Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë po takohen të hënën në Bruksel për të diskutuar me të dërguarin e Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë.
Takimi i sotëm është vazhdim i së martës së kaluar kur palët u zotuan të dalin me propozime të reja për zgjidhjen e situatës së krijuar pas rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë. Rregullorja që ka hyrë në fuqi me një shkurt, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi si dhe në tensionet ndërmjet palëve.
Asnjëra parë nuk ka dhënë ndonjë hollësi rreth propozimeve që mund të kenë bërë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Diplomatët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re. Kjo çështje është shndërruar në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore.
Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.
Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien tha javën e kaluar se Shtetet e Bashkuara janë mbështetës i fuqishëm i synimeve të Kosovës për t’u bërë pjesë e komunitetit ndërkombëtar dhe shpresojnë që qeveria e Kosovës do të marrë veprime në ditët në vijim që janë në përputhje me kërkesat e këtij komuniteti, përfshirë rregulloren e Bankës Qendrore për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa të gatshme në Kosovë. Zoti O’Brien tha se miqtë e Kosovës duan që kjo rregullore të rishqyrtohet.