Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po takohen në Bruksel për një raund të ri bisedimesh, vetëm pak ditë pasi në praninë e presidentit amerikan Donald Trump, ranë dakord të normalizojnë marrëdhëniet ekonomike.
Bashkimi Evropian publikoi paradite një deklaratë të përbashkët të dy zyrtarëve sipas së cilës ata i konfirmuan shefit të politikës së Jashtme Josep Borrell, “se përparësi e lartë e tyre është integrimi evropian dhe vazhdimi i punës bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian që është element thelbësor në rrugën e thyre evropiane. Ata gjithashtu u angazhuan për të dyfishuar përpjekjet e tyre për të siguruar harmonizimin e mëtejshëm me BE-në, në përputhje me detyrimet e tyre përkatëse”.
Në këtë kuadër, thuhet në deklaratë, “dokumenti i dakorduar së fundmi në Uashington, duke u mbështetur në angazhimet e mëparshme lidhur me dialogun të ndërmarra nga të dyja palët, mund të jap një ndihmesë të dobishme për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve”.
Takimi i së hënës në Bruksel pason dakordimin e të dyja palëve për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në Shtëpinë e Bardhë që u vlerësua lart nga Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi si një “një tjetër angazhim historik”, ndërsa vlerësoi kurajën e të dy udhëheqësve për të arritur një pajtim të tillë.
Në takimin e sotëm pritet të diskutohen çështja e personave të zhdukur gjatë luftës, çështja e të zhvendosurve dhe bashkëpunimi ekonomik. Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, tha se do të debatohet dhe për dy çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me “aranzhimet për komunitetet joshumicë dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronësore”.
“Këto bisedime nuk janë gjithnjë të lehta, prandaj jam i kënaqur të shoh përkushtimin e të dyja palëve”, tha zoti Borrell.