Nga Xhenur ISENI
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë shënuan një moment të rëndësishëm politik, ku fitorja e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje tregoi fuqinë e rezistencës dhe angazhimit për ndërtimin e shtetit. Kosova dhe Kurti – lidhja që s’po thyhet – nuk është thjesht një lidhje e momentit, por një bashkëpunim që ka rrënjët e tij në një angazhim të përhershëm për ndërtimin e një shteti të fortë dhe të pavarur. Kurti, i cili ka dalë si lider karizmatik i Kosovës, ka arritur të krijojë një identitet të ngushtë me popullin e tij, duke u shndërruar në simbol të rezistencës dhe angazhimit të palëkundur për të siguruar sovranitetin dhe zhvillimin e vendit.
Në katër vitet e fundit, qeveria e Kurtit u përqendrua kryesisht në ruajtjen e sovranitetit dhe ndërtimin e themeleve të qëndrueshme shtetërore, një punë që shpesh nuk sjell popullaritet të menjëhershëm, por është jetike për të ardhmen e vendit. Gjatë mandatit të tij, Kurti nuk u fokusua te projektet infrastrukturore që janë më të dukshme për qytetarët, si rrugët, shkollat apo çerdhet, por gjithë energjia e kësaj garniture qeveritare u kanalizua në mbrojtjen e kufijve territorialë dhe forcimin e institucioneve shtetërore. Kjo strategji, ndonëse e lodhshme dhe shpesh e padukshme për publikun e gjerë, ishte thelbësore për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës. Pikërisht këtu, thënia e Jean Bodin bëhet e rëndësishme: “Sovraniteti është fuqia e fundit dhe e pandashme e një shteti, pa të cilin ai nuk mund të ekzistojë si një entitet i plotë dhe i pavarur”.
Nga ana tjetër, opozita, veçanërisht Lumir Abdixhiku, u gjend përballë një sfide të madhe duke u përplasur me një lider karizmatik dhe të vendosur si Albin Kurti. Një ndër gabimet e opozitës ishte mbështetja e madhe tek oligarkët dhe mediat, të cilat nuk mundën të ndikojnë vendimmarrjen e qytetarëve. Rënia e VV-së me rreth 8% në krahasim me zgjedhjet e kaluara mund të lexohet si një karton i verdhë nga qytetarët: ata duan që qeverisja të vazhdojë, por me një përmirësim të dukshëm në mënyrën e saj të funksionimit.
Historia politike e Kosovës tregon se çdo epokë ka kërkesat e veta. Në kohë lufte, vendit i është dashur një forcë si PDK-ja, në kohë krizash dhe negociatash të ashpra, VV është treguar më e duhura, ndërsa në periudha të qetësisë dhe stabilitetit, LDK-ja ka gjetur më shumë hapësirë. Ky cikël politik konfirmon se populli kërkon gjithnjë lidershipin që i përshtatet kohës dhe sfidave specifike që i dalin përpara Kosovës.
Por, fitorja e Kurtit nuk është vetëm një çështje numerike, por një mesazh i qartë për të gjithë: përballë një opozite të bashkuar kundër tij, përballë Listës Serbe dhe kundërshtarëve të tjerë të fortë, ai arriti të dalë triumfues. Fitorja e tij është një dëshmi e besimit të popullit në vizionin e tij dhe në rrugën që ai ka ndjekur për ta bërë Kosovën më të fuqishme e më të pavarur. Kosova dhe Kurti janë të lidhur ngushtë në këtë rrugë të pavarësisë, një lidhje që çdo sfidë apo kundërshtar politik nuk ka mundur ta thyente, dhe që vazhdon të forcohet çdo ditë e më shumë. Kurti ka arritur të krijojë një lidhje të fortë me popullin, një lidhje që është përtej një marrëdhënieje politike, duke u shndërruar në një bashkëpunim të sinqertë dhe të thellë që është themeluar mbi besimin dhe angazhimin e përbashkët për të ardhmen e Kosovës.
Sipas atyre që e kundërshtonin, të gjithë ishin kundër Kurtit. Por përballë kësaj sfide, përballë egërsisë së kundërshtarëve të tij politikë dhe përballë një opozite të tërë, ai doli fitimtar mbi të gjithë. Kjo fitore do të mbahet mend gjatë, jo vetëm si një rezultat zgjedhor, por si një moment kyç në historinë politike të Kosovës.
Në fund, zgjedhjet e djeshme e dëshmuan edhe njëherë se populli i Kosovës di të vlerësojë lidershipin dhe sakrificën, dhe se fitorja e Albin Kurtit është më shumë se një mandat tjetër – është një referendum mbi rrugën që Kosova duhet të ndjekë për të ardhmen e saj.
© 2025 Argumentum