Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi gjatë mbledhjes së ekzekutivit më 13 mars se kërkesa drejtuar Agjencisë Kadastrale është bërë pasi që zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë të Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.
Kurti tha se, ndonëse Qeverisë së Kosovës nuk i pëlqen vendimi – të cilin e ka cilësuar “të çuditshëm” e “të padrejtë” – ajo nuk ka mjete ligjore e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Shefi i ekzekutivit kosovar deklaroi se nuk do të ndryshojë qëndrimi i Qeverisë ndaj “këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë”, por se, në anën tjetër, nuk ka dyshim se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës “do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe një hap gjigant për republikën tonë drejt njohjes nga pesëshja evropiane, që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian për Kosovën e pavarur”.
Kurti, po ashtu, bëri të ditur se ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës, përderisa ka theksuar se procesi i vendimmarrjes për anëtarësimin e Kosovës do të përfundojë në maj.
“Më 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme e komunitetit atje, nga mesi i prillit është Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, dhe në fund të majit është shqyrtimi nga Këshilli i Ministrave, në Këshillin e Evropës, që vendos për anëtarësimin tonë”, tha ai.
Siç mëson jozyrtarisht Radio Evropa e Lirë nga burimet e saj në qarqet kishtare, Dioqeza e Rashkës-Prizrenit nuk do të deklarohet për këtë çështje, derisa të sigurohet plotësisht se 24 hektarët tokë dhe pyje të regjistrohen në emër të Manastirit të Deçanit.
Faktori ndërkombëtar mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës
Vendimi i Qeverisë së Kosovës është përshëndetur menjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një konferencë për media, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, në Prishtinë, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se “aq sa ishte i rëndësishëm dhe i vështirë, vendimi i sotëm për Manastirin ishte shumë i domosdoshëm”.
Ndërkaq, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se vendimi i ekzekutivit kosovar “demonstron përkushtimin e Kosovës për të respektuar sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit”.
Zbatimi i vendimit për Manastirin e Deçanit është mirëpritur edhe nga ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde.
Përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter, diplomati gjerman tha se pavarësisht se zbatimi i këtij vendimi është i vonuar, ai paraqet “një hap të rëndësishëm në angazhimin e Kosovës për sundim të ligjit”.
Ndërkaq, kreu i misionit në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Michael Davenport, tha se zbatimi i vendimit për Manastirin e Deçanit “do të ruajë respektin për sundimin e ligjit”.
Që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, Manastiri i Deçanit, i cili gjendet në pjesën perëndimore të vendit, kërkon marrjen në pronësi të një sipërfaqeje prej rreth 24 hektarësh.
Kjo tokë, që ndodhet përreth këtij manastiri, në kadastër është e shënuar si pronë e dy ndërmarrjeve “Iliria” dhe “Apiko” – e para hotel dhe e dyta fabrikë mjalti.
Pronësia e Manastirit të Deçanit mbi këta 24 hektarë tokë u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në maj të vitit 2016.
Por, këtë vendim, autoritetet lokale të Deçanit nuk e zbatojnë as sot e kësaj dite, duke vlerësuar se kjo sipërfaqe u mor me dhunë në vitet ’90, nga regjimi i udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.
Nga Manastiri i Deçanit i thanë REL-it se në vitin 1997, manastirit, në fakt, iu kthyen 24 nga gjithsej 700 hektarët tokë, të cilët i janë marrë në vitin 1946 nga pushteti komunist i Jugosllavisë së atëhershme.
Çfarë ka në këtë sipërfaqe dhe pse është e rëndësishme për Deçanin?
Përveç tokës bujqësore dhe pyllit, në këta 24 hektarë ndodhen edhe dy objekte hoteliere, me rreth 10 objekte të vogla përcjellëse, si dhe objekti i një ndërmarrjeje që në kohën e paraluftës njihej për prodhim të mjaltit.
Komuna e Deçanit dhe drejtoritë përkatëse, përfshirë Kadastrën, refuzojnë t’i lejojnë Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër këta 24 hektarë.
Ato pretendojnë se kjo sipërfaqe u takon ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i kanë takuar asnjëherë Manastirit të Deçanit.
Jo vetëm institucionet lokale në Deçan, por edhe Qeveria e tanishme e Kosovës, si dhe disa qeveri të kaluara kanë shprehur haptas bindjen se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka “legalizuar” vendimin e ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ), Sllobodan Millosheviq, të vitit 1997, kur ai ka vendosur t’ia dhurojë atë pronë Manastirit të Deçanit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur më 13 mars se Qeveria e tij i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që ta zbatojë vendimin e vitit 2016 të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pronën rreth Manastirit të Deçanit. Ky kontest pronësor, që thuhet se qëndron mes Kosovës dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ka nxitur mosmarrëveshje të shumta ndër vite.
/REL