citoj kur ju thoni që dëshironi të mbyllni negociatat deri në fund të 2027 dhe ne po ecim në rrugën e duhur, jemi në udhën e duhur dhe të mbarë sepse janë hapur tashmë grupkapitujt e caktuar, 2,3 gjithashtu do të jenë dhe gjithë grup-kapitujt e tjerë”, u shpreh Kos.
“Dhe siç e dimë edhe ne, nuk bëhet fjalë vetëm për hapjen e grup-kapitujve, por edhe për mbylljen e tyre. Jam e sigurt se me të gjithë reformat që ju po kryeni kjo do të jetë e mundur. Me shumë dëshirë, duam që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së, ju e meritoni sepse me ju brenda BE, Evropa nuk do të jetë thjeshtë më e madhe, por dhe më e fortë”, tha komisionerja.
“Gjëja tjetër e rëndësishme që dua të them është që ju jeni ishull stabiliteti, ju keni marrëdhënie të fqinjësisë së mirë në rajon, dhe kjo është diçka që ne shpesh e harrojmë, ju jeni kampionë për bashkëpunimin rajonal”, vijoi Komisionerja për Zgjerimin e BE-së.
Kos i dhuron Ramës një fanellë të BE-së, ndërsa ai e fton të ngjisin Korabin kur të mbarojnë negociatat

Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos i dhuroi sot kryeministrit Edi Rama një fanellë kryeministrit me numrin 11, ku ishte i stampuar edhe flamuri i BE-së.
“Unë jam shumë sportive, vij nga një familje që është marrë me sport kemi parë edhe Kampionatin Evropian të Futbollit dhe kemi parë sa të shpejtë jeni ju. Nedim Bajrami bëri edhe golin në sekondën e 23 dhe tani e kuptova sa të shpejtë jeni ju për t’u anëtarësuar edhe në BE nga goli që e bëtë kundër Italisë”, tha Kos gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Rama.
Komisionerja Kos u shpreh “përgëzime se futbolli luan një rol të rëndësishëm në jetën shqiptare”.
“Basketbolli ka luajtur një rol të posaçëm në jetën tuaj kështu që dhurata ime për ju sot është kjo fanellë, kjo është simbolike për të gjithë Shqipërinë. Aty thuhet skuadra Evropë, duam që e Shqipëria të bëhet pjesë e Evropës. Ky është numri im me fat, prandaj ju dhamë edhe numrin 11 në ekipin tonë”, tha Kos.
Komisionerja Kos theksoi se “angazhimi im është, që nuk luaj dot basketboll, me ju nga njëra anë, por kur të përfundojmë procesin e negociatave unë do të ngjitem në malin më të lartë të Shqipërisë, Korabin që është 2764 m që është 100 m më pak se mali më i lartë në Slloveni. Por do të doja shumë të vinit me mua”.
Kryeministri Edi Rama tha se “nëse kur të hyjmë në BE do t’ju jap një kryeministër të ri e të freskët që të ngjitet me ju deri në majën më të lartë”.
“Jam mjaft i prekur, 11 është numër i shkëlqyer. Jam mjaft i angazhuar dhe krenar të kem një ekip që është mjaft i përkushtuar”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me Komisioneren për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos u shpreh se, Shqipëria është shumë e vendosur që ta përmbushë me sukses objektivin shumë ambicioz të përfundimit të negociatave brenda 2027-ës.
“Ne në rajon e kemi pritur me entuziazëm zgjedhjen tuaj sepse ju jeni edhe e BE-së, por edhe e jona, duke qenë nga një vend i rajonit, i cili ka shkëlqyer në rrugën e vet dhe sot është një anëtar krenar i BE-së, Sllovenia. Dhe sidoqoftë duke pasur gjakun më pranë nesh sesa pranë Brukselit shpresoj dhe jam i bindur në fakt, megjithëse ju s’do e thoni këtë më vjen jashtëzakonisht mirë që takohemi në një moment kur ne kemi arsye të jemi krenarë për çfarë kemi bërë, ju keni arsye për të na mbështetur pa rezervë, por dua ta theksoj, ne nuk e marrim mbështetjen tuaj si diçka të dhënë një herë e mirë, por si diçka që duhet fituar çdo ditë”, u shpreh Rama.
“Është mbështetja e një institucioni të madh dhe të shumë kërkues siç është BE-ja, të cilën ne jemi të vetëdijshëm që duhet ta meritojmë çdo ditë sepse ne duam të bëhemi pjesë e familjes së bashkuar evropiane”, vijoi Rama.
“Ne e dimë që nuk ka asnjë alternativë tjetër. Pikërisht sepse nuk ka alternativë tjetër të lirisë individuale. Nuk ka alternativë tjetër të barazisë para ligjit, nuk ka alternativë tjetër të bashkëjetesës në diversitet dhe të standardeve evropiane të kësaj bashkëjetese”, theksoi ai.
Kryeministri u shpreh se me Komisioneren folën edhe për të shkuarën, e cila, theksoi Rama “ne na ka mësuar në mënyrën më brutale që pse rruga e vetme e jona është rruga e BE-së”.
Nga ana tjetër, shtoi Rama, “ne jemi shumë të vendosur që ta përmbushim me sukses objektivin shumë ambicioz të përfundimit të negociatave brenda 2027-ës dhe ambicia ime ambicia jonë është që shqiptarët të marrin pasaportën e BE-së brenda kësaj dekade dhe të mundet që kur ulen në aeroportet e Evropës të hyjnë nga ai korridori me atë konstelacionin e yjeve dhe jo nga ai korridori tjetër ku shkruan “të tjerët. Kjo është shumë e rëndësishme për ne se na iku jeta tek të tjerët, me shekuj”.
“Parlamenti i Shqipërisë ka në tryezë sot marrëveshjet financiare për Planin e Rritjes që i hapin rrugë edhe fillimit të financimit të fondeve që janë rreth 1 miliardë euro të dedikuara për Shqipërinë. Kështu që e dashur Marta ne duam lekët tona”, tha Rama.
/Argumentum.al