Parakalimi i trupave të Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës, ngritja e flamurit shtetëror si dhe veprimtari të tjera ishin pjesë e shënimeve për nder të 17 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Udhëheqësit e Kosovës ritheksuan sakrificën e popullit dhe mbështetjën e aleatëve si thelbësore në shënimin e kësaj dite.
“Përkulemi me respekt të thellë për familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët e kombit, të gjithë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e martirët që e bënë këtë ditë të mundshme me sakrificën e tyre të jashtëzakonshme. Historia jonë nuk do të ishte e njëjtë pa mbështetjen e aleatëve tanë, falenderimi ynë i përjetshëm shkon për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për NATO-n, për shtetet evropiane dhe demokracitë gjithandej botës sikur për të gjithë miqtë ndërkombëtarë që qëndruan me ne në momentet më të vështira dhe na ndihmuan që ta bëjmë të mundur lirinë dhe pavarsinë”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Nën ritmin e hapave të këmbëve të ushtarëve e policëve tanë sot dëgjojmë hapat e luftëtarëve të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, por edhe hapat e rrugës sonë të përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e NATO-s të nisur me 1999 por e cila do të vazhdojë deri në anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Përvjetori i shtatëmbëdhjetë i pavarësisë e gjen Kosovën në një periudhë të paqartësive e mundësive të hapura për formimin e qeverisë së re të vendit, pas zgjedhjeve parlamentare të nëntë shkurtit.
Vëzhguesit thonë se skenarët e mundshëm të formimit të qeverisë së re që përfshijnë lëvizjen Vetëvendosje me pakicat joserbe apo partitë opozitare të bashkuara, nuk ofrojnë fuqinë e duhur vendimmarrëse përballë sfidave të shumta që e presin vendin në planin e brendshëm dhe të jashtëm.
Krahas sfidave si përmirësimi i gjendjes ekonomike, arsimit dhe shërbimeve shëndetësore dhe luftimi i varfërisë, në planin e jashtëm qeveria e re do të përballet me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe me përpjekjet për ripërtëritjen e marrëdhënieve me fuqitë perëndimore, të cilat e kanë kritikuar qeverinë e Kryeministrit Kurti për veprimet e saj në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Presidenti amerikan, Donald Trump në një mesazh urimi për Presidenten Vjosa Osmani, me rastin e shtatëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, tha se lidhjet midis popujve të të dyja vendeve janë të forta dhe se pret zgjerimin e tyre duke theksuar se “Shtetet e Bashkuara presin të ndërtojnë një marrëdhënie më produktive me qeverinë e Kosovës në vazhdim të vitit”.
Sekretari amerikan i Shtetit Marko Rubio uroi Kosovën në përvjetorin e pavarësisë, duke theksuar se ky është një rast për të reflektuar mbi qëndrueshmërinë, vendosmërinë dhe aspiratat e popullit të Kosovës.
Sekretari Rubio tha në mesazhin e urimit se Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë një vend sovran, demokratik, shumë etnik dhe i begatë.
Ai tha se paqja rajonale, siguria dhe zhvillimi ekonomik mbeten thelbësore për prosperitetin e qëndrueshëm të Kosovës.
Richard Grenell uron Kosovën – Mbajtja e Hashim Thaçit në Hagë është padrejtësi
I dërguari i Presidentit Trump për misione të posaçme, Richard Grenell uroi siç tha të gjithë miqtë në Kosovë për 17 vjetorin e pavarësisë.
Në një postim në rrjetet sociale, zoti Grenell tha se megjithatë, ky moment historik është lënë nën hije nga një padrejtësi e rëndë. “Babai themelues i shtetësisë së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, duhet të festojë sot në Prishtinë – jo prapa grilave në Hagë”.
Ai shkroi se evropianët nuk kanë arritur të veprojnë siç u shpreh kundër kësaj padrejtësie në pesë vitet e fundit dhe se institucionet shtetërore të Kosovës kanë dështuar të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie për shkak të politikës.
“Ky burgim i padrejtë duhet të marrë fund”, tha zoti Grenell.
Udhëheqës të vendeve të ndryshme si Franca, Gjermania, Italia dhe të tjerë në urimet e tyre u zotuan për mbështetjen e Kosovës në përparimin drejt integrimit euroatlantik, fuqizimin e demokracisë si dhe qëndrueshmërisë në rajon, duke vënë theksin te normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Serbinë si diçka thelbësore në këtë proces.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pasi ndërhyrja e NATO-s i dha fund luftës gati dyvjeçare që la pas vetes mbi dhjetë mijë të vrarë dhe mijëra të zhdukur.
Pavarësia e saj është njohur nga më shumë se 100 vende të botës, ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga Serbia me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës./VOA