Që nga mesnata e së martës Kosova hoqi tarifat 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës, tarifa këto të vendosura që nga nëntori i vitit 2018 nga qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Kryeministri i Kosovës në detyrë Albin Kurti tha se hiqen tarifat dhe fillon vendosja shkallë shkallë e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, por jo ndaj Bosnjes e Hercegovinës.
“Ky vendim mbetet në fuqi deri më 15 qershor me ç’rast ne do ta bëjmë një vlerësim të gjithëmbarshëm të mbarëvajtjes së këtij vendimi”, tha Albin Kurti, pas një mbledhjeje të qeverisë që u mbajt në orët e vona të ditës së martë.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se vendimi obligon që në marrëdhëniet me Serbinë, emërtimet te certifikatat fitosanitare dhe dokumentet tjera përcjellëse si dhe në certifikatat veterinare dhe dokumentet tjera përcjellëse të përdoren në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi të Kosovës.
“Vendimet e miratuara janë të obliguara t’i zbatojnë policia kufitare, dogana, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Agjencia për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe institucionet e tjera përgjegjëse”, thuhet në një komunikatë nga zyra për media e Qeverisë së Kosovës.
Ambasada amerikane në Kosovë, ka reaguar heqjes së taksës nga kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe vënien e reciprocitetit ndaj qarkullimit të mallrave nga Serbia.
Ambasada kanë kundërshtuar vendimin e Kurtit, duke thënë se SHBA ishte e qartë se Kosova duhet të heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja.
Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet të heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja sepse këto politika lëndojnë njerëzit e Kosovës dhe e ngulfatin ekonominë e vetë Kosovës.
Mbesim në kundërshtim të veprimit të fundit për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj qarkullimit të mallrave nga Serbia.
Këto masa krijojnë më shumë probleme në kohën kur SHBA-të besojnë se marrëveshjet për linjë ajrore, hekurudhore, dhe për autostradë, të arritura mes të dyja palëve, do të rrisin zhvillimin ekonomik kur ato të zbatohen, dhe do të krijojnë kushtet e nevojshme për dialog të suksesshëm”