Këshilli i Sigurisë së Kosovës miratoi gjatë natës masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve thelbësore, pas shpërthimit të së premtes që dëmtoi një kanal që furnizon me ujë disa qytete dhe termocentralet e vendit nga liqeni i Ujmanit në veri.
Në një komunikatë pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit thuhet se “indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist. Elemente të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Millan Radoiçiq nën dirigjimin e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste”.
Në njoftim thuhet se gjatë mbledhjes u vu në pah “ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit”.
Gjatë mbledhjes, anëtarët e Këshillit “diskutuan masat emergjente që janë marrë dhe po ndërmerren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend. Janë ndërmarrë hapa konkretë për të rikthyer situatën në normalitet duke siguruar qytetarët se furnizimi me ujë dhe energji elektrike do të rregullohet sa më shpejt”.
Për më tepër, “Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim. Po ashtu është intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të shtunën se policia po zhvillon hetime dhe ka kryer bastisje në veri.
“Ka arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë dhe fuqinë e ligjit të drejtë të Kosovës”, tha kryeministri Kurti gjatë një vizite në vendin e shpërthimit.
Por as ai e as policia nuk dhanë hollësi të tjera rreth operacionit.
Shpërthimi i së premtes që kaloi pa dëme në njerëz, u krye në në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, një komunë e banuar me shumicë serbe në veri.
Nëpërmjet kanalit të dëmtuar furnizohen me ujë disa qytete si dhe Korporata Energjetike e Kosovës, që është prodhuesi kryesor i energjisë elektrike në vend.
Mëngjesin e së shtunës autoritetet thanë se kanë kryer një “rregullim të përkohshëm në kanalin e dëmtuar” dhe shpresojnë që furnizimi me energji elektrike të vazhdojë “i pa cenuar”.
Shpërthimi u dënua në shkallë të gjerë nga institucionet e partitë politike si dhe diplomatët perëndimorë në Kosovë.
Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja dënuan ashpër sulmin “i cili pati një ndikim të rëndë në furnizimin me ujë dhe energji elektrike në veri të Kosovës”.
Në një komunikatë të publikuar të shtunën, KFOR-i tha se “është e rëndësishme që të vërtetohen faktet dhe që autorët të mbahen përgjegjës dhe të sillen para drejtësisë”.
Personeli i KFOR-it që nga mbrëmë ka ofruar siguri përreth kanalit dhe në zonat përreth si dhe ka ofruar mbështetje inxhinierike për institucionet në Kosovë, thuhet në njoftim në të cilin ritheksohet përkushtimi i këtij misioni ndaj mandatit të tij për të ofruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës në mënyrë të paanshme.
Serbia dënon sulmin ndërsa mohon përfshirjen
Ministri i jashtëm serb Marko Gjuriç dënoi të shtunën sulmin duke theksuar se veprime të tilla shkatërruese janë të papranueshme dhe kërcënojnë qëndrueshmërinë e brishtë.
Në një podstim në rrjetet sociale ai hodhi poshtë pretendimet e qeverisë së Kosovës se prapa sulmit qëndron Beogradi zyrtar.
“Ndërsa regjimi etnonacionalist i (Albin) Kurtit ka nxituar të drejtojë gishtin drejt Beogradit pa prova, ne besojmë se akuza të tilla të nxituara janë një shmangie e qëllimshme, duke treguar potencialisht përfshirjen e regjimit të Albin Kurtit. Këto akuza të pabaza dëmtojnë përpjekjet për dialog konstruktiv dhe shërbejnë vetëm për të përshkallëzuar tensionet në një situatë tashmë të ndjeshme”, shkroi ai duke nënvizuar se Serbia kërkon pa mëdyshje përgjegjësi për autorët e këtij sulmi të pamatur.
Zoti Gjuriç tha se Serbia është e gatshme të ndihmojë financiarisht dhe teknikisht në riparimin e dëmeve në kanalin e dëmtuar ndërsa bëri thirrje që të gjitha palët t’i rezistojnë provokimeve dhe t’i japin përparësi dialogut, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit.
Shqipëria dënon sulmin në Zubin Potok
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i shprehu mbështetje Kosovës për siç tha, “përballimin e situatës dhe hetimin e ndëshkimin e plotë të këtij akti sabotues e terrorist”. Në një postim në rrjetet sociale ai tha se bisedoi në telefon me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë së cilës “dënova ashpër aktet terroriste me lëndë eksplozive… që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës kritike të Kosovës e cenojnë sigurinë kombëtare të Kosovës”.
Kryeministri shqiptar Edi Rama, shkroi ndërkaq se “akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cenon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian”.
Duke bërë thirrje që ngjarja të zbardhët dhe ndëshkohet sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, kryeministri Rama tha se “ndërkohë Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë. Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së”.
Sulmi i së premtes në mbrëmje ishte i treti në një periudhë 72 orëshe në veriun Kosovës. Granata dore u hodhën më parë në një stacion policie dhe në ndërtesën e komunës në Zveçan.