Me ceremoni shtetërore është bërë zbarkimi i kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës që do të marrë pjesë në misionin e parë paqeruajtës në botë. Krah ushtrisë amerikane, pjesëtarë të Forcës do të shërbejnë së paku gjashtë muaj në shtetin e Kuvajtit.
Në ceremoni, ushtruesja e detyrës së presidentit të vendit, Vjosa Osmani tha se ushtarët e Kosovës do të jenë gjithmonë aty ku rrezikohen interesat e shtetit dhe të aleatëve. Osmani tha se kërcënimi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënkupton kërcënim edhe për Republikën e Kosovës.
“O Zot, dhuroju dinjitet, kurajo dhe guxim në mënyrë që të jetojnë ndershëm në shërbim të vendit”, është kjo një pjesë e lutjes që i përcjellë ushtarët e Kosovës drejt një misioni paqeruajtës në botë.
Me këtë edhe nisi ceremonia sot në kazermën “Adem Jashari” lexuar nga Kapedani i Forcës së Sigurisë së Kosovës, rreshter major Agim Gashi.
“O Zot, ndihmona të bëjmë Ushtrinë e Kosovës të ditur e të guximshme, mundësona që aty ku shkel këmba e ushtarit tonë të jetë vend i sigurt dhe i qetë. Të lutem o i madhi Zot, forcona vullnetin tonë, harmoninë fetare dhe kombëtare. O Zot, madhëro paqe për ne, për familjet tona, dhe paqe për gjithë botën e mbarë”.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të vendit, Vjosa Osmani që është edhe komandant suprem i Forcës, tha se ky mision nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e ushtrisë amerikane.
“Siç e kemi dëshmuar edhe më parë, ne nuk dimë të zmbrapsemi, ushtarët tanë do të jenë kudo dhe kurdo që rrezikohen interesat tona e vlerat të cilat besojmë por edhe ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tanë të tjerë. Pra, që të jemi të qartë, kushdo që kërcënon Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë të tjerë ka kërcënuar edhe Republikën e Kosovës. Pra në Kosovë, Amerika e aleatët e tjerë gjithnjë do të gjejnë aleatin e tyre më besnik. Të dashur ushtarakë, ju po niseni drejt një sakrifice të re e cila nuk do të jetë vetëm e juaja por edhe familjeve tuaja dhe e gjithë shtetit”, tha Osmani.
Ushtarëve të FSK-së, Osmani u shprehu gatishmërinë për zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve operacionale duke premtuar edhe pajisje moderne.
Ajo tha se misioni paqeruajtës në Kuvajt është edhe testim i kapaciteteve të ushtarëve për të shkurtuar afatin kohor të transformimit të FSK-së me kapacitete të plota operacionale.
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se ushtarët po zbarkojnë në një mision fisnik dhe po e jetësojnë një qëllim për të cilin shumë gjenerata u sakrifikuan.
“Detyra jonë, shërbimi ndaj vendit, kërkon një sakrificë të madhe, unë e di që është shumë e vështirë të jeni larg familjeve tuaja për një kohë të gjatë, por liria nuk është falas, ajo paguhet me sakrificën e ushtarëve dhe familjeve të tyre. Për shkak të shërbimit tuaj dhe ushtarëve të tjerë ne jetojmë në një botë më të mirë dhe më të sigurt”, tha Rama.
Ndërsa ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, ish-komandant i UÇK-së, pati një porosi për ushtarakët.
“Siç e kemi traditën tonë të kultivuar ndër shekuj, respektoni dhe vlerësoni që të gjithë, ata janë krenarë me identitetin e tyre ashtu siç jemi edhe ne me identitetin tonë, sepse kjo është madhështia e paqes universale dhe respektit të ndërsjellë. Të dashur ushtarë, ju presim të ktheheni me një histori suksesi duke rritur rolin e Kosovës si një partner të besueshëm dhe faktor stabiliteti për paqen dhe sigurinë rajonale dhe botërore”, tha Quni.
Ushtarëve u është drejtuar përmes një video incizimi edhe gjenerali i Gardës Kombëtare të Iowa-s, Benjamin Corell i cili tha se ShBA-të dhe Kosova synojnë arritjen e paqes dhe stabilitetit në botë.
Në ceremoni, komandanti i FSK-së, Rrahman Rama vendosi shiritin për dislokim, e çdo gjë përfundoi me lutjen e lexuar nga Kapedani i Gardës Kombëtare të Iowa-s.
Në fillim të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka miratuar vendimin që mundëson pjesëmarrjen e një kontingjenti të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misionin e parë paqeruajtës në botë. Ata do të jenë krah ushtrisë amerikane në shtetin e Kuvajtit për së paku gjashtë muaj shërbim./rtk