Qeveria e Kosovës ka themeluar Fondin e Sigurisë “për shkak të nevojave të Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe situatës aktuale ndërkombëtare”.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka ftuar qytetarët që jetojnë në Kosovë dhe në diasporë që të kontribuojnë financiarisht për sigurinë shtetërore.
“Në përputhje me legjislacionin në fuqi do të zbatohen procedurat për prejardhjen e mjeteve financiare me qëllim të ruajtjes së integritetit të fondit dhe qëllimit të tij. Ftohen qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët tanë në diasporë por edhe donatorë të tjerë të kontribuojnë për sigurinë shtetërore”, ka shkruar Kurti.
Kurti tha se ky vendim u mor pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë.
“Në përputhje me nevojat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, kam autorizuar sot Ministrinë e Financave për themelimin e ‘Fondit të Sigurisë’. Mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria e Republikës se Kosovës”, shkruan Kurti.
Ai tha se funksionimi i këtij fondi do të rregullohet me akte përkatëse procedurale dhe do të përdoret ekskluzivisht për qëllimin e përcaktuar nga qeveria.